Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

CH. EHRLICH: SHUMË KONTESTE PRONËSORE DO ZGJIDHEN NË 2005


Bekim Bislimi

Deri në fund të korrikut të vitit të kaluar, Drejtoria për Çështje Pronësore dhe Banesore në kuadër të administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ka marrë rreth 29 mijë kërkesa për rregullimin e kontesteve pronësore, thotë Charles Ehrlich, udhëheqës i procesit juridik në këtë drejtori.
“Kemi shqyrtuar dhe vendosur për gjysmën e tyre dhe mendoj që deri në fund të këtij viti do të zgjidhet shumica e tyre, ndërkaq kërkesat që janë më të komplikuara do të zgjidhen në vitin 2005 dhe po ashtu, në këtë vit do të bëhet edhe implementimi i vendimeve”, tha zoti Ehrlich. Ai shtoi se kjo drejtori ka të drejtën që të administrojë pronat e kontestuara dhe t’i shfrytëzojë ato për zgjidhjen e problemeve humanitare. Darinka Djelkiç me përkatësi serbe, nga fshatit Sazli i komunës së Ferizajt, e cila thotë se shtëpia i është djegur, ndërsa pasuria e patundshme i ishte uzurpuar, është vendosur në një banesë në të ashtuquajturin “Yu-program”, të cilën ia ka ofruar kjo drejtori, por:
“Jam në banesë të huaj dhe pronari më është kërcënuar se do të më largojë nga aty, ndërkaq unë nuk di se ku të shkoj”, thotë zonja Djelkiç. Ajo thotë se nuk kishte marrë ndonjë kompenzim për dëmin në pronën e saj.
Ndërkaq zoti Ehrlich thotë se nëse pala që e merr vendimin se i është pranuar kërkesa, gjegjësisht se është bartës i së drejtës së pronësisë, atëherë pronari i ka tri mundësi:
“Mundësia e parë është që ai të kërkojë nga ne që ta largojmë nga banesa uzurpatorin. Mundësia e dytë është që drejtoria jonë ta marrë pronën nën administrim dhe mundësia e tretë, që të kërkojë që rasti të mbyllet”, tha zoti Ehrlich, duke shtuar që mundësia e parë është më e shpeshta.
Në anën tjetër, blerësit e banesave të shumtën e rasteve kanë probleme me personat, të cilët i kanë uzurpuar ato, sepse këta të fundit ua kërkojnë një shumë të hollash në mënyrë që t’ua lirojnë banesën. Një qytetar i Prishtinës, i cili, siç tha ai, për çështje sigurie nuk dëshiron që t’i publikohet identiteti, tregon se si 3 vjet më parë e kishte blerë një banesë, pronari i së cilës ishte një serb:
“Banesën e kam blerë në qendër të qytetit, afër Hotelit “Grand” dhe së pari, personave të cilëve e kanë uzurpuar atë, është dashur t’ua paguaj një pjesë të të hollave. Në atë kohë i kam paguar 5 mijë marka. Pastaj kam kontaktuar me pronarin e banesës, prej të cilit e kam blerë banesën 60 mijë marka. Procedurën për blerje e ka rregulluar avokati, ndërkaq kjo procedura tjetër, ka shkuar kështu…në mënyrë të egër, kam paguar aq sa kanë kërkuar uzurpatorët dhe ashtu më është liruar banesa, përndryshe nuk ka pasur shans”.
Një qytetare e Prishtinës, me përkatësi etnike serbe, e cila po ashtu për shkaqe sigurie kërkoi të jetë anonime, tha se i ishin kërcënuar që të mos e shesë pronën e saj:
“Kam pasur rastin të takohem me fqinjin tonë të parë. Ai, në një mënyrë kërcënuese më tha se, kinse, askush nuk guxon të hyjë përveç tij në shtëpi. Unë i thashë se ai nuk është pronar i shtëpisë dhe se kam të drejtë që t’ia shes atij që dëshiroj. Nëse ai ka mundësi që ta paguaj aq sa vlen, atëherë mund të bisedoja me të, por nuk mundet askush që të më kërcënohet për pronën time”, tha serbja nga Prishtina.
Sidoqoftë, sipas rezultateve të hulumtimit që ka bërë Instituti për Demokratizim dhe Marrëdhënie Etnike në Prishtinë, thuhet se vitin e kaluar në Prishtinë, rreth 75 % të pasurive të patundshme të serbëve të Kosovës janë shitur dhe pronarët e tyre kanë marrë kompensimin material, sipas çmimeve të banesave, të cilat aktualisht paguhen rreth 700 deri 800 euro për një metër katror.




XS
SM
MD
LG