Ndërlidhjet

NUK ARRIHET PËRCAKTIMI I DATËS PËR FINALIZIMIN E PLANIT TË ZBATIMIT TË STANDARDEVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Dhjetë janë sfidat me të cilat do të përballet Kosova gjatë këtij viti, ndërkohë që në politikën kosovare është ende e pranishme e ashtuquajtura politikë e mëhallës, ku interesat partiake mbizotërojnë ato të përgjithshme dhe nuk arrihen të kuptohen interesat e bashkësisë ndërkombëtare, ka deklaruar në Prishtinë shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Harri Holkeri.
Sipas një komunikate për shtyp të zyrës së UNMIK-ut, zoti Holkeri i ka bërë këto koment në një pritje për Vitin e Ri për liderët politikë dhe për korin diplomatik në Kosovë. Me këtë rast ai ka thënë se sfidat e këtij viti janë finalizimi i planit implementues sa më shpejt që të jetë e mundur dhe përmbushja e standardeve për Kosovën, mbajtja e zgjedhjeve korrekte dhe të drejta parlamentare, ecja përpara në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e Malit të Zi, mundësimi i kthimit të sigurt dhe riintegrimit të të zhvendosurve, ecja përpara në procesin e privatizimit, vënia e një ekonomie efektive të tregut, sigurimi i sundimit të ligjit, promovimi i multietnicitetit në të gjitha nivelet, sigurimi i ambientit të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe vigjilenca përballë ekstremizmit dhe terrorizmit.
Ai sidoqoftë ka kritikuar politikën e këtushme se nuk sheh përtej horizontit për të kuptuar interesimet e bashkësisë ndërkombëtare dhe se vë interesat partiake mbi ato të përbashkëta. "Kosova nuk mund të mbetet vakuum. Ne jemi këtu për të ndihmuar dhe jo për të penguar. Do të mbetemi këtu deri sa ta përgatisim Kosovën për zgjidhjen e statusit të saj përfundimtar dhe do të shkojmë, por paraprakisht duhen përmbushur standardet," ka thënë zoti Holkeri, sipas të cilit mospërmbushja do të ketë pasoja afatgjata.
Sa u përket standardeve, sot janë mbajtur takimet e dyta të pesë grupeve të përbashkëta implementuese. Edhe pse janë vlerësuar të suksesshme, në to nuk është arritur të përcaktohet një datë për finalizimin e planit implementues për standardet. Koordinatori i UNMIK-ut për standardet Kan Ross tha se po punohet për planin punues të implementimit për t’i shndërruar standardet në realitet, mirëpo ka shumë punë dhe nuk pritet që plani të jetë i përfunduar brenda disa ditësh:
"Mendoj se pengesa më e madhe është se ka shumë punë dhe ne po e përshkruajmë punën e përbashkët të UNMIK-ut dhe të qeverisë së Kosovës gjatë vitit të ardhshëm, gjatë tetëmbëdhjetë muajve të ardhshëm, dhe më tej," tha zoti Ross, sipas të cilit bëhet fjalë për një dokument të detajuar, për të cilin nevojitet një punë shumë e rëndë për ta bërë këtë. Sidoqoftë, tha koordinatori i UNMIK-ut për standardet, kjo nuk është punë e lehtë, mirëpo as do të ndikojë për shtyrjen e procesit në përgjithësi: "E di se shumë njerëz kanë pritur që plani të jetë i gatshëm sot, edhe pse asnjëherë nuk e kemi thënë këtë, por kemi thënë se ai do të jetë i gatshëm në fillim të këtij viti dhe ende mendojmë se ky është qëllimi ynë. Nuk mendoj se kjo do të ndikojë në procesin e përgjithshëm politik të shqyrtimit dhe vlerësimit të standardeve," tha zoti Ross.
As në takimet e sotme të grupeve punuese nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, të cilët koordinatori i UNMIK-ut për standardet, Kann Ross i ka ftuar edhe një herë që të marrin pejsë në grupet punuese duke ua përkujtuar se edhe kryeministri Rexhepi, edhe kryeadministratori Holkeri u kanë thënë atyre që janë të mirëseardhur dhe se i kanë dyert e hapura:
"Ata i kanë shfaqur shqetësimet e tyre, që unë i kuptoj, mirëpo njëkohësisht unë mendoj se vendi më i mirë për ta që t’i shfaqin shqetësimet e tyre dhe për të reflektuar interesat e komunitetit të tyre është që të jenë në grupet e përbashkëta implementuese, së bashku me ne," tha zoti Ross.
Ky proces është miratuar dhe përkrahur nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Është proces shumë serioz për të ardhmen e Kosovës dhe për të gjitha komunitetet në Kosovë, ka vend për të gjitha komunitetet e Kosovës dhe ka nevojë që të gjitha komunitetet të jenë këtu.

XS
SM
MD
LG