Ndërlidhjet

NEXHAT DACI: NË MESIN E VITIT 2006, DO TË JETË NJË ZGJIDHJE PËR KOSOVËN


Intervistë me Nexhat DACIN, kryetar i Kuvendit të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Aktualisht ka filluar procesi i bisedimeve për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Viti 2006 është cilësuar si një prej viteve më të rëndësishme, andaj cilat janë pritjet e juaja?

NEXHAT DACI
Ajo që ne po e quajmë me të drejtë ëndrra e Kosovës dhe sakrificat e Kosovës, bashkë me atë ëndërrë është afër realizimit dhe sipas të gjitha parashikimeve në mesin e vitit 2006, do të jetë një zgjidhje për Kosovën. Do të thotë është një sfidë shumë cilësore, është një kënaqësi për të cilën duhet të jemi shumë të përgatitur, profesionalisht, politikisht, por edhe njerëzisht dhe shpirtërisht, në një nivel çfarë qytetarët e Kosovës presin prej nesh. Unë personalisht nuk e kam as mëdyshjen më të vogël, që do ta kryejmë atë punë me përgjegjësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, pala tjetër, ajo e Beogradit ka plasuar si ide nismëtare që procesi të hapet me bisedimet për decentralizimin dhe çështjet pronësore, pra ato çështje që lidhen me pakicën serbe. Prandaj, a ka pala e Prishtinës një kundërpërgjigje se me çfarë do të mund të fillonin negociatat?

NEXHAT DACI
Duhet në fillim të sqarohen shumë çështje. Po frikohem nganjëherë që as brenda nesh nuk ka qartësi të veprimit dhe të menduarit. Kjo në veçanti vërehet edhe te një pjesë e Delegacionit. Mjerisht, që sot kemi një mendim ndërsa nesër dalim në media me një tjetër. Thuhet se sot nuk nënshkruaj kurrgjë që është më pak, ndërsa nesër nënshkruaj çdo gjë, në qoftë se është edhe një fjalë. Kjo paqartësi në fakt i jep mundësinë Beogradit zyrtar të tentoj të ndërhyjë në një proces që është krejtësisht për nga përmbajtja obligim i Kosovës, i institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës. Më lejoni të theksoj që gjithkush bën gabim shumë të madh në dëm të Kosovës dhe procesit kur thotë që decentralizimi, reforma e pushtetit lokal, begatia kulturore, mbrojtja e manastireve dhe e kishave, është pjesë që duhet të negociohet me Beogradin. Automatikisht, pranimi i hises së Beogradit zyrtar në Kosovë është një katastrofë për të gjitha ato personalitete dhe një dëmtim shumë i madh i çështjes së Kosovës, i qytetarëve të saj, i luftës dhe i politikës së Kosovës. Prandaj unë me këmbëngulësi u bëj të qartë të gjithë bashkëbiseduesve, në të gjitha nivelet ndërkombëtare dhe nacionale, se këto janë detyra dhe obligime të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Do të thotë, do të ketë decentralizim. Decentralizim përmbajtësor, me të cilin në një do të jetë e kënaqur mazhoranca e Kosovës. Një mazhorancë e kënaqur gjithmonë është e gatshme të ketë mirëkuptim për nevojat e grupeve etnike ose të pakicave etnike.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju përmendët decentralizimin dhe çështjet e pakicave, kryesisht ato që kanë të bëjnë me pakicën serbe. Sa mundet, në fakt, decentralizimi të jetë çështje kryesore në përcaktimin e statusit, siç po thuhet në qendra të ndryshme ndërkombëtare dhe a mundet ndërkohë Delegacioni i Kosovës të dalë me një ofertë të veten për zgjidhjen e çështjes së pakicës serbe?

NEXHAT DACI
Po, unë mendoj se mundet dhe duhet të dalë. Një ofertë e sinqertë për qytetarët serbë të Kosovës, një ofertë profesionale, një ofertë politikisht e arritshme në të cilën ne mbi këtë bazë në anijen kosovare do ta kemi gjithmonë “on board” Grupin e Kontaktit dhe Bashkësinë ndërkombëtare dhe është dëshmuar këto dy vitet e fundit që bashkëpunimi i denjë i mirëfilltë i institucioneve të Kosovës dhe partive politike që participojnë në këtë proces me Bashkësinë ndërkombëtare ka qenë shumë produktiv. Sot për herë të parë në histori mund të themi që pjesa dërmuese e bashkësisë ndërkombëtare qëndron në këtë kurs, në këtë drejtim dhe ne kemi nevojë që të punojmë seriozisht, kemi kapacitete për të vepruar dhe të gjitha vlerësimet edhe në fqinjësi edhe më larg janë të atilla që Kosova është në rrugë të duhur dhe në drejtim me kahje të duhur.

RADIO EVROPA E LIRË
Rezoluta e miratuar në Kuvend, sa në fakt e përcakton qartë rolin e Kuvendit në procesin negociator në të ardhmen dhe, nëse mund të paragjykohet një lloj krize e negociatave, sa mund të vijë në shprehje pastaj edhe deklarimi eventual i njëanshëm i këtij institucioni për statusin?

NEXHAT DACI
Nuk jam pesimist ose nuk jam adhurues i asaj që do të vijë, që ne do të kemi nevojë njëanshmërisht... Por, unë them gjithmonë, nëse Kosova do të mbështetej për muri, Kosova duhet ta kryej funksionin e vet siç e ka kryer me luftën e vet gjysmë shekullore, ose një shekullore, me luftën diplomatike 15 vjet, me luftën çlirimtare 2 vjet, dhe ka momente kur ju duhet të merrni vendim vetë, jo tjetër kush për ju. Dhe unë nuk e pranoj tezen që disa prej ndërkombëtarëve thonë se kurrgjë nuk ju vjen në pjatë të argjendtë. Çfarë i ka ardhë Kosovës në pjatë të argjendtë deri sot? Do të thotë, për këtë bisedë para feste, qytetarët e Kosovës duhet të jenë të qetë për të mundë të punojnë, jo për të fjetur, sepse edhe stabiliteti, edhe paqja do të avancohen dhe me marrjen e të gjitha përgjegjësive do të fillon edhe përmirësimi i çështjeve ekonomike e sociale. Do të thotë, duhet shumë punë dhe durim që vërtetë të kemi rezultate.
Intervistoi: Zijadin Gashi
XS
SM
MD
LG