Ndërlidhjet

KOSOVARËT KËRKOJNË PARAQITJE NË KËSHILLIN E SIGURIMIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Liderët partiakë të Kosovës kanë ripërsëritur kërkesën e tyre që në raportimet e rregullta tremujore në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të marrë pjesë edhe një përfaqësues i Kosovës, është thënë sot pas një takimi të liderëve të tre partive kryesore politike të Kosovës me kryeadministratorin Holkeri, një javë para se ky i fundit të raportojë para Këshillit të Sigurimit për situatën aktuale në Kosovë.
Kolë Berisha, nënkryetar i LDK-së tha se kjo ishte kërkesa kryesore e liderëve kosovarë për zotin Holkeri:
"Ishte kërkesa unanime jona që do të duhej të merrte pjesë edhe një përfaqësues i institucioneve të Kosovës, bashkë me zotin Holkeri, ndonëse nuk dyshojmë për prezantimin e gjendjes reale në Kosovë, por megjithatë do të ishte mirë që Kosova të përfaqësohej edhe me një përfaqësues të institucioneve," tha zoti Kolë Berisha.
Mirëpo, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se zoti Holkeri nuk mund të jetë zëri i Kosovës:
"Mendimi im është se zoti Holkeri nuk është zëri i Kosovës dhe sidomos është një zë shumë i butë, nuk e prezanton progresin në Kosovë dhe kërkesat tona. Ne ndodhemi para dy kërkesave thelbësore dhe që kanë të bëjnë edhe me suksesin e përmbushjes së standardeve, ndryshimet kushtetuese dhe plotësimi i qeverisë, prandaj i kam kërkuar atij që t’i prezantojë këto kërkesave, tha zoti Haradinaj, sipas të cilit zoti Holkeri ka premtuar që në Këshillin e Sigurimit të prezantojë progresin e arritur dhe seriozitetin rreth implementimit të standardeve, ku sipas tij janë tejkaluar të gjitha vështirësitë, pos mospjesëmarjes së serbëve të Kosovës në grupet punuese. Lidhur me këtë çështje kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi u shpreh optimist se serbët do t’u bashkohen grupeve punuese dhe gjithë procesit dhe do të bëhet shpërndarja e strukturave paralele, ndërkohë që në të kundërtën ata vetëm mund ta ngadalësojnë procesin:
"Mund ta pengojë, por jo edhe ta bllokojë".
Zoti Thaçi tha se kishte kërkuar nga zoti Holkeri që të prezantohej edhe progresi i arritur jo vetëm në fushë të standardeve dhe të theksohej gatishmëria e institucioneve vendore për këtë:
"Vlerësoj se kryeadministratori do të prezantojë ashtu siç është gjendja në Kosovë, progresin e arritur shumëdimensional në Kosovë dhe do të tregojë botërisht se Prishtina është treguar mjaft e përgjegjshme në fillimin e realizimit të standardeve demokratike."
Zoti Kolë Berisha tha se Holkeri i kishte siguruar se do të raportonte për fillimin e operacionalizimit të standardeve:
"Për standardet është biseduar dhe raportin që ka përgatitur zoti Holkeri për Kombet e Bashkuara. Ne pajtohemi me të dhe me operacionalizimin e standardeve për Kosovën ", tha zoti Berisha, për të shtuar se një nga kërkesat e tij ishte që të shtoheshin përpjekjet për të zhbllokuar procesin e privatizimit që është ndërprerë pa arsye.
Deri më tash UNMIK-u nuk ka bërë ndonjë koment lidhur me kërkesat e liderëve partiakë të Kosovës, përveç arsyetimit disa herë të përsëritur se është Këshilli i Sigurimit ai që vendos se kush do të ftohet në mbledhjet e rregullta, ku Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm prezanton raportet tremujore.




XS
SM
MD
LG