Ndërlidhjet

MALOKU: ME PRANIMIN E PREZENCËS SË AGJENTËVE TË SAJ NË KOSOVË, SERBIA PRANON FAJIN E PËRFSHIRJES NË KRIMET MISTERIOZE TË PASLUFTËS


Naim Maloku, deputet dhe ekspert i çështjeve ushtarake

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Maloku, shefi i agjencisë informative të ushtrisë së Serbisë e Malit të Zi, Stojanoviç ka pranuar publikisht praninë e agjentëve të këtij shërbimi në Kosovë. Çfarë do të thotë kjo në planin e sigurisë së Kosovës, për faktin se Stojanoviç është zyrtar i lartë i këtij shërbimi?

NAIM MALOKU
Kjo nuk është asgjë e re për Kosovën dhe as për natyrën e shërbimeve sekrete në botë. Është shumë normale që shërbimi sekret i ushtrisë jugosllave pas tërheqjes së forcave të veta ka lënë rrjetin e vet, posaçërisht ato struktura që i ka pasur të pazbuluara dhe të pakomprometuara në Kosovë. Zgjedhjet e reja që u mbajtën në Serbi, forcuan politikisht krahun radikal të Serbisë, krahun neofashist, pasi Shesheli dihet se personifikon fashizmin serb dhe gjatë dy mandateve që i ka mbajtur me Milosheviçin në qeverinë e Serbisë, dy mandatet e fundit si koalicion qeveritar ndërmjet radikalëve dhe Milosheviçit, ka arritur që të gjitha strukturat paramilitare, që i ka pasur dhe i ka udhëhequr në vitet ’90, ’91 dhe ’92 pavarësisht të gjitha atyre krimeve që i kanë bërë në Kroaci dhe Bosnjë, t’i sistemojë në organet zyrtare, në strukturat zyrtare qeveritare dhe në organizmat e qeverisë, si dhe në strukturat e sigurisë, si në polici apo në shërbimet sekrete. Dhe, unë pres që, edhe pse ato një kohë qenë margjinalizuar, tani pas zgjedhjeve, ajo strukturë të riaktivizohet dhe unë thjesht shoh një shkallë më të lartë të rrezikshmërisë të Kosovës nga këto veprime dhe kjo ringjallje e këtyre mekanizmave edhe për faktin se Kosova nuk ka mekanizma të sigurisë, pra nuk ka një mekanizëm që është i autorizuar për Kosovën dhe që i ndërmerr të gjitha masat në ballafaqim me rrezikun që vjen nga Serbia.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të konsiderohet kjo si përzierje në punët e brendshme të Kosovës dhe a do të duhej të reagonte administrata ndërkombëtare?

NAIM MALOKU
Administrata ndërkombëtare di për prezencën e shërbimeve sekrete serbe në Ksoovë dhe për ta kjo nuk është e panjohur. Vetë gjykimi i Milosheviçit, kur ai në çdo moment ishte në gjendje të marrë cilëndo informatë nga cilido vend i Kosovës, flet qartë se ai e ka pasur një rrjet të përcjelljes së informatave dhe kjo është bërë e ditur publikisht. Tërë gjykimi i Milosheviçit për Kosovën është karakterizuar me këtë segment, pasi çdo segment që i është dashur Milosheviçit nga Kosova në atë moment, ai ka qenë i gatshëm ta prezantojë në gjykatë.
Normalisht, se kjo është përzierje dhe i vetmi veprim normal i strukturave të UNMIK-u do të ishte ndërtimi i një mekanizmi vendor të Kosovës me kuadro vendore të sigurisë. E vetmja mënyrë e sigurimit të Kosovës do të ishte kjo.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Maloku, cilat janë veprimet që duhen ndërmarrë në këtë rast nga pala kosovare dhe kush duhet t’i ndërmarrë veprimet në këtë rast?

NAIM MALOKU
Po, ne duhet të bëjmë presion më të madh institucional tek UNMIK-u për marrjen e kompetencave në këto fusha, pra në krijimin e mekanizmave vendore të sigurisë, që SHPK të marrë më shumë kompetenca dhe të ndërtojmë mekanizmat vendore të sigurisë, të cilat më pas do të dinë në mënyrë profesionale të ballafaqohen me këto kërcënime.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe cili mund të jetë qëllimi i pranimit publik të pranisë së agjentëve të shërbimit ushtarak të zbulimit të Serbisë në Kosovë. Domethënë, pse bëhet publik një fakt i tillë për një çështje kaq të ndjeshme që pretendohet zakonisht të mbetet e fshehtë?

NAIM MALOKU
Është befasues fakti se asnjë shërbim sekret serioz në botë nuk e pranon një fakt se ka struktura e veta në strukturat kundërshtare, apo në territoret të cilat nuk i ka nën kontroll. Mund ta marrë më tepër me mend këtë si një “fryrje” para opinionit të brendshëm. Është përdorur për treg të brendshëm dhe një prononcim i tillë është një prononcim shumë joserioz për një udhëheqës të një shërbimi të tillë të fortë, që po them, është i respektuar në Evropë dhe botë, si shërbim sekret.
Unë them se me këtë prononcim, Stojanoviçi praktikisht pranon edhe fajin, ndoshta edhe pjesëmarrjen në shumë vrasje dhe krime misterioze që nuk janë zbuluar deri më sot në Kosovë dhe aty duhet të kërkohet përgjigja. Dhe, hetuesia, organet e hetuesisë dhe të drejtësisë duhet të orientohen më tepër nga pjesëmarrja e atyre shërbimeve në këto krime.

Intervistoi Rrahman PAÇARIZI

XS
SM
MD
LG