Ndërlidhjet

E. STAVILECI: FITORJA E RADIKALËVE NË SERBI DUHET TA PËRSHPEJTOË ZGJIDHJEN E STATUSIT TË KOSOVËS


ESAT STAVILECI, EKSPERT I ÇËSHTJEVE JURIDIKE

EVROPA E LIRË
Zoti Stavileci, vitin që po lëmë pas e ka karakterizuar çështja e operacionalizimit të stanadardeve dhe një plan për këtë, ndërkohë që zyrtarë ndërkombwtarë dhe vendorë kanë thënë se janari do të jetë muaji kur do fillojë vlerësimi i këtyre standardeve. Cili është qëndrimi dhe mendimi Juaj për këtë?

ESAT STAVILECI
Përherë kam mbajtur një qëndrim kritik ndaj bashkësisë ndërkomëbatre, jo për ta kontestuar atë, por për të vërejtur se ajo nuk është vendosur në përputhje me misionin themelor që do të duhej të kryente në Kosovë. Në mënyrë të veçantë kam theksuar mungesën e transaparencës për disa veprime të UNMIK-ut, që ose është mësuar më vonë, ose nuk është mësuar fare, fakt ky që krahas mosvigjilencës së duhur të institucioneve të ksoovës ndonjëherë, i ka rritur tensionet, gati që ato ndonjëherë ato kanë marrë edhe përmasat e konfliktit. Kështu është çështja e gabueshme edhe me stanadardet. Një herë u tha se bëhej fjalë për standardet para statusit, tash për standardet për Kosovën. Zgjedhja e tyre qe shumë selektive dhe nuk u mor parasysh se për përmbushjen e disa prej tyre përgjegjësia bie para së gjithash mbi ndërkombëtarët, pasi vendorët janëtë zhveshur nga autorizimet. Tash doli problemi me preambulën dhe u vërtetua se nuk bëhej fjalë për formë, por për përmbajtje. Në të zunë ngoje edhe rezoluta 1244 edhe ligjet e aplikueshme, në vend se me kohë të qartësohen pozicionet e bashkësisë ndërkombëtare rreth statyusit të Kosovës, mungesa e të cilit i mban peng dhe i lë të bllokuara shumë procese. Mendoj se kështu do të ndodhë edhe me standardet dhe se standardet megjithatë nuk do të arrijnë të përmbushen, pa një përqendrim të përbashkët edhe të UNMIK-ut, edhe të institucioneve të Kosovës.

EVROPA E LIRË
Zoti Stavileci, Ju i përmendët ligjet e aplikueshme dhe futjen e tyre në prambulën e dokumentit Standardet për Kosovën, ndërkohë që zyrtarët e Kosovës dhe analistë të ndryshëm kanë thënë se ligjet e aplikueshme do të jenë pengesë për procesin e përmbushjes së standardeve, ashtu siç janë pengesë edhe për procesin e privatizimit. Cili është qëndrimi Juaj për këtë?

ESAT STAVILECI
Do të më lejoni të bëj një kthim prapa, pasi problemi me ligjet është që nga koha e Kouchner-it dhe përpjekjes së tij për të imponuar ligjet e Serbisë dhe atë të një kohe më të re. U reagua dhe disi u korrigjua se do të vlejnë ligjet jodiskriminuese të një periudhe deri në prag të ndryshimeve të dhunshme kushtetuese. Problemet me privatizimin, në fakt e kthyen bisedën rreth aplikueshmërisë së ligjeve dhe tash po vërtetohet se problemin nuk e zgjidhin as rregulloret e mangëta të UNMIK-ut, as ligjet e rralla të Kuvendit dhe sërish kjo çështje ndërlidhet me domosdoshmërinë e përcaktimit të qartë të statusit. Ndryshe, na mungon legjislacioni, na imponohen arrnime me ligjet e Serbisë, e cila, siç dihet, nuk ka asnjë kontroll dhe bazë për të qeverisur Kosovën. Theksohet rezoluta 1244, e tejkaluar nga realitetet e reja të krijuara në Kosovë dhe nuk përshpejtohet bartja e autorizimeve të plota tek instotucioneve vendore dhe nuk po flas për atë që ndodhi, bartjen spektakulare të gjoja autorizimeve, që në fakt institucionet i kishin dhe mungoi profilizimi i qartë i statusit të Kosovës si shtet i pavarur, fakt ky që la hapësirë që në Serbi të ringjallen orekse për ta kthyer Kosovën nën jurisdiksionin e saj, pikëpamje kjo sa e papranueshme politikisht, aq e edhe pathemeltë juridikisht, prandaj problemi me ligjet qëndron, qëndron po qe se do të ketë përpjekje që ato të bëhen të aplikueshme dhe unë do dëshiroja me një fjali të vetme të theksoj se nuk ka asnjë ligj që ka nxjerrë Serbia në atë periudhë e që nuk do të ndikonte për bllokimin e proceseve në Kosovë, jo vetëm të privatizimit, por edhe në sferat e tjera të jetës.

