Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

B. REXHEPI: “MISIONI I KB PENGON ARRITJEN E PËRPARIMEVE NË KOSOVË”


Washington Times

Administrata e Kombeve të Bashkuara është duke i dëmtuar mundësitë në Kosovë për të tërhequr investimet e huaja, përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe për të aprovuar reformat e domosdoshme ekonomike. Këto janë vlerësimet e kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi, të publikuara në numrin e sotëm të së përditshmes amerikane Washington Times. Zoti Rexhepi, i cili aktualisht gjendet në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në manifestimin tradicional të Lutjes së Mëngjesit, do të takohet me Sekretarin amerikan të Shtetit, Colin Powell dhe nënsekretarin e tij për çështje politike, Marc Grossman. Zoti Rexhepi citohet të ketë thënë se shqiptarët e Kosovës mbesin jashtëzakonisht të përkushtuar që të pavarësohen nga Serbia dhe Mali i Zi, por një numër i vendeve anëtare të aleancës veriatlantike, veçanërisht ato evropiane, kanë shprehur dyshimin e tyre se pavarësia do të mund të krijonte një jostabilitet të ri politik dhe të rrisë tensionet ndëretnike në Ballkan, ku situata vazhdon të mbetet e brishtë. Kryeministri i Kosovës ka nënvizuar gjithashtu se angazhimi i Shteteve të Bashkuara në Kosovë është i rëndësisë thelbësore, për faktin se fuqitë evropiane nuk posedojnë aftësi ushtarake për të përmbushur misionin në ruajtjen e një ambienti të sigurtë. Roli i Shteteve të Bashkuara në të ardhmen politike dhe ushtarake të Kosovës, sipas zotit Rexhepi, do të ishte simbol jetësor për të krijuar një ndjenjë sigurie tek kosovarët dhe për të parandaluar fqinjët, si Serbia, në përpjekjet për të zvarritur dhe penguar diskutimet mbi statusin përfundimtar të Kosovës. “Kosova mbase është një pjesë e Evropës ku amerikanët janë më të popullarizuarit”, ka thënë zoti Rexhepi, duke shprehur bindjen e tij se roli i Shteteve të Bashkuara në aspektin e sigurisë në Kosovë do të jetë jo më pak se dhjetë vjet. Ai sërish ka përshëndetur angazhimin e Grupit të Kontaktit që përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Italia, Gjermania, Franca dhe Rusia, për të vlerësuar nga mesi i vitit 2005 përparimet e arritura nëpërmjet tetë standardeve në rrafshin politik, ligjor dhe social. Për zotin Rexhepi, kjo do të jetë rruga që do të hapë mundësitë për fillimin e bisedimeve mbi statusin përfundimtar të Kosovës. Zoti Grossman, nënsekretari amerikan i shtetit, gjatë një turneu në Ballkan në nëntor të vitit të kaluar, ka nënvizuar se vlerësimi i përmbushjes së standardeve nuk nënkupton në mënyrë automatike përkrahjen për pavarësinë e Kosovës, por zoti Rexhepi është i mendimit se kjo iniciativë e administratës amerikane në Kosovë është kuptuar si shenjë e ripërqëndrimit të vëmendjes së Shteteve të Bashkuara mbi çështjen e Kosovës.


XS
SM
MD
LG