Ndërlidhjet

A KA PËRGJEGJËSI MORALE DHE LIGJORE PËR TRAGJEDITË?


Lutfi Dervishi, Tiranë Tragjedia e radhës në Shqipëri, ku të paktën 21 shqiptarë humbën jetën në një gomone që tentonte të largohej për në Itali, ka ringritur edhe njëherë çështjen e përgjegjësisë morale dhe ligjore të qeveritarëve shqiptarë dhe institucioneve përgjegjëse.

Në një vend normal, rastet e tilla, detyrimisht
shoqërohen me dorëheqje publike, me kërkim ndjese dhe
veprime të shpejta ligjore. Në rastin konkret nuk ka
as ndjesë publike dhe as dorëheqje. Përkundrazi. Në
një rast të paprecedent të fatkeqësive që ndodhin në
një vend, kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano ende
nuk është kthyer në krye të detyrës. Ai vazhdon prej
datës 30 dhjetor të vitit të kaluar të qëndrojë jashtë
shtetit. Pas pushimeve në Vjenë, kryeministri u kthye
vetëm dy orë në aeroportin e Rinasit dhe u nis drejt
Stambollit. Ai dërgon telegram ngushëllimi, por askush
nuk është në gjendje, përfshi edhe
zëvendëskryeministrin, të thotë se kur do të kthehet
kryetari i qeverisë në krye të detyrës. Askush nuk
është në gjendje të shpjegojë këtë qëndrim të
kryetarit të qeverisë.
Fatkeqësia më e fundit, nxorri zbuluar lidhjen e
krimit me segmente të policisë dhe politikës.
Arrestimet e para të disa zyrtarëve të policisë me
lidhje familjare me skafistët janë vetëm një reagim
ndaj shkaqeve. Akuzat e medias dhe opoziës se pas
skafistëve qëndrojnë njerëz që janë në pushtet u
vërtetuan katërcipërisht. Djegia simbolike e skafeve
dy vjet më parë nga kryeministri i vendit tregon se
nuk është ndalur zinxhiri i këtij trafiku kriminal.
Zhurma e operacionit “Puna” tashmë është shuar. Tri
vjet më pas rezulton se asnjë skafist nuk është në
dyert e drejtësisë.

Nuk është hera e parë që shqiptarët humbin jetën në det dhe nëse do të vazhdohet me këtë papërgjegjshmëri
qeverisje dhe nëse nuk nxirren mësimet nga tragjeditë
nuk ka asnjë garanci se e keqja nuk do të përsëritet
sërish. Në pranverën e vitit 1997, 84 shqiptarë humbën
jetën në Otranto. Në mentalitetin e përgjithshëm
ekzistonte mendimi se gjendja e vështirë në vend i
kishte detyruar të merrnin vendimin për tu larguar nga
Shqipëria. Ripërsëritja e kësaj tragjedie 7 vjet më
pas, tregon se pak gjëra kanë lëvizur për mirë.
Reagimet e para të politikanëve, por edhe të një pjese të
medias, të nisur nga fakti se viktimat janë nga zonat
e varfëra veriore të vendit, nxjerrin në pah varfërinë
dhe mungesën e lëvizjes së lirë të qytetarëve. Nuk
është varfëria që detyron të rinjtë, që ne mes të
dimrit të marrin rrezikun në sy, por është humbja e
shpresës për një ardhme në këtë vend.
Problemi i trafikut të klandestinëve nuk zgjidhet
vetëm me bllokimin fizik të skafeve, nuk zgjidhet as
me lehtësimin e regjimit të vizave për qytetarët
shqiptarë, por me politika zhvillimi dhe me
ringjalljen e besimit tek qytetarët. Por për fat të
keq largësia mes qeveritarëve dhe të qeverisurve sa
vjen dhe po rritet. Duke parë reagimin e qeverisë
shqiptare ndaj tragjedisë së radhës, nuk ka shumë vend
për optimizëm për të besuar në premtimet e
qeveritarëve. Kur askush nuk merr përgjegjësi në
momente të tilla, por tentohet të kalohet në
përgjithësime dhe justifikime, atëherë nuk ka asnjë
fije shprese për të rikthyer shpresën e vrarë.
Sot është dita që politika shqiptare dhe në veçanti
qeveria dhe strukturat shtetërore të analizojnë këtë
tragjedi dhe të nxjerrin mësimet dhe jo të luajnë
lojën e ping pongut të përgjegjësisë.
XS
SM
MD
LG