EVROPA E LIRË
Ndërkohë, profesor Stavileci, në zgjedhjet parlamentare të Serbisë të mbajtura para do ditësh, kanë fituar forcat radikale, forcat antireformiste. Cili do të jetë sipas Jush ndikimi i këtyre rezultateve dhe i një qeverisjeje eventuale të radikalëve për situatën në Kosovë?

ESAT STAVILECI
Unë, rezultatet e zgjedhjeve në Serbi i shoh në dy rrafshe – ato dëshmojnë se kah po vete Serbia dhe ky duhet të jetë një sinjal i qartë drejtuar bashkësisë ndërkombëtare për të përshpejtuar procesin e pavarësimit të Kosovës. Shikuar nga ky kënd, ato rezultate në dukje të parë mund të jenë favorizuese për përshpejtimin e proceseve në Kosovë, por shikuar nga këndi i pikëpamjeve që ato forca kanë për zgjidhjen e që ato forca kanë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, duhet pritur shantazhe që vetvetiu do të mund të ngadalësojnë dhe vështirësojnë ato procese. Këtu gjen mbështetjen mundësia e rritjes së tensioneve në Kosovë për ta përballuar një gjendje të cilën nuk e karakterizon sot as shkalla e duhur e autorizimeve të institucioneve vendore, as shtrirja e tyre në tërë territorin e Kosovës, as numri i duhur i ligjeve, as gatishmëria e minoritetit serb për të pranuar jurisdiksionin e institucioneve të UNMIK-ut dhe të Kosovës dhe do të thosha as ambienti politik për të kaluar nga një gjendje e papërkufizuar në një gjendje me status qartë të definuar në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës.

EVROPA E LIRË
Dhe, meqenëse gjatë kësaj bisede ishit mjaft kritik ndaj disa prej proceseve kryesore që po ndodhin në Kosovë, sipas mendimit Tuaj cila është dalja nga kjo krizë dhe cila është rruga për t’i gjetur zgjidhjet për këto probleme?

ESAT STAVILECI
Shumëkush vitin 2004 e sheh si vit të daljes nga rrethi vicioz, por kërcënohet rreziku që të jetë vit i mbylljes ende më shumë të proceseve. Unë daljen e shoh në qartësimin e pozicioneve rreth statusit, në përshpejtimin e proceseve rreth bërjes së shtetit funksional të Kosovës dhe të njohjes së tij, si faktor shumë të rëndësishëm për debllokimin e proceseve, prej atij të privatizimit dhe të zhvillimit ekonomik, e deri te procesi i përparimit të institucioneve të demokracisë dhe të njohjes së vullnetit të popullit të Kosovës. Mirëpo, nga ana tjetër, natyrisht se pres edhe nga institucionet tona që të bëjnë më shumë seç kanë bërë, të bëjnë trysni më të madhe në qendrat e vendosjes për pajisjen e tyre me atributet e shtetit, nëse nuk duan që i gjithë procesi të vështirësohet e madje edhe të pamundësohet për kohë të pacaktuar për shkak të shantazheve të Serbisë dhe për shkaka të hezitimeve të bashkësisë ndërkombëtare për ta njohur të drejtën dhe vullnetin e popullit shumicë për ta qeverisur veten. Droja ime më e madhe është se po blehet kohë përderisa nuk ka një pozicion të qartësuar dhe këtë kohë do të shohim se kush do të dijë ta shfrytëzojë më së miri. Do të dëshiroja që në të jemi ata, që ne të lëvizim më tepër, që ne të marrim fatin tonë në duart tona dhe që ne t’i ndihmojmë të gjitha përpjekjet që bën bashkësia ndërkombëtare për ta përballuar këtë gjendje e cila nuk është lehtë të zgjidhet shpejt dhe nuk është lehtë të zgjidhet pa sakrifica.

Intervistoi Rrahman PAÇARIZI

XS
SM
MD
LG