Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

BAJRAM REXHEPI RIPËRSËRIT KËRKESËN PËR DORËHEQJEN E MARIE FUÇIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi dhe kryetari i Bashkimit të Sindikatës së Pavarur, Bahri Shabani kanë thënë se nëse dikush duhet të nxirret para gjyqit, ajo është pikërisht drejtoresha e menaxhmentit të AKM-së, Marie Fucci. Këto deklarata janë bërë pas publikimit të një letre të zonjës Fucci drejtuar shefit të shtyllës së katërt të UNMIK-ut Nikolaus Lambsdorf, me kërcënimin se nëse kryeministri Rexhepi dhe anëtarët vendorë të bordit të AKM-së vazhdojnë akuzat kundër saj për pengim të procesit të privatizimit, atëherë ajo do t’i padisë ata në një gjyq ndërkombëtar. Ndërkohë që zyrtarë të shtyllës katër të UNMIK-ut vetëm kanë konfirmuar se një letër e tillë i është dërguar zotit Lambsdorf, por nuk kanë pranuar të komentojnë lidhur me shqyrtimin e kësaj letre që është dërguar kah mesi i muajit dhjetor.
Kryeministri Rexhepi tha se nuk ishte fare i shqetësuar nga kërcënimet e zonjës Marie Fucci, shkarkimin e të cilës qeveria e Kosovës e ka kërkuar një muaj më parë, duke e bërë atë përgjegjëse për pengimin dhe bllokimin më se tremuajsh të procesit të privatizimit:
"Ajo është e saj, kërcënimi dhe sikur të mos ishte pengesë e procesit të privatizimit, atëherë ajo as që do ta kishte rastin të ishte në takim me mua, mirëpo për hir të privatizimit unë kam qenë në takime me të, por ajo mund ta bëjë punën e vet dhe mua kjo nuk më brengos fare," tha kryeministri Rexhepi, duke theksuar se është i vendosur në qëndrimet e tij lidhur me këtë çështje dhe në këmbënguljen për shkarkimin e Marie Fuccit. Qeveria e Kosovës që ka përfaqësuesit e saj në AKM, si dhe përfaqësuesit e sindikalistëve të Kosovës janë të mllefosur për shkak të bllokimit arbitrar të privatizimit dhe ndryshimit të politikave operacionale të privatizimit, duke mbivotuar vazhdimisht anëtarët vendorë të bordit të AKM-së.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Bahri Shabani, duke komentuar letrën e zonjës Fucci tha:
"Unë nuk e di se në çfarë baze ajo mund të na padisë në ndonjë gjyq ndërkombëtar, por nëse duhet vërtet, ne duhet ta padisim atë që tenton me çdo kusht që neve të na imponojë të respektojmë ligjet diskriminuese të dhjetëvjetëshit të kaluar. Kur udhëheqësi i atyre ligjeve diskriminuese paditet në Hagë, atëherë mendoj se zonja Fucci që i mbështet ato ligje, e ka vendin në Hagë dhe jo në Kosovë që ta udhëheqë privatizimin",tha zoti Shabani, duke e akuzuar zonjën Marie Fucci si pengesën kryesore për procesin e privatizimit në Kosovë:
"Zonja Fucci është duke kërkuar privatizim sipas ligjeve serbe, që të verifikohen të gjitha ndërmarrjet shoqërore nëse janë shndërruar në shoqëri aksionare sipas ligjeve serbe. Nëse NSH kanë pësuar ndryshime të tilla, kjo është bërë pas viti 1990 dhe në këtë mënyrë ajo do ta pengojë procesin e privatizimit dhe ëkshyu është edhe dke ndodhur. Nëse i lejohet Marie Fucci që të veprojë kështu, atëherë privatizimi nuk do të mund të bëhet as për dhjetë vjet," tha zoti Shabani, duke kërkuar që Marie Fucci të shkarkohet urgjentisht nga posti i drejtoreshës menaxhuese të AKM-së. Nëse kjo kërkesë dhe rifillimi i privatizimit e nënshkrimi i kontratave me blerësit e ndërmarrjeve nga dy raundet e para të privatizimit, nuk plotësohen deri më 26 shkurt të këtij viti, atëherë BSPK-ja do të organizojë protesta dhe greva të pandërprera, ka thënë zoti Shabani, ndërsa kryeminisri Rexhepi dje është kërcënuar se do të ngrijë raportet me AKM-në në rast të mosplotësimit të këtyre kërkesave, përfshirë edhe shkarkimin e zonjës Fucci.

XS
SM
MD
LG