Ndërlidhjet

GRUPET PUNUESE - PUNË E MIRË NË STANDARDE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Grupet punuese kanë bërë një punë të mirë për përmbushjen e standardeve, ndërkohë që është për keqardhje mospjesëmarrja e vazhdueshme e serbëve në këto grupe, është thënë sot në një takim të drejtuesve të grupeve punuese me shefat e zyrave të Quintit në Prishtinë, ku merrnin pjesë edhe kryeadministratori Holkeri dhe kryeministri Rexhepi.
Ky i fundit tha pas takimit se ishte optimist që një plan i përmbushjes së standardeve të ishte i gatshëm në fillim të shkurtit, kur zoti Holkeri do të raportojë në KS:
"Mendoj se ishte takim shumë i suksesshëm. Vetë fakti se zgjati shkurt, ishte shenjë e mirë se ishte punar mirë në grupet punuese, përveç grupit për kthim ku nuk participojnë nga komuniteti serb, përndryshe kanë punuar mjaft mirë edhe vendorët edhe ndërkombëtarët dhe besoj se shumë shpejt do të mund ta paraqesin si një draft plan të përmbushjes së standardeve," tha kryeministri Rexhepi, sipas të cilit, ky plan më pas duhet ta marrë pëlqimin e KS dhe të grupit të Kontaktit.
Duke e vlerësuar takimin si jashtëzakonisht të mirë, shefi i zyrës britanike, Mark Dickinson shprehu keqardhje për mospjesëmarrjen e serbëve:
"Fatkeqësisht janë disa njerëz që kanë vendosur të mos marrin pjesë në proces, që është keq për ta dhe për jetën e njerëzve që ata përfaqësojnë," tha zoti Dickinson, sipas të cilit, çuarja e standardeve përpara është punë e të gjithëve:
"Ne do të kemi një plan të mirë dhe serioz të veprimit të mëtejshëm, që më pas do të jetë përgjegjësi e ne të gjithëve që ta çojmë përpara," tha zoti Dickinson, sipas të cilit ky plan njëkohësisht kryen dy punë, së pari të shqyrtohet përmbushja e standardeve deri në vitin 2005 që ka të bëjë me statusin dhe së dyti për të përmirësuar jetën e përditshme të njerëzve.
Mirëpo, ndërkohë duket se ende nuk ka një mekanizëm të definuar qartë për vlerësimin e përmbushjes së standareve. Kryeministri Rexhepi tha se kjo varet nga efikasiteti i institucioneve që bartin barrën e përmbushjes së standardeve të caktuara:
"Standardet për t’i matur, kanë shumë standarde që forma është plotësuar dhe janë të vendosura institucionet dhe varet sa janë efikase. Tash janë dy çështje a matet efikasiteti apo vendosja e strukturave, prandaj është shumë herët për të vlerësuar, por mendoj se më e vështira do të jetë kthimi që nuk varet vetëm nga ne si dhe pronësia dhe ekonomia që janë më të vështirat për momentin",
Kryeministri Rexhepi, po sot është takuar edhe me zotin Holkeri dhe zyrtarët e tij ligjorë për çështjen e drejtoreshës së bordit të AKM-së, Marie Fucci, me ç’rast ai ka përsëritur këmbënguljen për shkarkimin e saj:
"Pavarësisht se punëtorët e UNMIK-ut e kanë një lloj imuniteti, kurrkush nuk është i paprekshëm, ai që bën gabime, duhet të përgjigjet për gabimet e veta sepse kështu ruhet edhe kredibiliteti i UNMIK-ut. E kundërta e kësaj do të ishte humbja e respektit për UNMIK-un, nëse nuk ndërmarrin hapat që duhen ndërmarrë," tha kryeministri Rexhepi, sipas të cilit ngrirja e raporteve ka të bëjë vetëm me AKM-në dhe jo me UNMIK-un në përgjithësi.

XS
SM
MD
LG