Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

I. MEHMETI: SHQIPJA DO TË PËRDORET SI ËSHTË PËRCAKTUAR NË MARRËVESHJEN E OHRIT


Ixhet Mehmeti, Ministër i Drejtësisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti ministër në dikasterin tuaj përgatitet ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni. Çfarë përmban ky ligj?

IXHET MEHMETI
Definitivisht është e qartë se përdorimi i gjuhëve zyrtare pra asaj maqedone dhe asaj shqipe, duhet të rregullohet me ligj, i cili do të mbulojë në aspektin formal të gjitha sferat e përdorimit të gjuhës shqipe. Është interesi i Republikës së Maqedonisë që përdorimin e gjuhëve ta rregullojë deri në fund përmes ligjit të përdorimit të gjuhëve. Konform kësaj Ministria e Drejtësisë ka formuar një grup pune, i cili po punon për përgatitjen e këtij ligji dhe shpresoj se për disa muaj do të kemi edhe tekst konkret të ligjit në fjalë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili do të jetë vendi i gjuhës shqipe në këtë ligj?

IXHET MEHMETI
Vendi i gjuhës shqipe do të jetë ai, të cilin e caktoi Marrëveshja e Ohrit. Pra ai të cilin e ka kushtetuta e Republikës së Maqedonisë. Në bazë të kushtetutës në Republikën e Maqedonisë gjuhë zyrtare është gjuha maqedone, por gjithashtu është gjuhë zyrtare edhe gjuha e cila flitet nga etnia me mbi 20 % dhe ajo është gjuha shqipe.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë propozimet për përdorimin e gjuhës shqipe në organet egzekutive dhe administratën shtetërore?

IXHET MEHMETI
Po ashtu në amendamentin kushtetues thuhet se gjuha të cilën e flasin më tepër se 20% pra gjuha shqipe, do të jetë gjuhë e cila do të përdoret edhe në organet e pushtetit. Konform kësaj, në të gjitha organet e pushtetit do të normohet me këtë ligj përdorimi edhe i gjuhës shqipe.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka gjasa që t'i lihet mundësi përdorimit të gjuhës shqipe në polici dhe në ushtri?

IXHET MEHMETI
Në polici, kemi të bëjmë me organ ekzekutiv dhe ajo çështje do të rregullohet. Kurse sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe në ushtri, gjatë përpunimit të ligjit do të kihet kujdes edhe për këtë segment të shoqërisë.

Intervistoi Ivan Bllazhevski
XS
SM
MD
LG