Ndërlidhjet

REXHEPI : RIFILLIMI I BISEDIMEVE TEKNIKE VARET NGA SERBIA


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Me gjithë premtimet e mëhershme, plani për përmbushjen e standardeve nuk do të shpallet të martën më 13 janar, por diku gjatë muajit të ardhshëm, është konstatuar sot gjatë një takimi të shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovës, Harri Holkeri me kryeministrin Rexhepi dhe me kabinetin e tij qeveritar. Në këtë takim të parin në këtë vit është folur edhe për situatën energjetike në Kosovë për financimin dhe planin zhvillimor të TMK-së dhe për bisedimet teknike me Serbinë e Malin e Zi, lidhur me të cilën kryeministri Rexhepi tha se Kosova është e gatshme, por rifillimi i dialogut të nisur më 14 tetor në Vjenë varet nga situata në Serbi dhe nga gatishmëria e palës serbe. Mirëpo, kryeadministratori Holkeri në një komunikatë për shtyp ka thënë se dialogu është një nga standardet që duhet të përmbushet dhe nuk guxon ta pengojë rrugën tonë drejt përmbushjes së të gjitha standardeve.
Ndërkohë, sa i përket planit për përmbushjen e standardeve, kryeministri Rexhepi tha se arsyeja e vonesës për shpalljen e tyre është mospërgatitja e mjaftueshme e grupeve punuese:
"Takimi i dytë i përbashkët i të gjitha grupeve punuese të qeverisë dhe UNMIK-ut do të jetë më 13 të martën, mirëpo nuk mund të garantojmë se do të përgatitet draftplani i cili në fillim të shkurtit do të shkojë në Nju Jork, pra raportimi i PSSP-së dhe Grupit në Nju Jork dhe në Grupin e Kontaktit. Pra, pritet që brenda katër javësh të fillojë realizimi i standardeve"
Me këtë rast, por edhe në mbledhjen e rregullt të qeverisë së Kosovës, kryeministri Bajram Rexhepi ka ftuar përfaqësuesit e serbëve të Kosovës që të inkuadrohen në grupet punuese për implementimin e standardeve. Ai ka kërkuar gjithashtu nga disa anëtarë të qeverisë së tij, të cilët janë kandiduar dhe kanë fituar në zgjedhjet për parlamentin e Serbisë, që të përcaktohen nëse duan të jenë pjesë e përmbushjes së standardeve apo duan të jenë anëtarë të parlamentit të Serbisë.
Në këtë kuadër, qeveria e Kosovës ka diskutuar edhe për strukturat paralele, me ç’rast Ministri i Arsimit, Rexhep Osmani ka paraqitur një ekspoze të funksionimit të strukturave paralele, tha zëdhënësja e qeverisë, Mimoza Kusari:
"Ministri Osmani prezantoi të dhëna për punën e strukturave paralele arsimore që punojnë në Kosovë dhe u konstatua si i papranueshëm vazhdimi i punës së këtyre strukturave ashtu si edhe i të gjitha strukturave paralele në Kosovë".
Qeveria ndërkohë e ka quajtur ilegal veprimin e telefonisë mobile nga Serbia Mobtel, që tani mban emrin Mobikos dhe ka kërkuar nga zyra ligjore e UNMIK-ut të sqarojë nëse kjo kompani ndonjëherë ka marrë licencë për të operuar në Kosovë:
"Qeveria nuk mund të pajtohet me funksionimin e papenguar të këtij operatori në kundërshtim me dispozitat e ligjit mbi telekomunikacionin, pasi kështu dëmtohet buxheti i Kosovës dhe dekurajohen tenderuesit potencialë në lëminë e telekomunikacionit dhe krijohet një precendent tejet degradues për sundimin e ligjit në Kosovë."
Zëdhënësja Kusari tha se veprimtaria e cilitdo operator të palicencuar të telefonisë mobile në Kosovë është ilegale dhe si e tillë duhet të sanksionohet.


XS
SM
MD
LG