Ndërlidhjet

HOLKERI ANULLON VENDIMIN PËR EMËRIMIN E ANËTARIT TË KRYESISË SË PAKICAVE JOSERBE NË KUVEND


Zijadin Gashi, Prishtinë

Shefi i administratës së Kombeve të Bashkuara, Harri Holkeri, nëpërmjet një letre drejtuar Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, e ka shpallur të pavlefshëm votimin mbi zgjedhjen e anëtarit të kryesisë së këtij Kuvendi nga rradhët e pakicave kombëtare joserbe. Ndërhyrja e Holkerit, ka pasuar pasi që është konstatuar shkelje kushtetuese, nga ana e Nexhat Dacit si drejtues i seancës plenare, i cili nuk e ka përfillur vendimin e grupit parlamentar të pakicave joserbe, tha një zëdhënës i UNMIK-ut, Christian Lindmayer. Sipas zëdhënësit të UNMIK-ut, vendimi i grupit parlamentar të pakicave joserbe në Kuvend, ishte që ai anëtar të jetë Xhezair Murati, dhe jo Zehra Elezi, siç është vendosur nga Kuvendi:
“Emërimi i këtij anëtari në Kuvend, ishte tërësisht në kundërshtim me Kornizën Kushtetuese dhe se Kuvendi me këtë rast nuk e ka marrë në konsideratë kandidaturën e Xhezair Muratit, për të cilin kishte pajtim nga radhët e deputetëve të pakicave tjera”, tha Lindmayer.
Duke iu përgjigjur letrës së Holkerit, kabineti i Dacit, përmes këshilltarit Ramush Tahiri, ka njoftuar se emërimi i anëtarit të kryesisë nga pakicat joserbe, do të rishqyrtohet sërish, javën e ardhshme, edhe pse sipas Tahirit, emërimi i Zehra Elezit, nuk ishte kundërkushtetues:
"Unë nuk e konsideroj lëshim kushtetues. Po ta bëjmë një precedent të tillë që krejt grupi të votojë, atëherë do të votojë edhe gjithë parlamenti, dhe ai nuk do të jetë reprezentues real i subjektit politik, që e krijon grupin politik. Thjesht, Korniza Kushtetuse nuk e ka paraparë gjendjen reale, e cila ka ndodhur dhe me të cilën po ballafaqohemi”, tha Tahiri.
Në anën tjetër, vendimi i Holkerit është përshëndetur nga anëtari i kryesisë, Hydajet Hyseni, i cili tha se Kuvendi me të vërtetë kësaj radhe ka bërë shkelje kushtetuese. Për dallim nga herët tjera kur Holkeri reagonte ndaj vendimeve të Kuvendit, kësaj radhe ai pati të drejtë, tha Hyseni:
“Është e drejtë ekskluzive e deputetëve të komuniteteve tjera që ata të përcaktojnë vetë përfaqësuesin e tyre dhe këtë të drejtë as nuk mund t’ua mohoj kush e as nuk duhet të provojë kush t’ua mohojë atyre. Kur e ka të drejtë përfaqësuesi special, ne vetëm i mirëpresim vërejtjet e tij’, tha deputeti Hyseni.
Kryesia e Kuvendit përbëhet prej tetë anëtarësh, nga dy vende i takojnë Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike dhe koalicionit serb “Kthimi”, dy vendet tjera ndërkaq i takojnë Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe pakicave kombëtare joserbe. Këto të fundit, që përbëhen prej komunitetit boshnjak, turk dhe romë e ashkali, përfaqësuesin e tyre në Kryesinë e Kuvendit e zgjedhin me sistem rotacioni, në bazë të një marrëveshjeje të arritur ndërmjet tyre që në fillim të krijimit të institucioneve të Kosovës. Në seancën e kaluar, Kuvendi me shumicë votash ka votuar për kandidaturën e zonjës Zehra Elezi, e cila është propozuar nga Numan Baliç nga koalicioni boshnjak “Vatan”, por që nuk është përkrahur nga pakicat joserbe.
Letra e zotit Holkeri e ka pasuar raportin vëzhgues që e ka dërguar Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Kosovë, e cila nëpërmjet përfaqësuesit të saj monitoron punën e Kuvendit dhe raporton mbi shkeljet eventuale brenda këtij institucioni.






XS
SM
MD
LG