Ndërlidhjet

MOSZBATIMI I STANDARDEVE ZHAGIT STATUSIN E KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Draft-plani për plotësimin e standardeve do të jetë i gatshëm për t’iu prezantuar Këshillit të Sigurimit nga mesi i muajit shkurt, ka thënë sot, Kan Ross, koordinator për strategji në zyrën e shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Në një prezantim të përbashkët për gazetarë, Kan Ross dhe zyrtarë nga zyra e kryeministrit të Kosovës, thanë se puna më e madhe në hartimin e planit ka përfunduar, ndërsa si sfida të këtij procesi, ata veçuan mospjesëmarrjen e përfaqësuesve serbë në grupet punuese. Mirëpo, pavarësisht mospjesëmarrjes së tyre, tha zoti Ross, dyert për serbët e Kosovës mbeten të hapura dhe se sipas tij, ata mund t’i realizojnë kërkesat e tyre duke marrë pjesë dhe jo duke e bojkotuar procesin. Por sidoqoftë tha ai, puna në përmbushjen e standardeve do të vazhdojë me apo pa serbët:
“Ne nuk mund ta bëjmë më të qartë dhe as qeveria nuk mund të bëjë më shumë që të dëshmohet se ata janë të mirëseardhur të bashkangjiten në grupet punuese”, tha Ross, për të shtuar se nëse megjithatë serbët vendosin që të mos marrin pjesë, kjo nuk do ta ndalojë këtë proces, i cili duhet të shkojë përpara. Më pas, zoti Ross ka kritikuar dhe dy ministra të qeverisë së Kosovës, të cilëve ai nuk deshi t’ua përmendë emrat, për mosangazhim dhe mospjesëmarrje në grupet punuese. Përmbushja e standardeve, është e një rëndësie të posaçme për të ardhmen e Kosovës dhe se është për keqardhje që disa ministra kosovarë nuk e kanë kuptuar këtë, tha Ros.
Duke u përgjigjur në këto kritika, zëdhënësja e kryeministrit Mimoza Kusari, tha se kjo është e vërtetë, por se kryeministri po bën përpjekje që edhe këta ministra t’i bindë që të jenë më aktivë në këtë proces:
“Është e vërtetë, zoti Ros e thotë realitetin. Por megjithatë është angazhim i kryeministrit dhe i gjithë qeverisë që të paktën deri në masën sa mund të ndikojnë me gjithë forcën e tyre që të jetë një pjesëmarrje e plotë”, tha zëdhënësja Kusari. Ndërsa Kan Ross, ua përkujtoi ministrave kosovarë, se mospërmbushja e standardeve sipas afatit të paraparë deri në mesin e vitit 2005, do të nënkuptonte shtyrjen e procesit:
“Ne duhet të arrijmë përparim në përmbushjen e standardeve nëse duam të arrijmë dhe vendime pozitive gjatë vitit 2005, e nëse nuk e arrijmë këtë përparim kjo do të thotë se ky vendim do të shtyhet”, tha Ross. Ai tha se në të gjitha kontaktet që i ka pasur me instancat më të larta ndërkombëtare rreth standardeve, ekziston i njëjti qëndrim, sipas të cilit, nëse vlerësimi i standardeve nuk bëhet në 2005-ën, atëherë ky afat do të shtyhet, çka rrjedhimisht nënkupton dhe shtyrjen e definimit të statusit të Kosovës dhe vazhdimin e administrimit ndërkombëtar në Kosovë.







XS
SM
MD
LG