Ndërlidhjet

BISEDIMET TEKNIKE-NË FUND TË SHKURTIT OSE FILLIM TË MARSIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Dialogu teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e Malit të Zi do të rifillojë në javën e fundit të shkurtit apo në fillim të marsit, kanë vendosur sot kryeadministratori i Kosovës, Harri Holkeri dhe shefi i Qendrës Koordinuese të Serbisë për Kosovën Nebojsha Çoviç, të cilët janë takuar sot në Prishtinë. Përderi sa Çoviç nuk ka folur para gazetarëve, në një kumtesë për shtyp të UNMIK-ut thuhet se është arritur pajtueshmëria për vazhdimin e dialogut teknik:
"Në takimin ndërmjet kryeadministratorit Holkeri dhe zëvendëskryeministrit të Serbisë, Nebojsha Çoviç është arritur pajtueshmëria që bisedimet e drejtpërdrejta ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të mbahen në javën e fundit të shkurtit ose në javën e parë të marsit", tha zëdhënësi i UNMIK-ut Sunil Narula.
Në një komunikatë të lëshuar nga UNMIK-u pas këtij takimi thuhet se zoti Holkeri i ka thënë përfaqësuesit të Serbisë se ekziston një interesim i vazhdueshëm bashkësisë ndërkombëtare për të vazhduar dialogun. Ai ka thënë se gjatë udhëtimeve në Nju Jork dhe Uashington i është theksuar nevoja urgjente për formimin e grupeve punuese për dialogun.
Sipas zëdhënësit Narula, zoti Holkeri ka thënë se është arritur gjithashtu pajtueshmëria që delegacioni i Kosovës në këto bisedime të jetë multietnik, por koalicioni i serbëve Kthimi nuk i ka dhënë ende emrat e përfaqësuesve të tij në grupet punuese, edhe pse ka shfaqur shpresën se emrat do të jepen të mërkurën siç edhe ka premtuar shefi i këtij koalicioni Dragisha Kërstoviç.
Ndërkohë, në këtë takim është folur edhe për përfshirjen e serbëve në grupet punuese për përmbushjen e standardeve:
"Zoti Holkeri ka rikonfirmuar se janë të pabaza shqetësimet e serbëve se përmbushja e standardeve e minon rezolutën 1244 dhe prejudikon statusin përfundimtar të Kosovës," tha zoti Narula.
Sipas një kumtese për shtyp të UNMIK-ut, zoti Holkeri është pajtuar me sugjerimet e Nebojsha Çoviçit për të mbajtur një takim të Grupit të Lartë Punues në mars të këtij viti, mirëpo ende nuk është caktuar koha dhe vendi i mbajtjes së një takimi të tillë.
XS
SM
MD
LG