Ndërlidhjet

AHTISAARI: RUNDI I PARË I BISEDIMEVE NË JANAR NË VJENË


Robert McMehon, Nju Jork I dërguari i veçantë i Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisaari tha mbëmë vonë në Nju Jork se rundi i parë i bisedimeve për statusin e Kosovës do të mbahet muajin e ardhshëm në Vjenë. Ky rund do të fokusohet në përmirësimin e kushteve të jetesës për minoritetet. Zoti Ahtisaari poashtu është shprehur për rëndësinë e nidhmës ndërkombëtare për ta nxitur zhvillimin ekonomik paralelisht me bisedimet.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaari tha se në takimet, që këtë muaj ka pasur në Prishtinë, ai ka kërkuar nga liderët shqiptarë që të bëjnë përpjekje më të mëdha në "procesin e standardeve", që përfshijnë edhe të drejtat e minoriteteve. Mbrëmë vonë në Nju Jork, në një konferencë për shtyp, ai u shpreh se me gjasë do të duhen ndërrime ligjore për tu siguruar se kushtet për serbët dhe për minoritetetet e tjera janë përmirësuar. Zoti Ahtisaari tha se mesazhi i tij për Beogradin poashtu gjatë këtij muaji, ishte se duhet të jetë "realist" dhe ta mbështesë pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në përpjekjet për qeverisje lokale.

- Në këtë moment, ne po përpiqemi që nga procesi i standardeve ta shohim krijimin e kushteve minimale, ku njerëzit do të jetojnë në siguri, pavarësisht se a janë serbë ose grupe të tjera të minoriteteve dhe kjo nuk mund të bëhet vetëm nga shqiptarët. Këtë ua kemi bërë me dije serbëve - se mospjesëmarrja nuk do të ndihmoj, tha zoti Ahtisaari.

Kryeminsitri i Kosovës, Bajram Kosumi, më herët, i pat thënë Radios Evropa e Lirë, se qeveria e tij po u ofron serbëve dhe minoriteteve të tjera barazi të plotë ligjore. Ai tha se Kosova e pavarur do të ishte në gjendje të siguroj garanca kushtetuese për mbrojtjen e vlerave kulturore dhe etnike dhe për indentitetin e të gjitha grupeve etnike.

Shqiptarët e Kosovës kërkojnë pavarësi, ndërsa Beogradi thotë se Kosova duhet të mbetet pjesë e Serbisë. Duke folur për këtë çështje, Marti Ahtisaari tha:

- Nëse palët mbesin në qëndrimet e tyre formale, që i kanë prezentuar te ne, atëherë nuk do të mbetet shumë punë për mua...prandaj mendoj se është e qartë se ne duhet të përpiqemi ti lëvizim palët prej pozicioneve të tyre të tashme të fiksuara dhe kjo është çështja në të cilën ne jemi të angazhuar në këtë moment.

Në mënyrë specifike, zoti Ahtisaari tha se faza fillestare e bisedimeve do të përfshijë çështjen e decentralizimit në Kosovë. Ai theksoi edhe rëndësinë e përmirësimit të kushteve ekonomike paralelisht me bisedimet. Në këtë kuadër ai u shpreh se Banka Botërore do të duhej të luante një rol kryesor si institucion financiar për Kosovën dhe për unionin Serbi – Mali i Zi. Aktorë të tjerë me rëndësi për nxitjen e ekonomisë lokale, zoti Ahtisaari tha se janë Banka Evropian për Zhvillim, Bashkimi Evropian dhe Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Në këtë aspekt, ai shpjegoi:

-Unë bile do të kërkoja procese paralele, që është shumë e rëndësishme për negociatat tona sepse është shumë vështirë për të pasur çfarëdo bashkëpunimi nëse njerëzit nuk ndjejnë se kanë një ardhmëri më të ndritshme ekonomike. Pra duhet të bëjmë më tepër në sferën e ekonomisë.

Ai e përsëriti dëshirën e tij që negociatat për statusin final të Kosovës të përfundojnë brenda vitit të ardhshëm. Marti Ahtisaari tha se e përshëndet mbështetjen që këtë muaj e mori nga Grupi i Kontaktit për Kosovën. Së fundit ai në Uashington u takua me sekretaren amerikane të shtetit, Condoleezza Rice dhe me këshilltarin për siguri kombëtare, Stephen Hedley. Zonja Rice ka thënë se do ta emëroj diplomatin amerikan Frank Wisner të dërguar të veçantë të Shteteve të Bashkuara për ti mbështetur përpjekjet e zotit Ahtisaari.
XS
SM
MD
LG