Ndërlidhjet

MOORE:"MOSKA NUK KA HEQUR DORË NGA BALLKANI"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Rusia është e gatshme të marrë "pjesë më aktive në një zgjidhje të drejtë të problemit të Kosovës", ka deklaruar këtë javë Vladimir Putini. Do të thotë kjo që Rusia ende kërkon të ketë një rol aktiv në Ballkan?

PATRICK MOORE
Nuk mendoj se Rusia ende po kërkon të ketë një rol aktiv në Ballkan, mendoj që ajo e ka patur gjithmonë një rol të tillë dhe kurrë nuk e ka braktisur. Le t'i kthehemi vitit 1991 dhe 1992 kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë dhe lindi Federata e re Ruse. Në atë kohë ata kishin Ministër të Jashtëm Andrej Kozirevin, i cili nga këndvështrimi perëndimor ishte Ministri i Jashtëm më serioz që rusët kishin nxjerrë që nga Lufta e Parë Botërore. Kozirevi pavarësisht se ishte bashkëpunues brenda standardeve ruse, atëpbotë deklaroi se Ballkani ishte i vetmi rajon jashtë kufijve të Federatës, që Moska do ta konsiderojë gjithmonë si sferën legjitime të aktivitetit të saj. Rrjedhimisht, nuk ka asgjë të re në këto deklarata dhe situata nuk ka ndryshuar aspak edhe tani që ata kanë tërhequr trupat e tyre nga Kosova. Vazhdojnë të ketë trupa policore dhe personel në Kosovë dhe janë ende të pranishëm. Le të kujtojmë edhe diçka tjetër që mendoj se është çelsi i pranisë ruse në Ballkan dhe që ka të bëjë me anën ekonomike. Sipas informacioneve që kam, rusët janë shumë të angazhuar në blerjen e firmave serbe dhe duket që kanë mjaft interes në këtë fushë. Pra, mendoj se kjo udhëheqje e re ruse, që e dijmë se i ka rrënjët në ish KGB-në ruse dhe agjentët e saj, ka një qasje më të mbështetur në shtrirjen e influencës ruse sesa ish regjimi sovjetik. Ata po kërkojnë mënyra ekonomike për shtrirjen e pranisë së tyre ashtu si kanë bërë të gjitha fuqitë e mëdha në shekuj përmes agjentëve dhe formave të tjera të influencës.

RADIO EVROPA E LIRË
Vladimir Putini gjithashtu shprehu interes lidhur me "zhvillimet e ardhshme dhe forcimin e një komuniteti të ri shtetëror ( të Serbisë dhe Malit të Zi). Pse është e interesuar Rusia që të mbajë së bashku Serbinë dhe Malin e Zi?

PATRICK MOORE
Ende nuk e kam të qartë pse! Ndoshta janë të mendimit se një shtet më i madh është më i mirë dhe është më i lehtë ushtrimi i influencës në një union më të madh shtetesh, sesa në shtete të vogla. Kjo veçanërisht lidhet me Malin e Zi, ku pavarësisht se simpatizantët pro-rusë kanë qenë historikisht shumë të fuqishëm, udhëheqja aktuale e Malit të Zi qartësisht po anon nga Perëndimi, sidomos nga Italia dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian. Prandaj kjo mund të jetë një mënyrë për Rusinë që përmes një unioni të madh Serbi/Mali i Zi të mund të mbajë influencën e saj në Malin e Zi, të cilën ndryshe mund ta humbë. Por sinqerisht nuk e di me saktësi. Ajo që di është që ideologjia e Bashkimit Evropian dhe disa të tjerëve në komunitetin ndërkombëtar, përkon me qëndrimin se shteti Serbi Mali i Zi duhet të mbahet bashkë. Në këtë mënyrë mendoj se Rusia po u tregon njerëzve në Bruksel që mund të jetë partner i mirë dhe ky veprim nuk i kushton Rusisë asgjë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në një intervistë gjatë kësaj jave, ambasadori amerikan në Rusi Alexander Vershbow, theksoi çarjet në rritje në marrëdhëniet Moskë-Uashington, për të cilat analistët thonë se po ndodhin nën një trysni të madhe. Pse?

PATRICK MOORE
Ka shumë arsye për këtë. Ndër më të dukshmet është se që kur Vladimir Putin u bë president i Rusisë në vitin 2000, kemi parë se si gradualisht ka konsoliduar pushtetin e tij dhe ajo që kemi tani në Rusi është një sistem që as në mënyrë formale nuk i përngjan demokracisë dhe po kthehet në mënyrë të vazhdueshme në rrugët e vjetra të të qenit një shtet autoritar apo diktaturë autoritare. Duket se me konsolidimin e pushtetit në vend, Putin nuk ndihet më konfident në disa qasje jashtë Rusisë. Këtë e shohim në qëllimet e matura me Uashingtonin dhe kohëve të fundit në tensionet me Evropën dhe ky nuk do jetë fundi. Por cilat janë arsyet për këto qëndrime? Ka lidhje me diplomacinë e Putinit?
Po i referohem një shkrimi të ish presidentit Nikson rreth 25 vjet më parë. Niksoni konsiderohej si një ndër presidentët më ekspertë të Amerikës në Marrëdhëniet me Jashtë dhe ka shkruar një sërë librash në këtë fushë. Në një prej tyre ai shkroi se ndryshimet mes Uashingtonit dhe Moskës nuk janë rezultat i ideologjisë, nuk janë rezultat i moskomunikimit dhe moskuptimit mes udhëheqësve. Ato kanë të bëjnë me faktin se Rusia përfshin një hapësirë shumë të madhe territoriale. Shtetet e Bashkuara gjithashtu përfshijnë një hapësirë shumë të madhe territoriale, secila ka burime natyrore, interesa dhe qëllime, secila ka aleatët e vet dhe për shkak të realiteteve gjeopolitike. Rrjedhimisht, këto vende nuk do jenë kurrë miq shumë të mirë, por do ketë gjithmonë një masë rivaliteti, krahas fushave të bashkëpunimit. Si rrjedhojë mendoj se nëse shikojmë marrëdhëniet miqësore që kanë egzistuar në vitet e 90-ta, nuk duhet t'i shohim nën këndvështrimin se një mundësi e madhe humbi, por si diçka që ishte një përjashtim nga rregullat. Tani do të ketë një marrëdhënie mes Uashingtonit dhe Moskës që nuk do jetë Luftë e Ftohtë, por mendoj se të dy palët po tregohen mjaft realistë sa u përket interesave të tyre.

Intervistoi: Melazim Koci

XS
SM
MD
LG