Ndërlidhjet

SADDAMI E KA BLERË MBËSHTETJEN POLITIKE ME NAFTË


CHARLES RECKNAGEL

E përditshmja irakiene 'Al-Mada' ka filluar të botohet vetëm para disa muajsh dhe është e panjohur jashtë Irakut. Por një artikull i botuar këtë javë shkaktoi furi politike në dhjetra vende.
Gazeta publikoi një listë kontratash të Organizatës Shtetërore të Naftës të Irakut, e cila rreth 270 personaliteteve dhe organizatave politike u kishte akorduar sasi të mëdha nafte të papërpunuar.
Dhuratat e miliona fuçive të naftës janë dhënë mes viteve 1999-2002, në kohën kur regjimi i Saddamit kërkonte mbështetje politike ndërkombëtare për t'i dhënë fund sanksioneve të Kombeve të Bashkuara dhe për t'iu kundërvënë kërcënimeve ushtarake amerikane.
Në listë gjenden emrat e liderëve dhe personaliteteve politike nga mbi 46 vende, zyrtarë të qeverive, ligjvënës, aktivistë politikë, figura me ndikim të biznesit dhe gazetarë. Shumica e vendeve janë në Lindjen e Mesme dhe Evropë.
Edhepse ka shumë paqartësi rreth burimit të informatës, publikimi i listës ka tërhequr vëmendjen e opinionit, ndërsa shumica e të apostrofuarve nuk vonuan të mohojnë se kishin pranuar diçka nga regjimi i Saddamit.
Njëri prej tyre është presidenti i Bullgarisë Georgi Parvanov, i cili akuzohet për 12 milionë fuçi naftë.
"Do të jem i prerë. Derisa isha kryetar i Partisë Socialiste, nuk kam marrë asnjë cent nga burimet e huaja. Finansimi i partisë ishta transparent dhe legjitim", tha Parvanov.
Në Francë, ish ministri i Brendshëm Charles Pasqua ka reaguar ngjashëm. "Nuk jam dhe kurrë nuk kam qenë mik i Saddam Husseinit", ka deklaruar Pasqua, i cili gjithashtu akuzohet se ka marrë rryshfet 12 milionë fuçi naftë.
Lista e përfshin edhe Benon Sevan, kreun e Programit Botëror për Ushqim, të cilit organizata menjëherë i doli zot.
Kryetari i Partisë Liberale të Bellorusisë Sergei Gajdukevich, akuzohet se ka marrë 6 milionë fuçi.
"Është nonsens. Partia jonë kurrë nuk bërë kontrata komerciale Nuk dij ç'të them, është e pamundur", deklaroi Gajdukevich.
E përditshmja irakiane 'Al-Mada' shkruan se edhe disa personalitete politike të Serbisë kanë marrë naftë si rryshfet në këmbim të mbështetjes politike për regjimin e Saddam Husseinit.
Mira Markoviq, kryetare e partisë e Majta e Bashkuar Jugosllave, akuzohet se ka marrë 9.5 milionë fuçi, ndërsa ish presidentët jugosllavë Sllobodan Millosheviq dhe Vojisllav Koshtunica akuzohen se kanë marrë nga 1 milion fuçi naftë.
Në vitin 2002 u raportua se Koshtunica dhe rrethi i tij kishin ditur dhe miratuar shitjen e dërgesave të armëve nga kompanitë serbe në Irak, akuza këto që Beogradi i mohoi.
Dhe, derisa në Bagdad, Këshilli Qeverisës i Irakut vendosi t'i hetojë akuzat, Ian Steel, zëdhënës i Programit Botëror për Ushqim, thotë se Këshilli i Sigurimit i ka lejuar regjimit të Saddamit që vetë të zgjedhë kujt do t'ia shesë naftën nën kushtet e caktuara.
"Korniza në të cilën zhvillohej programi, ishte një proces që mbikqyrej dhe vëzhgohej nga afër. Për gjithçka që doli jashtë kësaj kornize, programi nuk kishte mundësi të dijë", thotë Steele.
XS
SM
MD
LG