Ndërlidhjet

BOJKOTIMI I STANDARDEVE NGADALËSON, POR NUK NDAL PËRMBUSHJEN E TYRE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Mospjesëmarrja e serbëve në grupet punuese për implementimin e standardeve mund të ngadalësojë, por jo edhe ta pengojë në tërësi procesin e përmbushjes së standardeve, ndërkohë që bashkësia ndërkombëtare duhet të shpjegojë mekanizmat e identifikimit të atyre që pengojnë standardet dhe jo të ndëshkojë palën e interesuar për përmbushjen e tyre, kanë thënë sot analistë dhe zyrtarë të Kosovës, duke komentuar kushtëzimet e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës për të marrë pjesë në grupet e përbashkëta për implementimin e standardeve, të cilat çojnë drejt definimit të statusit përfundimtar të Kosovës.
Analisti Ylber Hysa, drejtor i Institutit kosovar për Inicitiva Civile tha se pasojat e refuzimit të serbëve do të jenë për të gjitha palët, por këtu është me rëndësi të shpjegohet mekanizmi që do të arbitrojë sjelljet e këtilla, që nuk duket të jenë paraparë në standarde:
"Në standarde duket se janë paraparë ndoshta vetëm shkopinjtë për kosovarët që nuk do të jenë zbatues të standardeve, ndërsa jo të atyre që bojkotojnë dhe kjo nuk është hera e parë që serbët kosovarë, ndonjëherë me të drejtë e shumë herë pa të drejtë janë përpjekur të krijojnë mekanizëm politik përmes bojkotit," tha zoti Hysa, duke shtuar se në këtë mënyrë edhe vetë serbët do të jenë humbës, pasi implementimi i standardeve do të jetë një jetë më e rregullt dhe më normale, nga e cila do të përfitojnë kryesisht serbët që jetojnë në kushte që edhe ata vetë thonë se nuk janë të mira.
Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar “Kthimi” në Kuvendin e Kosovës, Dragisha Kërstoviç thotë se serbët janë të vetëdijshëm se përmbushja e standardeve është edhe në interesin e tyre, mirëpo duan që gjërat lidhur me përmbushjen e standardeve të qartësohen, sipas tij:
"Ne kërkojmë që dokumenti për standardet të na sigurojë se standardet nuk janë rruga për Kosovën e pavarur. Pra, serbët duan të sigurohen për këtë, pasi nga kjo edhe frikësohen," tha Kërstoviç. Mirëpo, zyrtarët e UNMIK-ut që edhe dje janë përpjekur të bindin serbët që t’i bashkohen përmbushjes së standardeve, thonë se kushtëzimet vetëm sa dëmtojnë procesin:
"Kushtëzimet nuk ndihmojnë asnjëherë asnjë proces, mirëpo ne shpresojmë të ecim përpara dhe që serbët të na bashkohen," tha zëdhënësi i UNMIK-ut, Christian Lindmeier.
Mirëpo, zoti Hysa mendon se UNMIK-u duhet të rishqyrtojë mekanizmat e arbitrimit:
"Në këtë rast ata të cilët bojkotojnë standardet, vetë duhet t’i bartin pasojat dhe jo të tjerët që do të mund të pengohen nga motivet politike të një pale, e cila nuk dëshiron të jetë partner në procesin e implementimit të standardeve. Serbët kosovarë kanë thënë hapur se nuk duan të jenë partnerë në këtë proces, prandaj është meritore që t’u jepet një përgjigje."
Zoti Hysa mendon se edhe vetë kosovarët janë inkuadruar vonë në procesin e përmbushjes së standardeve, edhe jo me fajin e tyre, pasi bashkësia ndërkombëtare deri më ardhjen e zotit Grossman është vonuar të shpallë fillimin e procesit të përmbushjes dhe vlerësimit të standardeve. Prandaj, duke u angazhuar që t’u jepet serbëve edhe rasti tjetër, zoti Hysa thotë se institucionet e Kosovës i kanë ftuar disa herë serbët dhe arsyeja për refuzimin e tyre nuk duhet kërkuar këtu:
"Konsideroj që motivi për të vepruar ashtu siç ka vepruar “Kthimi”, më shumë duhet kërkuar tek ata apo te konsultat që i marrin vetë në Beograd. Konsideroj se Prishtina edhe një herë duhet të jetë e hapur ndaj “Kthimit”, por “Kthimi” është i moshës së pjekur prandaj përgjegjësinë e merr vetë."
Edhe Mimoza Kusari, zëdhënëse e kryeministrit Rexhepi thotë se qeveria vazhdon të ftojë serbët të përfshihen në këto grupe:
"Ende jemi në pritje të pajtimit apo mospajtimit për të marrë pjesë në grupet punuese dhe qeveria vazhdon t’u bëjë thirrje atyre, pasi përder sa komuniteti serb jeton në Kosovë, është mirë që të inkuadrohen, jo vetëm, por të gjithë në punën e implementimit të standardeve", ndërsa sa u përket pasojave, ajo thotë:
"Tani, kjo mund ta ngadalësojë, megjithatë kurrësesi nuk mund ta pengojë në tërësi apo ta ndalë procesin, pasi të gjithë në Kosovë jemi të përcaktuar të shkojmë përpara me këtë proces.
Edhe zoti Kërstoviç mendon se refuzimi i tyre ngadalëson procesin:
"Abstenimi i serbëve sigurisht se do ta ngadalësojë përmbushjen e standardeve, por mendoj se për më pak se një muaj, shumë gjëra do të ndryshojnë dhe të shohim se çfarë do të ndodhë dhe serbët mund të kenë qëndrim tjetër për këtë," tha Dragisha Kërstoviç.
Mirëpo, UNMIK-u vlerëson se refuzimi i serbëve tash për tash nuk mund të ndryshojë qasjen e UNMIk-ut ndaj përmbushjes së standardeve, tha Lindmeier:
"Refuzimi aktualisht nuk ndryshon asgjë për ne, pasi politika jonë është përfshirja e të gjithëve në proces dhe ne shpresojmë se do t’i bindim serbët që t’i bashkangjiten gjithë procesit," tha Christian Lindmeier, duke cituar shefin e tij Holkeri se dyert e UNMIK-ut janë të hapura dhe vendet janë të rezervuara edhe për serbët.
XS
SM
MD
LG