Ndërlidhjet

E. HOXHAJ: QKS KA NDJEKUR POLITIKË KONFLIKTUALE


Enver Hoxhaj, analist

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hoxhaj, këto ditë shefi i administratës së UNMIK-ut po bën përpjekje që t'i ulë sërisht në tavolinën e bisedimeve Prishtinën dhe Beogradin. Fillimisht çfarë prisni ju nga ky dialog?

ENVER HOXHAJ
Mendoj që këto bisedime duhet të nënkuptohen si përmbushje e standardit të shtatë, i cili është i paraparë që të ketë një dialog mes Prishtinës dhe Beogradit dhe ky standard parasheh që Prishtina dhe Beogradi të fokusohen dhe të merren vetëm me çështje praktike. Kështu që për Prishtinën zyrtare është mëse e rëndësishme që ta mbështesë këtë proces politik dhe mëse e rëndësishme që të përmbushë të gjitha ato detyrat që kërkohen nga ndërkombëtarët.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë janë paraqitur dhe disa çështje të tjera kontestuese për fillimin e këtij dialogu, pasi Beogradi i ofron qeverisë së Kosovës, partner për bisedime Qendrën Koordinuese. Prandaj sa mund të jetë kjo çështje pengesë për fillimin e bisedimeve teknike?

ENVER HOXHAJ
Mendoj që për institucionet e Kosovës është mëse problematike që kjo Qendër të vlerësohet si partner i mirëfilltë, mirëpo në fund të fundit mbetet tek bashkësia ndërkombëtare dhe tek Serbia të vendosë se cili do të jetë i përfaqësuar në këto bisedime. Kjo Qendër në të kaluarën ka përcjellë mesazhe jashtëzakonisht konfliktuale dhe sidomos drejtuesi i kësaj Qendre Nebojsha Çoviç, ka ndjekur një gjuhë dhe një politikë, e cila pak a shumë ka dalluar nga pararendësit e tij në jetën politike serbe. Kosova do duhet të synojë që mbi të gjitha të përfitojë nga një takim i tillë teknik. Ndoshta dobësia qëndron që pse lidershipi jonë aktual politik në Kosovë, nuk e ka menduar edhe ndonjë hap tjetër taktik nëse dialogu duhet të zhvillohet mes Prishtinës dhe Beogradit dhe nëse Beogradi e ka si instrument të politikës së tij pikërisht këtë qendër, atëhere mendoj që edhe Prishtina do të mund ta formonte një grup koordinues, në nivelin e njëjtë dhe me agjendën pak a shumë politike të njëjtë, që të synonte të adresonte problemet të cilat i ka Kosova.

RADIO EVROPA E LIRË
Marrë në përgjithësi atë që po zhvillohet rreth këtij procesi edhe asaj që ju e thatë pak më parë, sa mund të konsiderohet se ky dialog do të zhvillohet ndërmjet dy palëve të barabarta?

ENVER HOXHAJ
Mendoj që ky dialog mbi të gjitha është një hap simbolik, përmes së cilit bashkësia ndërkombëtare, konkretisht UNMIK-u, synon ta ndërtojë besimin mes shoqërive të cilat kanë qenë në konflikt, pra mes shoqërisë shqiptare në Kosovë dhe shtetit serb. Jam shumë i sigurt që në një formë të tillë nuk mund të ndërtohet ky besim, meqë jo vetëm çështja e palëve të barabarta por edhe çështja e programit politik të cilin e ka qendra koordinuese e zotit Çoviç, mirëpo edhe problemeve me të cilat ballafaqohet Kosova. Takimi do të jetë pak a shumë një lloj qëllimi më vete, ndërsa kosovarët nuk guxojnë t'i ikin këtij takimi për shkak të asaj që dëmet politike të cilat do të rridhnin mund të jenë pak a shumë të njëjta me ato, të cilat e përcollën takimin e Vjenës.

Intervistoi Zijadin Gashi

XS
SM
MD
LG