Ndërlidhjet

SHTOHEN PËRPJEKJET PËR KAPJEN E MLLADIÇIT


Ratko Mlladiç së fundi duhet të jetë kthyer nga një udhëtim në Rusi dhe besohet se gjendet në Serbi. Këto janë informacionet më të reja, derisa përpjekjet për kapjen e Ratko Mlladiçit, i cili kryeson listën e personave të kërkuar nga Gjykata e Hagës për ish Jugosllavinë duket se janë shtuar. Zyrtarë serbë që nuk pranojnë të identifikohen kanë deklaruar për media të ndryshme se ata janë më afër se kurrë arrestimit të Mlladiçit.
Vladimir Vukçeviç, prokurori i Serbisë për krime lufte, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha:
"Si prokuror i krimeve të luftës kam informacione për njerëzit që po ndihmojnë të fshihen të kërkuarit për krime lufte. Agjencia serbe e informacioneve të sigurisë dhe ministria e brendshme gjithashtu i kanë këto informacione", tha Vukçeviç.
Por policia serbe ka hedhur poshtë këto deklarata duke thënë se nuk e di kush po e ndihmon Mlladiçin që të qëndrojë në arrati. Por ka qenë ministri i brendshëm, Dragan Joçiç, i cili para një grupi parlamentar ka thënë se Mlladiç e Karaxhiq sipas të gjitha gjasave fshihen në Serbi. Por ministri për çështjen e të drejtave të njeriut, Rasim Lajiç ka deklaruar se ka të dhëna që disa oficerë aktivë ishin apo vazhdojnë të jenë në kontakt me Mlladiçin. Më tej Lajiç ka theksuar se synojnë që t'i ngushtojnë hapësirat e veprimit për Mlladiçin.
Gjykata e Hagës për ish Jugosllavinë nuk ka pranuar të komentojë lidhur me informacionet e botuara në media. Mlladiç dhe Karaxhiq akuzohen për gjenocid, krime lufte e krime kundër njerëezimit gjatë luftës në Bosnjë. Ata janë përgjegjës për masakrën më të rëndë në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, masakrën e Srebrenicës. Pas masakrës së Srebrenicës Mlladiç bëri një numër deklaratsh mes të cilave dhe këtë në vijim:
"Sot më 11 korrik 1995 ne jemi në Srebrenicën serbe. Në mbrmëjen e një dite të madhe feste për serbët, ne ia dhurojmë këtë qytet popullit serb. Përfundimisht erdhi dita e hakmarrjes kundër turqve", kishte deklaruar atë botë Mlladiçi.
Serbia ka qenë nën presion të shtuar ndërkombëtar për arrestimin e Mlladiçit dhe Karaxhiqit veçanërisht pas arrestimit të gjeneralit kroat Ante Gotovina. Kryeprokurroja e Gjykatës së Hagës, Carla del Ponte akuzoi Beogradin dhe sistemin jofunksional ndërkombëtar për dështimin në kapjen e Mlladiçit e Karaxhiqit. Burimet e forcave të sigurisë aktualisht pohojnë se po përdoren të njëjtat metoda përgjimi telefonash që ndihmuan në kapjen e Gotovinës.

Radio Evropa e Lirë
XS
SM
MD
LG