Ndërlidhjet

MOORE: PRANIA AMERIKANE –THELBËSORE PËR STABILITETIN NË BALLKAN


Patrick Moore, Analisti i Evropës së Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, vizitën e parë shefi i NATO-s Jap De Hop Shefer e bëri në Bosnje dhe Kosovë. Çdo të thotë kjo për këto dy vende dhe rajonin?

PATRICK MOORE
Është një vizitë normale pune, që ja kërkojnë detyrimet e postit të ri, prandaj nuk mendoj se është e nevojshme të shihet si diçka e veçantë, e pazakontë apo me ndonjë kuptim të thellë. Ai po kryen thjesht raundin e parë të inspektimeve të dy zonave ku NATO ka misionin e saj.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarë të lartë francezë këtë javë kanë sinjalizuar mundësinë që forcat e NATO-s në Kosovë dhe Bosnje të përgjysmohen. Është thënë se kjo do të bëhet për shkak të përmirësimit të situatës. Por, rasti i Kosovës është specifik, sepse liderët shqiptarë aty kërkojnë reduktimin e rolit të UNMIK-ut dhe jo të NATO-s, veçanërisht jo të forcave amerikane. Si e shihni ju këtë çështje?

PATRICK MOORE
Së pari duhet të kemi parasysh se të gjitha këto vende janë nën një presion shumë të madh financiar sa i përket buxheteve të tyre. Disa nga vendet evropiane mund të flasin shumë lidhur me dhënien e kontributeve, lidhur me atë që mund të luajnë një rol më të madh në skenën botërore, por në realitet gjendja e ushtrisë së tyre nuk është gjithmonë e mirë. Këtu kam ndërmend Gjermaninë dhe në njëfarë mënyre edhe Francën. Por ajo që më duket interesante është fakti që personi i cili e bëri këtë deklaratë ishte Ministrja e Mbrojtjes franceze, e cila nuk njihet si një mike e madhe e Shteteve të Bashkuara. Mendoj se ajo është shumë në padurim, ashtu si disa pjesëtarë të tjerë në qeverinë e saj dhe në qeveri të tjera, për t'i larguar Shtetet e Bashkuara nga Evropa dhe të zëvendësojnë trupat e NATO-s me një ushtri evropiane. Personalisht mendoj se është thelbësore për stabilitetin në rajon ruajtja e pranisë amerikane. Mund të jetë pjesë e NATO-s ose siç është diskutuar për Bosnjen mund të jetë pjesë e një marrëveshjeje bilaterale mes Uashingtonit dhe Sarajevës, apo ndonjë ditë edhe mes Uashingtonit dhe Prishtinës. Gjithsesi çështja është se si do që ta quajmë natyrën e mandatit, por gjithashtu është e rëndësishme për stabilitetin në rajon prania e trupave ushtarake amerikane. Sa i përket Ministres së Mbrojtjes franceze dhe ambicjeve të saj për Ushtrinë e Bashkimit Evropian, disa nga këta njerëz në Paris, Berlin dhe gjetkë në Bruksel që flasin shumë, por nuk duket të kenë në duar mjetet për të realizuar ate që duan, më sjellin ndërmend një citat të Winston Churchillit kur shpjegonte politikën koloniale italiane të shekullit të kaluar në të cilin thoshte që "Italia ka një oreks shumë të madh, por dhëmbë tepër të dobët".

RADIO EVROPA E LIRË
"New York Times" këto ditë ka shkruar se administrata e tanishme e Shteteve të Bashkuara e preokupuar me Irakun dhe luftën kundër terrorizmit, ka harruar hapësirën e ish-Jugosllavisë. "New York Times" vë në pah se kjo mund të shkatërrojë përpjekjet që në Ballkan kanë bërë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët. A mendoni se egziston një rrezik i tillë?


PATRICK MOORE
Rreziku sigurisht egziton, keni absolutisht të drejtë. Lexova një artikull si në shtypin gjerman ashtu dhe amerikan nga Kolin Pauell, në të cilin ai hodhi poshtë faktin që Shtetet e Bashkuara ishin të preokupuara me Lindjen e Mesme dhe me luftën kundër terrorizmit në atë pikë sa do ishin të gatshme të injoronin interesat e tyre në fusha të tjera. Javën e kaluar pamë që presidenti Bush mori pjesë në Samitin e vendeve të kontinentit amerikan në Meksikë, para të cilit lansoi një iniciativë më të madhe të re, që trajtonte kryesisht emigracionin meksikan në Shtetet e Bashkuara. Gjithsesi personalisht nuk jam 100 % i bindur që Shtetet e Bashkuara nuk i kanë anashkaluar interesat e tyre në Ballkan dhe gjetkë, për shkak të përqëndrimit të tyre në Lindjen e Mesme. Këtë gjë e gjej si befasi, sepse kemi një qeveri shumë të gjerë me shumë ekspertë dhe shumë punonjës, kështu duhet të jetë e mundur që të bëhen shumë punë njëkohësisht. Fjala ime e fundit për këtë pyetje është kjo: të presim dhe të shohim se si do zhvillohen ngjarjet brenda 6 muajve të ardhshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, pse proceset demokratike në Ballkan po ecin shumë ngadalë?

PATRICK MOORE
..... Sa u përket institucioneve, ajo që kemi faktikisht janë isntitucione të vjetra të periudhës së komunizmit. Strukturat e vjetra thjesht kanë ndryshuar emrat e partive dhe vazhdojnë të jenë të përfshirë në politikë, vazhdojnë të jenë të përfshirë në jetën publike. Ata kanë një mënyrë të përcaktuar veprimi dhe mendimi. Nëse shohim Shqipërinë për shembull, është interesante të shikohet sa shumë njerëz që dominojnë politikën shqiptare sot kanë qenë ish anëtarë të Partisë së Punës të Shqipërisë, e cila siç dihet nuk ka qenë një shkollë demokracie. Nuk po them që kjo vlen për çdo individ, por ende vazhdon kjo tradita e një mënyre të caktuar të bërjes së gjërave. Një problem tjetër që shohim në vende si Serbia dhe Bosnja apo tjetërkund, është se së bashku me strukturat politike egzistojnë struktura të dyshimta biznesi që i kanë rrënjët në strukturat kriminale, me lidhje në polici dhe në ushtri. Këto janë probleme me rrënjë tepër të thella dhe nuk do të jetë e lehtë të bëhen këto ndryshime. Kjo është një arsye pse demokratizimi po lëviz ngadalë. Një arsye e dytë ka të bëjë me sjelljen e vetë qytetarëve..... Derisa mos të kemi presion nga poshtë, pra nga vetë qytetarët, kam frikë se demokracia do lëvizë ngadalë.

Intervistoi Melazim Koci

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG