Ndërlidhjet

JO TË GJITHA MESAZHET UA NGRITËN DISPONIMIN QYTETARËVE


Milazim Krasniqi, Analist

Njëri nga mesazhet që u erdhi qytetarëve kosovarë nga instancat e larta të vetëqeverisjes së përkohshme dhe që mund të rritë brengosjen ka të bëjë me përmbushjen e standarteve për Kosovën. Në mesazh u tha se Kosova vetëm sa duhet të bëjë vlerësimin e standardeve dhe puna do të konsiderohet e përmbushur. Pra viti 2004 kësisoj prezantohet si vit i vlerësimit të standardeve e jo i përmbushjes së tyre. Por kjo qasje krijonpamje të gabuar tek qytetarët. Krijohet ideja se puna është kryer dhe nuk ka arsye për ndonjë angazhim të askujt, sepse vetëm pritet vlerësimi formal dhe njohja formale, ndërsa në realitet punët janë krejt ndryshe që nga gjendja e institucioneve funksionale e deri tek kthimi i të zhvendosurve dhe integrimi i minoriteteve. Sipas asnjë vlerësimi realist nuk mund të konsiderohet funksional një institucion si puna e Kuvendit të Kosovës, i cili brenda vitit të kaluar ka miratuar vetëm 20 ligje. Kaq ligje mund të përbëjnë një pako ligjore që miratohet brenda punës një javore të një kuvendi funksional. E kur dihet nevoja e qartë e Kosovës për infrastrukturë ligjore është e qartë që në këtë fushë mbetet të bëhet punë shumë më e madhe para se të bëhet vlerësimi i këtij standarti në kontekstin e dialogut pë statusin final të Kosovës. As vlerësimi lidhur me minoritetet nuk ka gjasa të bëhet në këtë gjendje që është kthimi dhe integrimi i tyre, sepse në atë rast kjo do të shndërrohej në vlerësim negativ ndaj Kosovës. Kthimi i të zhvendosurve ende nuk është substancial që të mund të vlerësohet si përmbushje e standardit. Ndërsa sa i përket integrimit të serbëve, kjo mbetet një fushë edhe më e vështirë. Për hir të së vërtetës duhet thënë se votimi me shumicë i qytetarëve serbë të Kosovës për Partinë Radikale, është tregues edhe për punën e pamjaftueshme që ka bërë UNMIK-u dhe institucionet e vetëqeverisjes së përkohshme, të cilat nuk kanë krijuar një ofertë serioze dhe atraktive, e cila gradualisht do t'i shkëpuste ata nga ideologjia e nacionalizmit. Mungesa e vendeve të punës, mungesa e lirisë së lëvizjes së lirë në Kosovë dhe në vende të tjera i mban serbët e Kosovës të bllokuar në mendësitë e vjetra.
Një mesazh tjetër që krijon informata të gabuara, si një thirrje telefonike e bërë në numër të pasaktë, është ai që thotë se pavarësia e Kosovës do të realizohet në vitin 2004, ndërsa ky mesazh u dëgjua nga instancat më të larta të politikës kosovare. E vërteta që u përsërit edhe nga Havier Solana, në një mesazh ekskluziv për kosovarët thotë se
"mundësia e parë për një shqyrtim të përgjithshëm mund të ndodhë në mesin e vitit 2005". Është e qartë se ky mesazh i Solanës është i bazuar në planin e paraqitur nga diplomati amerikan Marc Grossman dhe të miratuar nga të gjitha instancat e vendimmarrjes ndërkombëtare lidhur me Kosovën. Prandaj nuk është e qartë pse jepen mesazhe të pasakta për qytetarët nga ana e disa udhëheqësve të Kosovës. Një shpjegim i mundshëm është se politikanët e shohin veten në rolin e Baba Dimrit, ndërsa qytetarët i trajtojnë si fëmijë të cilët mund të mashtrohen vetëm me ekspozimin e dhuratave në ekranet televizive.

XS
SM
MD
LG