Ndërlidhjet

VAZHDOJNË DISKUTIMET RRETH DECENTRALIZIMIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Bashkësia ndërkombëtare i ka nxitur së fundi diskutimet lidhur me decentralizimin, në përpjekje të gjetjes së një oferte kosovare për serbët dhe grupet e tjera pakicë në Kosovë, thone analistët. Ilir Dugolli, anëtar i Institutit për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave, KIPRED i ka bërë këto deklarata për Radion Evropa e Lirë, në ditën kur Albert Rohan, zëvendës i të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin, po takon udhëheqës të institucioneve të Kosovës dhe përfaqësues të partive politike, ku temë mbizotëruese është pikërisht decentralizimi.
Megjithatë, zoti Dugolli tha se decentralizimi ka qenë aktual që nga fillimi i tij:
"Mua nuk më duket si riaktualizim, pasi kjo çështje më duket se ka qenë aktuale vazhdimisht, vetëm se në anën kosovare, në palën kosovare është krijuar përshtypja, ose është dashur të besohet ashtu se kjo çështje do të futet nën qilim, ose nuk do të jetë në tavolinën e bisedimeve".
Aktualisht ka qëndrime të ndryshme nëse decentralizimi duhet të zgjidhet në kuadër të bisedave për statusin apo ndaras. Zoti Rohan dje ka biseduar për këtë çështje me bartësin e Listës Serbe për Kosovën e Metohinë Oliver Ivanoviq, i cili ka thënë se decentralizimi do të jetë çështja e parë në bisedat për statusin.
Zoti Dugolli tha se për Kosovën do të ishte më mirë sikur kjo çështje të trajtohej ndaras:
"Në rrethana ideale dhe shumë më e favorshme për ne do të ishte që ato të mos ndodhin bashkë, por nga ana tjetër duhet ditur se pritet, se bashkësia ndërkombëtare pret që në kuadër të zgjidhjes së përgjithshme dëshiron të dijë se cila është oferta kosovare karshi serbëve, por edhe grupeve të tjera etnike."
Ilir Dugolli, ish-këshilltar i lartë politik i ish-kryeministrit Bajram Kosumi, tha se bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht ka kërkuar një ofertë kosovare për këtë çështje. Siç bëhet e ditur, decentralizimi është diskutuar edhe në takimet që zoti Albert Rohan ka pasur sot me kryeministrin Kosumi dhe kryetarin e Kuvendit, Daci. Ndërkohë, për decentralizimin është diskutuar sot edhe në takimin e Veton Surroit, kryetar i Këshillit Konsultativ për Komunitetet Pakicë, me Ministrin e Pushtetit Lokal Lutfi Haziri. Në një komunikatë nga zyra e zotit Surroi thuhet se përveç obligimeve të rregullta institucionale, Ministri Haziri pritet të ngarkohet me punë, në çështjet e lidhura me procesin e decentralizimit nga ana e Ekipit Negociator të Kosovës. Në takim është thënë po ashtu se nuk ka nevojë për një shteg paralel të negociimit andaj nuk ekziston edhe nevoja e zhvillimit të një takimi në Vjenë, por çështja e decentralizimit duhet shtruar seriozisht brenda ekipit negociator. Ende nuk dihet nëse do të mbahet një takim i paralajmëruar për 19 dhjetor në Vjenë ndërmjet ministrave të pushtetit lokal të Kosovës dhe të Serbisë.






XS
SM
MD
LG