Ndërlidhjet

KUPCHAN:"KOSOVA JO E GATSHME PËR PAVARËSI, POR ALTERNATIVË TJETËR NUK KA"


Charles KUPCHAN, drejtor në Këshillin për Marrëdhënje me Jashtë/SHBA/

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kupchan bisedimet për statusin e Kosovës kanë filluar. Cili, sipas jush do të jetë rezultati dhe sa do zgjasi procesi?

CHARLES KUPCHAN
Mendoj se është ende shumë herët të parashohim rezultatin apo të themi se sa do të zgjasin bisedimet, pasi janë ende në fazat e para. Por ndjesia ime është se bashkësia ndërkombëtare po shkon në drejtimin e pavarësisë për Kosovën dhe po përpiqen që të shtyjnë Prishtinën dhe Beogradin në këtë drejtim. Duke pasur parasysh kundërshtimin e Beogradit ndaj pavarësisë mendoj se nuk do kemi një zgjidhje të qartë së shpejti, por këto bisedime do zgjasin për disa kohë, të paktën edhe gjatë 2006.

RADIO EVROPA E LIRË
Siç edhe e përmendët Prishtina dhe Beogradi kanë qëndrime të kundërta rreth të ardhmes së Kosovës. A mendoni se në fund të procesit ato do të bien dakord për statusin dhe nëse jo cili është skenari që do zbatojë bashkësia ndërkombëtare?

CHARLES KUPCHAN
Do të shpresonim që pozicionet që janë vendosur përpara nga dy qeveritë janë pozicione fillestare të cilat do t'i nënshtrohen, nëse mund të shprehemi kështu, pazarit. Ne do të shohim përpjekje të bashkësisë ndërkombëtare për të krijuar një qëndrim të përbashkët në javët dhe muajt që vijnë. Nëse nuk kemi diçka të tillë atëherë bashkësia ndërkombëtare do të ushtrojë presion në mënyrë që ka ardhur koha të kemi një zgjidhje përfundimtare sa i përket çështjes së Kosovës dhe mendoj se do ketë vend për kompromis. Një çështjeje që do t'i kushtohet shumë vëmendje është ajo e copëtimit të Kosovës, me Beogradin që mund të jetë i gatshëm të pranojë pavarësinë e Kosovës nëse veriu i mbetet Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në një artikull botuar në Foreign Affairs ju thoni pikërisht këtë, që ndarja është mundësi nëse të gjitha palët janë dakord. A nuk i druheni pasojave në pjesët e tjera të Ballkanit në rast të një zgjidhje të tillë?

CHARLES KUPCHAN
Fillimisht do të qartësoja pozicionin tim. Unë nuk jam në favor të copëtimit dhe jam shumë i tërhequr të mbroja një tezë të tillë, për arsyet që ju përmendët, ndikimit në pjesë të tjera të Ballkanit e ndoshta dhe të botës. Por nuk mendoj se bashkësia ndërkombëtare duhet të thotë që në fillim se ndarja nuk është në tryezë dhe se nuk do të pranojë një zgjidhje të tillë. Kjo për dy arsye, pasi copëtimi mund të krijojë hapësirë për kompromis. Nëse lëvizim drejt mundësisë së copëtimit atëherë një zgjidhje paqësore mund të gjendet. Derisa pa këtë variant në tryezë Beogradi mund të mos pranojë rezultatin e procesit. Dhe së dyti, realiteti është se veriu i Kosovës është sot më shumë pjesë e Serbisë se e Kosovës. Kemi një popullsi me shumicë serbe, forcat serbe të sigurisë veprojnë atje si dhe kemi sistemin serb të arsimit e shëndetësisë. Nëse Prishtina dhe bashkesia nderkombetare nuk janë të përgatitura të marrin të gjitha masat për të integruar veriun e Kosovës në pjesën tjetër të vendit atëherë ndarja e Kosovës është opcion real.
Sa i përket aftësisë për të krijuar rreziqe në pjesë të tjera pa dyshim që do të kemi ekstremistët në Republikën Serbe, Maqedoninë Perëndimore, apo edhe në Abkazi të Gjeorgjisë, që do thonë se nëse ndodhi në Kosovë pse të mos ndodh dhe këtu. Por në përgjithësi qëndrimi im është se këto konflikte separatiste nuk do ndikohen shumë nga Kosova dhe ndarja nga Serbia.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndarja paqësore e Kosovës dhe Serbisë sipas jush do kërkojë një diplomaci intensive nga bashkësia ndërkombëtare. Sa lart është Ballkani në axhendën e Uashingtonit dhe si e shihni bashkëpunimin BE-SHBA në çështjen e Kosovës?

