Ndërlidhjet

G.POLLO: NDRYSHIMET DUHET TË BËHEN PËRMES ZGJEDHJEVE


Genc Pollo, kryetar i Partisë Demokrate të Re

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Pollo, cili është komenti juaj si kryetar i Partisë Demokrate të Re për zhvillimet e fundit, ku shumë qytete të Shqipërisë janë përfshirë nga protesta qytetare për kërkesa ekonomike?

GENC POLLO
Mendoj se është një situatë që kërkon zgjidhje politike dhe me qeverinë aktuale është e vështirë të besojmë që këto zgjidhje mund të ofrohen. Kjo për arsye se edhe mbas mbylljes së problemeve të brendshme dhe sigurimit të maxhorancës në parti dhe në kuvend, në parlament, kryeministri dhe qeveria, praktikisht masat e dukshme që u morën, për mendimin tim kanë qenë abuzive. Kanë qenë rritje çmimesh të pajustifikuara nga ekonomia e tregut, akte dukshëm korruptive dhe nuk kanë munguar as neglizhenca dhe veprimet arrogante, siç u duk në rastin e tragjedisë së Karaburunit. Pra Partia Socialiste jo vetëm në vitin e fundit apo në dy muajt e fundit, por në përgjithësi gjatë gjithë kohës që ka qenë në pushtet, dhe kjo kohë është 7 vjet, i ka shterur idetë, energjitë, resurset njerëzore dhe çdo lloj resursi tjetër që të bëjë reforma reale.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush çfarë duhet të bëhet që të sjellë ndryshime ndaj kësaj situate të krijuar?

GENC POLLO
Ne si parti opozitare theksin e kemi vënë tek ndërtimi i alternativave në mënyrë që tranzicioni, rotacioni i pushtetit, të bëhet jo thjesht mbi bazën e largimit të "horrit maskara" dhe të qeverisë së keqe, por edhe mbi besimin se diçka më e mirë do të realizohet me qeverinë pasardhëse. Jemi për zgjedhje të parakohshme pasi të korrigjohen të gjitha mangësitë serioze të sistemit zgjedhor, të cilat u vunë re edhe në tetor të vitit të kaluar. Në fund të fundit duhet që ndryshimet në Shqipëri të bëhen nëpërmjet zgjedhjeve dhe këto zgjedhje do ishte mirë të mbaheshin, mendoj, në vjeshtë të këtij viti.

RADIO EVROPA E LIRË
Jemi në një situatë të tillë politike, ku partitë opozitare po përpiqen të gjejnë një gjuhë të përbashkët, ndërsa nga ana tjetër kemi partitë mbështetëse të qeverisë. Partia Demokrate e Re me një program opozitar e cila nuk ju bashkangjit tryezës së partive opozitare, ku do të pozicionohet?

GENC POLLO
Mendoj se spostimi i temës se kush është në tryezat e partive dhe kush do vijë në miting është dëmtues lidhur me thelbin e protestës, i cili funksiononte në mënyrë normale për largimin e qeverisë dhe largimin e kryeministrit, por nuk duhet të largohej nga esenca e cila është protesta ekonomike, keq-qeverisja, rritja abuzive e çmimeve, egzistenca e monopoleve, mosndërhyrja e shtetit ndaj tyre. Këto janë elementi i vërtetë. Nuk bëhet fjalë thjesht për një këmbim të thjeshtë politik me një situatë revolucionare, sepse situata revolucionare në një farë mase kanalizon çdo pushtet që vjen, i cili mund të largohet gjithashtu me një situatë revolucionare. Unë shpresoj që në Shqipëri të arrijmë standartet normale të zgjedhjeve dhe rotacioni i pushtetit të kryhet nëpërmjet kutisë së votimit. Praktikisht unë mendoj se ajo ishte një mbledhje e Bashkimit për Fitore, një aleancë që ka egzistuar pa PDr-në, vazhdon të jetë pa PDr-në. Ne jemi me qëndrimet tona edhe duke bërë protesta. Në fakt protestat për dritat dhe ujin PDr-ja i ka inicuar para një viti e gjysëm në Durrës dhe në Tiranë në qoftë se ju kujtohet, por ne i mëshojmë edhe mënyrës se si zgjidhet çështja e dritave dhe ujit.

RADIO EVROPA E LIRË
Në tryezën e fundit të partive opozitare merrte pjesë sekretari i përgjithshëm i partisë suaj. Ndërkohë ju keni deklaruar se nuk do të merrni pjesë në atë tryezë. Si e komentoni pjesëmarrjen e tij?

GENC POLLO
Këto lidhen me përpjekjet që Berisha si person i ka bërë gjithandej për të shkëputur elementë të ndryshëm, të dobët, jo reprezentativ dhe për të paraqitur të gjitha subjektet, të cilat kanë autonominë e tyre, si të përçarë dhe të dëmtuar. Mendoj se kjo nuk e dëmton dhe aq shumë PDr-në, por kjo dëmton kredibilitetin e Berishës dhe mënyrën si i mbledh ai faktorët opozitarë.

Intervistoi Alma Çupi




XS
SM
MD
LG