Ndërlidhjet

F. SEJDIU: SERBIA NUK MUND TË VENDOSË PËR STATUSIN POLITIK TË KOSOVËS


FATMIR SEJDIU, ANËTAR I KRYESISË SË KUVENDIT TË KOSOVËS

EVROPA E LIRË
Zoti Sejdiu, cilat do të jenë sfidat në këtë vit për institucionet dhe për Kosovën në përgjithësi?

F. SEJDIU
Mund të them paraprakisht se viti që shkoi ishte një vit, po ashtu i sfidave të mëdha dhe mendoj se instotucionet e Kosovës përballë sfidave të shumta objektive që i patën i përballuan me sukses dhe natyrisht ky vit është vit që vazhdon me preokupime të tjera, duke pasur parasysh se ky vit në radhë të parë kërkon përmbushjen e standardeve të përgjithshme të përcaktuara nga ana e PSSP-së dhe të mbështetura nga KS i OKB-së dhe natyrisht pjesës tjetër që ka të bëjnë me jetën në Kosovë. Në këtë aspekt, mendojmë se këto objektiva, që janë marrë si objektiva të përbashkëta do të realizohen ndoshta edhe para afatit që paramendohet. Mendoj se institucionet e Kosovës me një mbështetje më të fuqishme ndërkombëtare dhe me një proces progresiv të bartjes së përgjegjësive, do të arrijnë të realizojnë këto synime, duke pasur parasysh ngjalljen e përgjithshme të ekonomisë së Kosovës, demokratizimin e mëtejshëm dhe duke pasur parasysh zgjedhjet e reja në nivel Kosove, me të cilat mendojmë se së katërti si Kosovë do të dëshmojmë se jemi në gjendje të organizojmë një proces të mirëfilltë zgjedhor me bashkësinë ndërkombëtare dhe të cilësohen edhe këto sikurse zgjedhjet e kaluara, si zgjedhjet më të mira të Evropës Juglindore.

EVROPA E LIRË
Cilat do të jenë pengesat kryesore që do të paraqiten në rrugën e përmbushjes së standardeve, kur tashmë është thënë edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë se janari, ky muaj domethënë, pritet të jetë fillimi i vlerësimit të përmbushjes së parë të standardeve?

F. SEJDIU
Unë mendoj se kjo mund të jetë fazë e vlerësimit të parë nga ajo që mund të shohim si pjesë e distancës së punës së bërë deri më tash. Ne mund të vërejmë se një pjesë e madhe punës tashmë është bërë dhe ky është vlerësim zyrtar i institucioneve dhe përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës dhe kujtoj se një pjesë e mbetur e standardeve, posaçërisht ato që kanë të bëjnë me procesin e kthimit, sigurisë, lëvizjes së lirë dhe ekonomisë e transformimit të saj janë pjesë që mund të përmbushen ndoshta me një ndihmë reciproke të bashkësisë, sikurse që insistojmë që të barten si përgjegjësi në institucionet e Kosovës për t’u dëshmuar. Natyrisht se në këtë aspekt është tepër e nevojshme që institucionet e Kosovës të ushtrojnë funsksionet e tyre në gjithë nivelin e vendit dhe të mos ketë institucione paralele dhe pengesa të tjera që i kemi pasur në fazën e deritashme dhe të shkurtohen në këtë aspekt iluzionet e atyre që investojnë që Kosovën ta mbajnë në tension të vazhdueshëm. Këtu është fjala për sigurinë e tërësishme të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe për një siguri të nevojshme për lëvizjen e tyre të lirë në të gjitha vendet dhe të zhduket ajo dukuria e enklavizimit, sidomos e komunitetit serbë, të cilët në një formë apo në një tjetër kanë bërë obstruksione të caktuara në punën e institucioneve, duke luajtur rolin e dyfishtë, domethënë një pjesë e tyre të akceptojnë institucionet, por një pjesë, në të njëjtën kohë, sikur ishte pjesëmarrja e tyre në zgjedhjet e fundit në Serbi, të participojnë edhe në zgjedhjet serbe. Ekzistojnë kushte të caktuara dhe standarde të përgjithshme. Ata që e konsiderojnë veten qytetarë të një vendi, në këtë rast qytetarë të Kosovës, mendojmë se duhet të participojnë këtu dhe të jenë pjesëmarrë aktivë në jetën politike dhe në jetën e gjithëmbarshme, përndryshe, sigurisht do të jenë një pengesë e mëtejshme.

EVROPA E LIRË
Zoti Sejdiu, në anën tjetër, është thënë se një paralelizëm i caktuar ekziston edhe me ligjet e aplikueshme serbe. Si duhet tejkaluar situata me ligjet e aplikueshme?

