Ndërlidhjet

J. TOPALLI: SHTETI ËSHTË VETË MAFIA


Josefina TOPALLI, nënkryetare e Parlamentit të Shqipërisë

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni qenë oranë familjeve të viktimave. Si jeni ndier pranë tyre dhe çfarë keni konstatuar?

JOSEFINA TOPALLI
Pa folur për përmbajtjen e tragjedisë dhe për dhimbjen e tyre, ajo që më ka bërë përshtypje në ditën e parë kur familjarët nuk e dinin nëse të tyret ishin gjallë, ishin vdekur a po i vinte trupi apo s'po i vinte trupi, ajo që më ka bërë përshtypje në fytyrat e atyre burrave dhe familjarëve ka qenë një dinjitet i jashtëzakonshëm. Nuk i ndjeva asnjëherë duke u qarë, as duke thirrur, as duke bërtitur. Por me një qetësi ngrirjeje brenda tyre, kërkonin që kurrkush mos ua shihte një pikë loti dhe si dridheshin brenda trupit të tyre. Unë mendoj se kjo është një histori shumë makabër. Ka shumë dhimbje brenda dhe dhimbja është për t'u respektuar. Kur këtë dhimbje as nuk e respekton duhet të bësh një hap mbrapa.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas mendimit tuaj, cila është arsyeja që ende familjet shqiptare shkojnë me gomone? Kam parasysh sepse po përsëriten të njëjtat ngjarje të vitit 1997, por jemi tashmë në vitin 2004.

JOSEFINA TOPALLI
Po të keni parë familjet e atyre që kanë vdekur, e atyre që nuk u janë gjetur trupat ende, atëhere do ta kuptoni përgjigjen brenda asaj që mund të quhej shtëpia e tyre. Është vetëm një mjerim, një fukarallëk i tmerrshëm. Njeriu në jetë dy gjëra kërkon: familjen edhe punën. Ato që vdiqën, vdiqën për t;u bashkuar me familjen dhe për të kërkuar një punë që se gjetën asnjëherë.

RADIO EVROPA E LIRË
Opozita ka kërkuar gjithashtu edhe një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit Fatos Nano. A mendoni se do t'i keni votat të gjithë bashkë këtë radhë?

JOSEFINA TOPALLI
As që më shkon ndër mend se deputetët e anës tjetër do të votojnë kundër Fatos Nanos. Nuk mund të votojnë kundër Fatos Nanos ata, sepse nuk mund të votojnë kundër karriges së tyre dhe favoreve që marrin nga kjo karrige. Punë e madhe fort për ata që mbyten e ç'mbyten e nuk u gjendet trupi... Ne e kemi bërë këtë mocion në radhë të parë për një kartë morale, për t'i thënë shqiptarëve që kështu janë përfaqësuesit tuaj, por që në fakt nuk ju përfaqësojnë në shpirtin e tyre, sepse Vlora reagoi me një ndjeshmëri shumë të lartë, Elbasani reagoi, gjithë qytetarët e Tiranës reaguan, të gjithë shqiptarët e Tiranës reaguan. Të vetmit që nuk reagojnë që i shohin shqiptarët, janë ata që quhen parlamenti shqiptar. Por do jetë një moment për të sqaruar momentet e errëta, për të nxjerrë përgjegjësitë, dhe për t'i thënë të mjerëve që është dikush që flet edhe në emrin tuaj.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Topalli, gjithashtu kjo ngjarje tregoi edhe njëherë se policia është lidhur ngushtësisht me krimin dhe me persona të cilët trafikojnë njerëz apo lëndë të ndryshme narkotike. Sipas mendimit tuaj deri ku janë rrënjët e krimit në Shqipëri?

JOSEFINA TOPALLI
Deri tani është folur për lidhje të krimit me strukturat shtetërore. Në fakt unë nuk mendoj më se është kështu. Unë mendoj se vetë shteti është mafia. Në qoftë se familja e madhe mafioze Rrokaj që fillon me shefin e anti terrorit në Shkodër që ka mbledhur të gjithë këto të mjerë dhe vazhdon me pronarin e gomones përsëri me mbiemrin Rrokaj, drejtorin e portit që hapi dyert e portit Rrokaj, dhe me drejtorin e përgjithshëm të qarkullimit rrugor përsëri Rrokaj, që është vetëm një familje mafioze, mbi këtë familje mafioze ka familje shumë më të fuqishme të mafies që janë në shtet.

Intervistoi Alma Çupi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG