Ndërlidhjet

HOLKERI: DO TË RIFILLOJMË DIALOGUN DHE PROCESIN E PRIVATIZIMIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë e ka vlerësuar pozitivisht sesionin e sotëm në Këshillin e Sigurimit për Kosovën. Në një bisedë telefonike nga Nju Jorku, Holkeri u tha disa mediave të zgjedhura ndërkombëtare dhe vendore në Prishtinë, se Këshilli i Sigurimit e çmon punën e përbashkët të UNMIK-ut dhe institucioneve të Kosovës në përmbushjen e standardeve dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë. Holkeri premtoi se nga java e ardhshme kur ai do të kthehet në Prishtinë, do t’i fillojë dy çështje të prioritetit të lartë, përgatitjet për dialogun e drejpërdrejt Prishtinë – Beograd për këtë muaj dhe ristartimin e procesit të privatizimit:
“Javën tjetër kur do të kthehem në Prishtinë unë do t’i zhvilloj të gjitha kontaktet e domosdoshme me institucionet e përkohshme të Kosovës dhe me Beogradin për t’i filluar bisedimet e drejpërdrejta”, tha Holkeri. Në këto bisedime, ai tha se do të trajtohen jo vetëm çështjet që janë përmendur deri më tani, siç janë kthimi i të zhvendosurve, çështja e personave të zhdukur, energjetika dhe transporti, por edhe eleminimi i strukturave paralele të Serbisë nga Kosova. Dialogu është rast i mirë që Beogradi të heqë dorë nga vazhdimi i strukturave paralele në Kosovë, tha Holkeri. Sidoqoftë, ai tha se për t’i filluar këto bisedime gjatë këtij muaji, do të duhet patjetër që të dy palët të pajtohen për këtë.
Ndërsa duke e quajtur të prioritetit të lartë dhe vazhdimin e procesit të privatizimit, Holkeri tha se me t'u kthyer në Prishtinë, ai do të kërkojë zbatimin e disa politikave të reja operacionale që sipas tij do ta mundësojnë vazhdimin e këtij procesi. Por, paraprakisht, pohoi ai, do të nevojiten dhe disa takime me zyrën ligjore si dhe Agjensionin Kosovar të Mirëbesimit dhe institucionet e përkohshme.
Duke potencuar se Këshilli i Sigurimit po i jep mbështetje Kosovës në përmbushjen e standardeve, Holkeri kërkoi nga disa politikanë kosovarë që edhe ata t’i përkrahin këto standarde. Nuk dua t’i përmend me emra, por ata e dinë se kë kam ndërmend, tha Holkeri, ndërsa lavdëroi punën e presidentit dhe kryeministrit për angazhimet e tyre në plotësimin e standardeve:
“Vendimi i Këshillit të Sigurimit është se, nëse vlerësimi i standardeve do të jetë pozitiv, atëherë mund të fillohet procesi i definimit të statusit të ardhshëm të Kosovës”, tha Holkeri, duke e arsyetur kërkesën e tij për disa liderë kosovarë që të aktivizohen dhe të punojnë që këto standarde të plotësohen deri në mesin e vitit 2005.

XS
SM
MD
LG