Ndërlidhjet

A DO NDËRHYJË GJYKATA PËR PROBLEMET NË FAKULTETIN E MJEKËSISË


Bekim Bislimi

Derisa problemet kontestuese në arsim nuk mundin t’i zgjidhin organet kompetente arsimore sipas hierarkisë, atëherë jemi të detyruar që probleme të tilla t’i adresojmë për zgjidhje në gjykata, thotë Ass. dr. Skënder Baca, mësimdhënës në Fakultetin e Mjeksisë në Universitetin e Prishtinës. Kontesti i cili ka lindur në mes drejtuesve të Katedrës së Mjekësisë Interne dhe mjekëve të Spitalit të Sëmundjeve të Mushkërive është paralajmëruar kohë më parë kur këta të fundit kanë akuzuar publikisht drejtuesin e Katedrës së Mjekësisë Interne, Doc. dr. Sylejman Rexhepin, se e ka falsifikuar orarin e mbajtjes së ligjeratave dhe ushtrimeve nga lëndët e pulmologjisë që kanë të bëjnë me sëmundjet e mushkërive. Doktor Skënder Baca, pulmolog, thekson se orët e ushtrimeve me studentë, të cilat gjatë viteve të kaluara i kanë mbajtur asistentët e pneumofiziologjisë nga spitali i sëmundjeve të mushkërive, u janë dhënë asistentëve të mjekësisë interne.
“Kjo ndodh me një qëllim shumë të ulët të shefit të katedrës e disa kolegëve të tij, që në mënyrë artificiale të tregohet se ne jemi pa normativ, pa fond të orëve, ashtu që të përgatitet terreni që ne të eliminohemi nga katedra si punëtorë, të shlyhemi nga lista e të ardhurave personale dhe në këtë mënyrë të krijohen vende të reja pune për familjarët dhe miqtë e tyre”.
Shefi i Katedrës së Mjekësisë Interne, Doc. Sylejman Rexhepi, mohon akuzat të cilat i vijnë nga dr. Baca.
“Katedra e Mjekësisë Interne nuk ka ndryshuar në planprogram, jo vetëm në mandatin tim dyvjeçar, por edhe në të tjerat, për asnjë milimetër dhe për asnjë njësi mësimore”.
Ndërkaq dr. Baca thotë:
“Ky është falsifikim dhe doktor Sylejman Rexhepin ne e kemi akuzuar edhe para organeve të gjykatës për falsifikim të orarit. Përgjithësisht, 60 % të të gjithë fondit të orëve që i kemi patur më parë, na është mohuar dhe na mohohet ende edhe sot e kësaj dite, që ti mbajmë, si ligjeratat ashtu edhe ushtrimet”.
Në anën tjetër, duke pasur parasysh kontestin e krijuar nga akuzat e ndërsjellta, dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Riza Binishi, më 12 dhjetor të vitit të kaluar, i është drejtuar Katedrës së Pneumofiziologjisë me urdhëresë:
“Unë kam kërkuar që kjo të kthehet në gjendjen si ka qenë më parë, para kontestit, ashtu si i kanë mbajtur orët njëra dhe tjetra palë, t’i mbajnë edhe tani”.
Ndërkaq, Doc. Rexhepi, thotë se mjekësia interne përfshin edhe pulmologjinë, prandaj:
“Nuk mund të kuptoj që asistenti i Pneumofiziologjisë, mund të jetë i barabartë me asistentin e mjekësisë interne”.
Ass. dr. Vjollca Hadri, mjeke në Spitalin e Mushkërive, thotë se i ka kryer studimet postdiplomike nga pulmologjia dhe fiziologjia.
“Mbarimi i studimeve postdiplomike më ka hapur dyert që të mbaj ushtrime me studentë. Do të thotë, asistentët që punojnë me këto sëmundje edhe janë më të thirrur për arsye se kanë diplomën, kanë një letër që ju mundëson që këto ushtrime t’i mbajnë. Të mos flasim për përvojën apo traditën, këto ushtrime janë mbajtur gjithmonë në Klinikën e Sëmundjeve të Mushkrive deri në vitin e kaluar”.
Lidhur me kontestin e krijuar, sipas Doc. Rexhepit është debatuar në mbledhjen e Katedrës së Mjekësisë Interne më 18 dhe 22 dhjetor.
“Njëzëri të gjithë janë deklaruar se asistentët nga Pneumofiziologjia edhe më tutje, jo vetëm si rezultat i urdhëresës së dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, që të punohet si në periudhën dhe vitet e kaluara, por të punohet si gjithmonë”.
Megjithatë, Dr. Baca thotë:
“Po, jemi paguar dhe paguhemi ende. Rroga e asistentit është 147 euro dhe i kemi vendimet, vërtetimet për këtë e asnjë orë nuk e kemi mbajtur. Me këtë do të thotë se atakohet, gjegjësisht, dëmtohet edhe buxheti i Kosovës prej nga ne paguhemi, kurse nuk punojmë për shkak se ai nuk na lejon, thjesht, nuk na përfshin në orar”.
Ndërkaq, dekani Binishi thekson:
“Do të thotë, megjithë këtë urdhëresë që unë e kam dërguar, kam përshtypjern që ajo s'është respektuar. Atëherë do të shohim sipas raporteve që do t’i sjellin katedra, për orët e mbajtura të ligjeratave dhe ushtrime. Në rast se del që nuk është respektuar, atëherë unë me kompetencat e mia duhet t’ia paraqes rektoratit, senatit dhe bordit i cili vendos për atë, qoftë për katedrën, personin apo personat që kanë bërë thyerje dhe nuk e kanë respektuar vendimin e dekanit dhe janë masat e caktuara me statut të Universitetit të Prishtinës”.
Sidoqoftë, sipas Dr. Bacës, në Gjykatën Komunale të Prishtinës është protokoluar padia private ndaj Doc. Rexhepit, për diskriminim si dhe falsifikim të orarit të vjetër të mësimit, ndërkaq një padi penale i është dorëzuar edhe zyrës së prokurorit publik në gjykatën e qarkut.
XS
SM
MD
LG