Ndërlidhjet

PETERSEN DHE GRUPI NEGOCIATOR DISKUTOJNË DECENTRALIZIMIN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Decentralizimi në Kosovë ka qenë temë qendrore e një takimi të zhvilluar sot ndërmjet shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara, Soren Jessen Petersen dhe ekipit negociator për statusin. Ndërsa Jessen Petersen tha se Prishtina duhet të drejtojë procesin e decentralizimit, por duhet t’i dëgjojë dhe pikëpamjet e Beogradit, përfaqësuesit kosovarë kërkuan që decentralizimi të jetë një proces i ndarë nga negociatat për statusin. Sipas shefit të UNMIK-ut, takimi me delegacionin e Kosovës, kishte për qëllim që t’u transmetojë atyre qëndrimet ndërkombëtare deri ku ka mbërritur deri tash procesi i bisedimeve, pasi nesër në Paris, do të mbahet dhe takimi i radhës i Grupit të Kontaktit ku do të jetë i pranishëm dhe Marti Ahtisari:
“Unë e kam inkurajuar ekipin e unitetit që të lëvizë përpara në përmbushjen e standardeve, në mënyrë që nga deklaratat tani duhet të kalohet në veprime”, tha Jessen Petersen. Veprimet konkrete sidomos në procesin e decentralizimit, sipas kryeadministratorit ndërkombëtar nuk janë vetëm përgjegjësi e qeverisë, por e gjithë delegacionit.
“I kam bërë me dije ekipit të unitetit që decentralizimi do të jetë gjithashtu faktor kyç në përcaktimin e statusit të Kosovës”, theksoi Jessen Petersen. Ai tha po ashtu se plani i Prishtinës duhet të jetë bazë e këtij procesi, por liderët e Kosovës, shtoi Petersen, duhet të jenë të gatshëm të dialogojnë për këtë çështje me Beogradin. Kërkesa e Petersenit kishte të bënte me realizimin e takimit të paralajmëruar për datën 19 dhjetor në Vjenë ndërmjet Ministrit të Pushtetit Lokal në qeverinë e Kosovës, Lutfi Hazirit, me homologun e tij nga qeveria e Serbisë Zoran Lonçar, ku decentralizimi do të ishte temë kryesore. Mirëpo qëndrimi i delegacionit të Kosovës ishte që së pari të dëgjohen pikëpamjet e serbëve të Kosovës për këtë proces, kurse për takime me Beogradin kanë preferuar përgatitje më të mira. Kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi tha se nuk e di nëse më 19 dhjetor do të mbahet ky takim, por ai parashikoi që bisedimet me Beogradin do të vazhdojnë:
“Unë besoj se një takim do të mbahet, nuk jam i sigurt nëse do të mbahet në datën që është menduar, por unë besoj se duhet të vazhdohet me takimet e filluara në mënyrë që të tregojmë gatishmërinë tonë për të mos krijuar zbrazësira në procesin e filluar”, tha Kosumi.
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, u angazhua që decentralizimi të jetë proces i ndarë nga ai i negociatave për statusin. Kurse për takimin e Vjenës ai tha se Prishtinës do t’i duhet kohë më e gjatë për përgatitje:
“Ne nuk preferojmë takime të papërgatitura mirë. Por, në qoftë se momentet që ofrohen janë të natyrës urgjente, unë e thash edhe në takim, presidenti i Kosovës i ka gjithmonë ato autorizime dhe pastaj e informon delegacionin. Në parim ne qëndrojmë në qëndrimin që e kemi marrë të delegacionit”, tha Daci.
Në anën tjetër, lideri i subjektit më të madh opozitar, Hashim Thaçi, kryetar i PDK-së, u angazhua që të vazhdohet më decentralizimin, por jo mbi bazat e planit aktual të qeverisë së Kosovës, i cili sipas tij krijon mundësi për ndarjen territoriale të Kosovës:
“Me rëndësi është që procesi të ketë sukses dhe nuk ndërlidhet procesi me takime të veçanta. Me rëndësi është që të kemi substancë programore ne si Kosovë. Kjo substancë e institucioneve të Kosovës tash për tash nuk është ndërtuar si një program i delegacionit të Kosovës”, theksoi Thaçi.
Qëndrimet e sotme të delegacionit të Kosovës për decentralizimin, që në një mënyrë po nënkuptohen dhe si oferta e Prishtinës për pozitën e pakicës serbe, sipas shefit të UNMIK-ut do t’i prezantohen nesër Grupit të Kontaktit dhe të dërguarit të Kombeve të Bashkuara për statusin, Marti Ahtisari.




Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG