Ndërlidhjet

T. ARIFI: PËRFAQËSIMI DIPLOMATIK DUHET TË PËRFAQËSOJË PËRBËRJEN ETNIKE NË MAQEDONI


Teuta Arifi, Kryetare e Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë, Maqedoni

RADIO EVROPA E LIRË
Sa është në interes rajonal përfshirja e shqiptarëve në proceset integruese evropiane në tërë rajonin e Ballkanit?

TEUTA ARIFI
Përfshirja e tyre në proceset integruese i ndihmon procesit të stabilizimit të rajonit. Shqiptarët në rajon gjithnjë e më tepër janë të orientuar politikisht drejt proceseve të reja dhe ideve politike, të cilat lidhen me proceset e integrimit. Në fakt integrimi i rajonit në Evropë nënkupton edhe një zgjidhje të asaj që quhet çështje shqiptare në rajon. Debati për Evropën eleminon në një mënyrë debatin mbi kufijtë, që ka qenë një problem jashtëzakonisht shumë i madh ballkanik. Relativizimi i kufijve, evropianizimi i kufijve, konceptet evropiane dhe vlerat evropiane, janë ardhmëria e shqiptarëve në rajon.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa jeni të kënaqur nga përfshirja e shqiptarëve në rrjetin diplomatik të Maqedonisë?

TEUTA ARIFI
Konsiderojmë se ndarja e ambasadorëve në të kaluarën nuk është bërë në mënyrë proporcionale sa i përket peshës së ambasadave. Në këtë mënyrë në të kaluarën shqiptarët kanë patur dhe kanë akoma ambasadorë, mirëpo nuk kanë prë shembull në të gjitha ato vende, të cilat kanë peshë të rëndësishme, si për shembull ambasadat multilaterale, ambasadat strategjike që ndërlidhin boshtin Uashington- Moskë- Pekin, për arsye se ne konsiderojmë se edhe diplomacia duhet të reflektojë përbërjen etnike në Maqedoni.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e komentoni ligjin e ri për punë të jashtme?

TEUTA ARIFI
Po është në fazën e përgatitjes sa kam informacion. Duhet të dalë në qeveri dhe pastaj të paraqitet në parlament. Gjithsesi kishte nevojë për një ligj për punët e jashtme. Ne mendojmë se duhet të strukturohet puna e punëve të jashtme dhe të ndërtohet një balancë e kompetencave ndërmjet pushtetit ekzekutiv, presidentit dhe njëkohësisht pushtetit parlamentar në drejtim të përfaqësimit sa më të mirë të interesave në politikën e jashtme. Ideja jonë është që të ketë sa më shumë transparencë, ligji të mundësojë sa më tepër transparencë në punët e diplomacisë, sa më tepër mundësi për ndjekje apo kontroll parlamentar, nëse mund të themi ashtu, mbi punën e diplomacisë, sepse ne mendojmë se diplomacia duhet të jetë transparente, e dukshme dhe gjithmonë e hapur për pyetjet e ndryshme që kanë të zgjedhurit e qytetarëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë ambasadat që akoma nuk kanë përfaqësues diplomatik nga vendi dhe cilat janë propozimet e BDI-së se si duhet të plotësohen këto poste të zbrazëta?

TEUTA ARIFI
Ka më shumë ambasada të cilat nuk kanë përfaqësues diplomatik, për shembull ambasada në Moskë dhe disa ambasada të tjera. Mirëpo parimi i BDI-së nuk është parimi vetëm i plotësimit të vendeve bosh, por për të ndërtuar një parim të ri të ndarjes së vendeve të ambasadorëve që kupton prezencë të shqiptarëve, jo vetëm të Bashkimit Demokratik për Integrim, por të shqiptarëve, në pozicionet e ambasadorëve në fqinjësinë e parë, në fqinjësinë e dytë, në Evropën perëndimore, në ambasadat multilaterale dhe strategjike. Ky është parimi mbi të cilin ne i zhvillojmë bisedimet me partnerin e koalicionit.

Intervistoi Ivan Bllazhevski


XS
SM
MD
LG