Ndërlidhjet

TOPALLI: ZYRTARËT TË PRONONCOHEN PËR KORRUPSIONIN


Alma Çupi, Tiranë

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Josefina Topalli i ka kërkuar sot presidentit dhe gjyqësorit që të thyejnë heshtjen në lidhje me sondazhin më të fundit të bërë nga USAID, në bashkëpunim me Zyrën për Mbrojtjen e Qytetarëve, që nxirrte sistemin gjyqësor në Shqipëri më të korruptuarin.
"Në këtë situatë pasi kanë kaluar dy ditë, kam pritur që maja e gjyqësorit të reagonte. Por gjatë këtyre dy ditëve kam parë se kryetari i Gjykatës së Lartë, njëkohësisht dhe kryetar i konferencës së gjyqësorit, vetëm hesht. Kam parë se nga presidenca nuk ka asnjë reagim. Dhe po ashtu kam parë se prokurori i përgjithshëm nuk e gjen me vend të thotë asnjë fjalë", tha zonja Topalli.
Sipas sondazhit të USAID-it në Shqipëri 44.7 përqind e gjyqtarëve janë të korruptuar, 72.6 përqind e avokatëve po ashtu, ndërsa 93 përqind e qytetarëve mendojnë se korrupsioni në gjykatat shqiptare është mjaft apo shumë i përhapur. Pas këtij sondazhi të publikuar dy ditë më parë, nuk ka patur asnjë reagim nga ana e gjyqësorit. Këtë heshtje, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Josefina Topalli, e ka konsideruar papërgjegjshmëri ndaj konstatimeve.
"Duke gjykuar se heshtja për një problem kaq alarmant ka një kosto jashtëzakonisht të madhe, duke gjykuar se rryshfeti, korrupsioni dhe padrejtësia në sistemin gjyqësor janë shokues për shoqërinë shqiptare, duke gjykuar se kodi i heshtjes i adaptuar gjatë kësaj periudhe është në fakt shumë akuzues, për të mos thënë vetë-akuzues, gjej rastin që në emër të sovranitetit që mban institucioni i parlamentit, t'i bëj thirrje majës së gjyqësorit, që vërtet duhej të ishin të pavarur dhe që dalin nga parlamenti, që të mbajnë përgjegjësitë e tyre dhe të gjejnë përgjegjësit, për një gjë që është kaq shokuese dhe që bën pothuaj të pashpresë luftën kundër korrupsionit."
Ndërsa kryeredaktori i gazetës Standart Edi Lesi, vlerëson reagimin e kryetares Topalli, si një presion pozitiv në luftën kundër korrupsionit.
"Për mua heshtja e institucioneve të drejtësisë pas publikimit të një raporti tejet tronditës, sipas meje, për gjendjen e korrupsionit në gjyqësor, nuk është gjë tjetër veçse një heshtje korruptive. Do të ishte krejt normale që këto institucione të reagonin edhe në fund fare na lind e drejta që të themi që këto autoritete, përderisa nuk tregojnë ndjeshmëri ndaj këtij fenomeni, thjesht pajtohen me të".
Nga sondazhi i USAID-it vihet re se shumica e të intervistuarve shprehen se korrupsioni në drejtësi është rritur ose nuk ka ndryshuar nga e kaluara. Ndërkohë ata shprehen se nuk janë optimistë se situata do të ndryshojë në të ardhmen. Qytetarët mendojnë se gjyqësori është një nga grupet më të korruptuara, madje më tepër se qeveria, parlamenti, biznesi, shëndetësia, arsimi, policia, media dhe shoqëria civile.



XS
SM
MD
LG