CHARLES KUPCHAN
Mendoj se gjatë 3-4 viteve të fundit Ballkani u zhduk nga radarët e Uashingtonit për shkak të Irakut. Dhe pas 11 shtatorit Uashingtoni u përqëndrua në ekstremizimin islamik dhe luftërat në Irak dhe Afganistan. Gjatë gjashtë muajve të fundit Ballkani është rikthyer në fokusin e Uashingtonit. Administrata Bush dhe Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondolesja Rice e kanë vënë në fokus Ballkanin edhe në kuadër të 10 vjetorit të Marrëveshjes së Dejtonit dhe tani po shtyjnë bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës. Mendoj se bashkëpunimi BE-SHBA ka qenë shumë i mirë veçanërisht në krijimin e një fronti të përbashkët në çuarjen përpara të bisedimeve për statusin. Administrata Bush, edhe pse Iraku ende mbetet përparësia numër një, është e përgatitur të vendosë një kapital të konsiderueshëm politik në këtë çështje. Zoti Burns ka qenë në rajon dhe përshtypja ime është se SHBA-të do jenë të përgatitura të shtyjnë përpara bisedimet për statusin dhe ndoshta t'i bashkohen BE-së në ofertën për Serbinë për përfitime ekonomike dhe politike për të qenë fleksibël në negociatat për statusin.

RADIO EVROPA E LIRË
Në të njëjtin artikull që përmendëm në "Foreign Affairs" ju shkruanit se dhënja e pavarësisë Kosovës nuk qëndron në atë se Kosova është e gatshme, por se nuk ka opcione të tjera realiste. A keni ende të njëtin qëndrim dhe nëse po përse Kosova sipas jush nuk është gati për pavarësi?

CHARLES KUPCHAN
Mendoj se nëse dikush sheh nga afër qasjen e mëparshme të Kombeve të Bashkuara, standardet para statusit, atëherë mund të arrihet në përfundimin se Kosova nuk është ende e gatshme. Dhe kjo pasi institucionet qeverisëse janë ende të dobëta, serbët në Kosovë ende përballen me diskriminim dhe janë të rrezikuar. Nga kjo prespektivë mund të thuhet se Kosova nuk është ende gati dhe le të presim disa vjet më tepër. Por pikëpamja ime është se pritja nuk i përmirëson gjërat. Aktualisht dobësitë në Kosovë, mungesa e kapitalit të huaj, tensionet mes shqiptarëve e serbëve janë edhe rezultat i papërcaktimit të statusit dhe faktit se Kosova është "tokë e askujt". Përcaktimi i statusit dhe veçanërisht nëse Kosova bëhet e pavarur do bëjë që shqiptarët të demonstrojnë më shumë tolerancë ndaj serbëve, derisa ekstremistëve shqiptarë do t'u ngushtohet hapësira nga pavarësia. Mendoj se rezultati më i mirë i procesit të statusit është t'i jepet Kosovës prespektiva e pavarësisë së qartë çfarë do ta ndihmonte territorin që më pas të lëvizte drejt përmbushjes së standardeve të përcaktuara nga Kombet e Bashkuara si të nevojshme për stabilitetin.

Intervistoi: Iliriana A. BAJO
XS
SM
MD
LG