Ndërlidhjet

REKA: KS DUHET TË NDËRHYJË QË BEOGRADI MOS MBAJË PENG SERBËT E KOSOVËS


Blerim Reka, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në UP

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Reka, bashkësia ndërkombëtare tashmë ka përcaktuar kohën për përmbushjen e standardeve. Por, sa do jetë e mundur përmbushja e tyre në kohë të caktuar, duke pasur parasysh përplasjet e herëpashershme në mes të administratës ndërkombëtare në Kosovë dhe qeverisë vendore, rasti i fundit është ai i privatizimit?

BLERIM REKA
Në këtë aspekt së paku janë dy limite që e pengojnë përmbushjen e standardeve në Kosovë. I pari është se UNMIK-u nuk e kontrollon dhe nuk e administron tërësisht territorin e Kosovës, por vetëm 75 për qind, sepse 25 për qind ende kontrollohet nga Beogradi dhe së dyti mosgadishmëria apo mosvullneti i qytetarëve të Kosovës të përkatësisë kombëtare serbe për t’u përfshirë në plotësimin e standardeve. Dhe shtrohet çështja jo vetëm e përplasjes në relacionin UNMIK- Qeveri e Kosovës, por para saj ekzistojnë këto dy limite, nga moszgjidhja e të cilave unë dyshoj se do të ketë përparim në realizimin e standardeve. Të jem më konkret, çka do të ndodhë nëse në 75 për qind të territorit qytetarët i plotësojnë standardet, ndërkaq qytetarët në 25 për qind të territorit të saj jo vetëm që nuk i përmbushin, por as i njohin, madje janë edhe kundër këtyre standardeve. Mbetet çështje e pazgjidhur e kujt është përgjegjësia, i kujt do të jetë faji, kujt do t’i dorëzohet fatura e fundit për (mos)përmbushjen e standardeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Kush do të duhej të ndikonte në këtë aspekt?

BLERIM REKA
Unë besoj se Këshilli i Sigurimit do të duhej përfundimisht t’i tërhiqte vërejtje Beogradit, që të mos i mbajë peng serbët e Kosovës për qëllimet e tyre politike, në mënyrë që ata të fillojnë të ndihen si qytetarë të barabartë të Kosovës në shtetin e ardhshëm të Kosovës dhe jo që të jenë çdoherë pengesë, apo ajo pjesë, e cila i bllokon proceset e demokratizimit dhe proceset e shtetformimit të Kosovës .

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, ka mospajtime në mes të administratës ndërkombëtare dhe qeverisë së Kosovës sa i përket edhe Kornizës Kushtetuese. Ju keni punuar në hartimin e saj. Sa do të pranohen propozimet e kosovarëve në ndryshimin e kësaj kornize?

BLERIM REKA
Ky grup i problemeve do të mund të quhej kushtimisht problem i mosbartjes suksesive dhe sistematike të kompetencave nga ndërkombëtarët te vendorët. Me këto kompetenca të reduktuara, kosovarët nuk do të mund t’i realizonin së paku qëllimet themelore që i ka në mandatin e vet Rezoluta 1244 e mbi të qëllimin kryesor, demokratizimin e shoqërisë kosovare. Me këtë tempo siç shkojnë punët me një mostranferim të plotë të kompetencave, madje ju e dini se në ditën e fundit të vitit të kaluar u tha se u bartën të gjitha kompetencat rreth 40 e sa kompetenca nga kreu i 5 i Kornizës Kushtetuese, që në fakt ato do të duhej të barteshin që në ditën kur u aprovua Korniza, e jo të pritej tre vjet. Unë konsideroj se është koha e fundit që Kombet e Bashkuara dhe UNMIK-u të kenë një qasje më fleksibile dhe në bazë të një realiteti të ri të fleksibilizojnë këtë bartje të kompetencave, që megjithatë edhe për një kohë do të mbetet pengesë për marrjen përgjegjësive nga institucionet e përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Pa bartjen e këtyrë përgjegjësive institucionet e Kosovës a do të jenë vetëm dekor në përmbushjen e standardeve?

BLERIM REKA
Do të jenë palë mjaft e hendikepuar në procesin e përmbushjes së standardeve. Shumë standarde nuk varen nga pala kosovare, por varen kryesisht nga vetë ndërkombëtarët.
Nëse do të mund të bëhej një paralele, unë fillimisht nuk konsideroj se me këto 8 strandarde do të kryhet i tërë procesi i standardizimit të një Kosove evropiane. Më tej do të vijnë standarde për anëtarësim në Këshillin e Evropës, pas statusit final në OSBE, në BE, në NATO. Mirëpo një çështje është shumë e diskutueshme, këto 8 standarde që janë përcaktuar nga Këshilli i Sigurimit për t’i plotësuar kosovarët, unë nuk jam i bindur se i plotësojnë së paku 2 anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Rusia dhe Kina. Së paku jo atë të sundimit të ligjit, të privatizimit etj. Është pak a shumë paradoksale se organi më i lartë botëror, i qeverisjes botërore, përcakton standarde për një territor postkonfliktual, që është standard shumë i lartë, ndërkaq që dy anëtarë të Këshillit të Sigurimit nuk i plotësojnë as vetë këto këto standarde.

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Reka gjysma e vitit 2005 është caktuar si kohë për vlerësimin e standardeve. Kush mendoni se duhet t’i caktojë mekanizmat për vlerësimin e standardeve?

BLERIM REKA
Pikërisht këtu qëndron problemi. Shumë bukur shkruan, caktohen programet, përcaktohen standardet, përcaktohen afatet e implementimit dhe përgjegjësitë, ndërkaq që mungon mekanizmi i evaluimit të këtyre standardeve. Tani do të formohet grupi i përbashkët miks për operacionalizimin e standardeve, por nuk jam i sigurt se a do të jetë ai edhe kompetent që t’i vlerësojë standardet, që do të thotë se në fund standardet do të vlerësohen sërish nga Këshilli i Sigurimit, respektivisht nga autoriteti i cili edhe i ka përcaktuar.

Intervistoi Albana Isufi


XS
SM
MD
LG