Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

PAT POZICIONI SERB DHE KËTHIMI I PARTISË SË MILLOSHEVIQIT


New York Times (Nicholas Wood)


Njeriu që para tri vjetësh ka udhëhequr lëvizjen që rrëzoi pushtetin e Slobodan Milosheviqit në Serbi, ka thënë se do të mund të detyrohet që të shqyrtojë mundësinë e ndarjes së pushtetit pikërisht me Partinë Socialiste të ish diktatorit. Vojisllav Koshtunica, kryetar i Partisë Demokratike të Serbisë, ka thënë se bisedimet në këtë drejtim ende nuk kanë filluar. Por, vetë fakti se në kuadër të mundësive për krijimin e pushtetit qëndron edhe ajo e kthimit në pushtet të Partisë Socialiste dëshmon për bllokadën politike që mbretëron në Serbi. Një muaj më parë, zgjedhjet e përgjithshme atje përfunduan duke mos i dhënë asnjë partie kontrollin e plotë mbi Parlamentin dhe që prej atëherë politikanët e ndarë në Serbi janë duke luftuar për të krijuar qeverinë. Zoti Koshtunica, partia e të cilit u rradhit e dyta në këto zgjedhje, thotë se ai mund t’i bashkojë forcat me partinë e zotit Millosheviq për të mos e mistifikuar krijimin e qeverisë dhe për të shmangur shpalljen e zgjedhjeve të reja.
Mirëpo, fituesja më e madhe në zgjedhjet e fundit është Partia Radikale e Vojisllav Sheshelit, i cili, sikurse edhe zoti Millosheviq, gjendet në Hagë nën akuzat për krime kundër njerëzimit. Fitorja e tij ka alarmuar diplomatë të shumtë perëndimorë, të cilët rezultatet e zgjedhjeve të fundit i konsiderojnë si dëshmi të ringjalljes së nacionalizmit.
Grupet pro-reformiste të udhëhequra nga zoti Koshtunica shpresojnë të parandalojnë nacionalistët në formimin e qeverisë së re, por edhe vetë reformistët janë thellësisht të ndarë në mes vete. Këto ndarje u bënë edhe më evidente pas seancës së parë të Parlamentit serb, gjatë së cilës nuk u arrit të emërohet kryetari i këtij institucioni për shkak të mospajtimeve brenda bllokut reformist.
Zoti Koshtunica ka refuzuar të hyjë në koalicion me Partinë Demokratike, nën arsyetimin se kjo parti do të diskreditonte administratën e re, duke pasur parasyshë sondazhet që kanë treguar se zgjedhësit kanë votuar për nacionalistët në shenjë kundërshtimi me politikën e Partisë Demokratike në ekonomi dhe korrupsion. Por, përfshirja e Partisë Socialiste të Millosheviqit në koalicion gjithashtu do të jetë një zgjedhje jo më pak kundërthënëse. Megjithatë, zoti Koshtunica thotë se marrëveshja me socialistët do të mund të kishte përfitimet e veta për shkak të, siç ka thënë ai, aftësive administrative që i kanë socialistët e që nuk i kanë partitë opozitare.


XS
SM
MD
LG