F. SEJDIU
Natyrisht se korpusi legjislativ është një nevojë e domosdoshme që ta ketë secili vend, pra edhe Kosova dhe në këtë aspekt kemi pasur pengesat e fillimit. Natyrisht, në fazën e parë të një zbraztësie akteve ligjore të reja, këtu është bërë një referencë e përfaqësuesit special për zabtimin e ligjeve të aplikueshme të ish-federatës apo të Serbisë edhe në periudhën pas 22 marsit të vitit 1999, për ç’gjë ne kemi pasur reagimet tona. Atëherë është thënë se do të aplikohen vetëm ato që nuk kanë karakter diskriminues, mirëpo unë mund të them një formulë paralele se çdo akt që i një vendi që nuk e ka vendin apo jurisdiksionin në një hapësirë tjetër që nxirret dhe iu dedikohet qytetarëve të atij vendi ka një karakter të tillë. Pra në rastin e parë ajo ka hedhur nga fuqia gjithë legjislacionin e Kosovës dhe e dyta, në fazën e mëtejshme duhet pasur parasysh se Serbia me këto akte ka krijuar një terren të favorshëm për transformime të shumta në favorin e saj, posaçërisht kur është fjala për pronën. Dhe, kjo ka qenë, mendoj, një nga pengesat e mëdha që është paraqitur në procesin e privatizimit në Kosovë. Me këtë mund të themi se Kosova tash ka një shans të mirë në krahasim me të gjitha vendet e tjera të Evropës Juglindore që të ecë më shpejt, nëse do t’i mbështesë të gjitha këto procese në një legjislacion të ri, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, duke hedhur nga fuqia ato ligje që në një formë a në një formë tjetër kanë çuar ujë në mullirin e tjetërkujt.

EVROPA E LIRË
Zoti Sejdiu, sot një javë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë kanë fituar forcat radikale. Si do të ndikojë ky rezultat në raportet e Kosovës me Serbinë dhe në çështjen e dialogut për çështje teknike, që është një prej standardet që duhen përmbushur?

F. SEJDIU
Po, ne e kemi thënë vazhdimisht se për Kosovën, ashtu si edhe për secilin vend të rajonit është e nevojshme që proceset demokratike të ecin përpara dhe është një shqetësim i përgjithshëm që në një vend fqinj, si në Serbi të triumfojnë forcat luftënxitëse dhe luftëbërëse. Kjo, mendoj se për vetë Serbinë është një shenjë e keqe, pasi ky është një shans plus për ato forca që kanë përgjakur vetë Serbinë dhe kanë përgjakur edhe popujt përreth. Mendoj se me një trysni më të mirë ndërkombëtare, para së gjithash në BE dhe në nivelet e tjera Serbisë duhet t’i bëhet me dije se me këso pozicionesh apo më një rikthim të këtillë të politikës, e cila ka qenë gjakosëse në gjithë hapësirat edhe të Evropës Juglindore, por flas posaçërisht për hapësirat ku kanë mundur të bëjnë çrregullime të mos kenë shansin e depërtimit të mëtejmë. Natyrisht, fundja, mund të themi se kjo është zgjedhje e vetë popullit serb, nëse ata përcaktohet për një diçka të tillë, duhet të jenë të vetëdijshëm se ku i çon një rrugëtim i tillë.

EVROPA E LIRË
Po për çështjen e dialogut. Është thënë se janari të jetë koha e rifillimit të dialogut teknik. Sa do të ndikojnë rezultatet e këtyre zgjedhjeve për mundësinë e fillimit të dialogut?

F. SEJDIU
Po, duhet të shikojmë formacionet që do të krijohen nga koalicionet e iluzuara nga Partia Radikale dhe çdokush tjetër se çfarë dëshirojnë. Nga deklarimet e para shihet qartë se ata rikthejnë pozicionet e tyre, madje edhe të paraluftës, duke parasysh faktin se ata e konsiderojnë Kosovën problem të vetin të brendshëm, ashtu siç bënte edhe Milosheviqi dhe Shesheli që është piemont i një lëvizjeje të tillë radikale në Serbi, sikruse edhe pajtimtarët e tjerë. Mendoj se ne në këtë aspekt duhet të kemi një pozicion të qartë se është e nevojshme që për çështjet praktike, të cilat i mbështet edhe bashkësia ndërkombëtare të hapërojmë më tej në interesin e Kosovës dhe të qytetarëve të saj dhe natyrisht me këtë fakt të paraqitemi si faktor i rëndësishëm kontribues për proceset e negociimeve në këtë bazë. Natyrisht se çështja e statusit politik është një çështje më vete dhe mendojmë se Serbia nuk është ajo që mund të vendosë për Kosovën. Është vetë fakti se qytetarët dhe institucionet e Kosovës kanë qëndrim këmbëngulës, i cili do të mbështetet në bazë të parimit të vullnetit të popullit.

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG