Ndërlidhjet

KUSH PO I KËRCËNON PROFESORËT UNIVERSITARË?


Albana Isufi, Prishtinë

E diela është afati i fundit që e ashtuquajtura “Lëvizja 2004” u ka dhënë mbi 30 profesorëve të Universitetit të Prishtinës për të dhënë dorëheqje. Përndryshe do të pasojë likuidimi fizik. Kërcënimet kanë arritur me anë të postës elektronike në adresë të disa dekanëve të fakulteteve. Njëri nga ta është edhe dekani i fakultetit të Mjekësisë, Riza Binishi, i cili thotë se në listën e të kërcënuarve gjenden 13 profesorë të këtij fakulteti.
“Ne kërcënimet i kemi marrë shumë seriozisht se përbërja e tyre është sa e papritur aq edhe fyese, dhe e rrezikon personelin tonë, 13 njerëzve që janë cekur në atë kërkesë,” thotë Binishi.
Zyrtarë të policisë ndërkombëtare në Kosovë thonë se janë në dijeni për këto kërcënime, por ende nuk është zbuluar se kush qëndron pas të ashtuquajturës “Lëvizja 2004”.
“Hetimet janë duke vazhduar nga Gjykata Rajonale për Krime të Rënda. Kërcënimet vijnë nga interneti dhe për momentin nuk mendoj se kanë gjetur ndonjë element se kush mund të qëndrojë pas këtyre kërcënimeve," thotë zëdhënësi i policisë rajonale në Prishtinë, Malcolm Ashbey. Ai thotë se deri tani nuk është ngritur ndonjë masë e sigurisë për profesorët e kërcënuar.
Ndërkohë, dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Riza Binishi, thotë se përveç profesorëve të kërcënuar, jeta iu është rrezikuar edhe familjeve të tyre.
“Për pikëpamjet tona është shumë e paarsyeshme, sepse familja, pasuria nuk kanë lidhje me kërcënimet, në të cilat kërkohet pushimi i tyre prej aktiviteteve në Fakultetin e Mjekësisë, lidhjen e marrëdhënies së punës dhe këtë ndërprerje e bën Rektorati dhe ne e kemi njoftuar Rektoratin”.
Ndërkohë Ministri i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Rexhep Osmani, thotë se askush nuk e ka njoftuar zyrtarisht lidhur me këto kërcënime.
“Ministria e Arsimit dhe unë si ministër nuk kam informacione lidhur me këtë. Ato i kam dëgjuar përmes shtypit dhe fjalëve, por zyrtarisht nuk kam ndonjë informatë, përvec dy letrave që m’i ka dhënë rektori dhe nuk kam informim për kërcënime tjera në fakultetet e tjera," tha Osmani.
Ministri Osmani thotë se kjo është çështje e policisë dhe se Ministria që ai e drejton nuk mund të bëjë asgjë për të zgjidhur këtë problem.
Arsyet e kërcënimeve të “Lëvizjes 2004” sipas zyrtarëve të policisë kanë të bëjnë me punën e profesorëve, me korrupsionin dhe me menaxhimin e dobët të Universitetit të Prishtinës.
Kërcënime kanë marrë edhe 14 profesorë të Fakultetit të Shkencave Matematiko- Natyrore dhe 6 profesorë të Fakultetit Juridik.
Policia ka marrë dëshmitë nga shumica e profesorëve të kërcënuar.




XS
SM
MD
LG