Ndërlidhjet

HARADINAJ:"BASHKËPUNËTORËT E MILLOSHEVIQIT SYNOJNË KRIMINALIZIMIN E LUFTËS SË POPULLIT TË KOSOVËS"


Ramush HARADINAJ, Kryetar i AAK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, bisedimet mbi çështjet teknike me Beogradin, që janë një prej standardeve që duhen përmbushur nga autoritetet kosovare, pritet të fillojnë së shpejti. A mendoni se periudha aktuale është e përshtatshme për fillimin e tyre?

RAMUSH HARADINAJ
Sa i përket Kosovës, qeverisë së Kosovës, por edhe spektrit politik, ekziston gatishmëria që bisedimet të fillojnë. Që të kemi bisedime të cilat do të reflektojnë pozitivisht, ne i kemi propozuar disa veprime të nevojshme; si veprim të parë e mendojnë ndërtimin e mëtutjeshëm të institucioneve të Kosovës, pra të qeverisë. Qeveria e Kosovës që të angazhohet në një proces të tillë duhet të ketë mekanizma adekuatë për dialog, jo vetëm si në këtë rast me Beogradin, por edhe në raste të tjera. Dhe, po ashtu si veprim i domosdoshëm, është edhe një mbështetje nga UNMIK-u për kërkesën e qeverisë së Kosovës, që si palë biseduese të jenë organet e zgjedhura të Serbisë, pra përfaqësuesit legjitimë të qeverisë së Serbisë dhe jo improvizime si Qendra Koordinuese për Kosovën, për të cilën në Kosovë ekziston një bindje e plotë, por ekziston edhe një gjendje faktike që është një qendër destabilizuese për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju e kundërshtoni përfshirjen e Qendrës Koordinuese si partnere në bisdime, por çfarë do ta dallonte atë nga një qeveri e re e Serbisë, ku sipas të gjitha gjasëve do të mund të përfshihen socialistët e Slobodan Milosheviqit?

RAMUSH HARADINAJ
Kemi të bëjmë me periudhën e deritashme, me zhvillimet në Kosovë. Mendoj personalisht se qendra Koordinuese dhe personalisht zoti Çoviq kanë qenë mbështetës të strukturave paralele në Kosovë. Ata kanë zhvilluar një paralelizëm në Kosovë, krahas pushtetit legjitim, pra krahas administratës së përbashkët vendore dhe ndërkombëtare, strukturë kjo që i ka shkaktuar shumë dëme procesit, do ta quaja edhe të integrimit të pakicës serbe në Kosovë, por edhe bashkëpunimit të ndërsjellë ndëretnik në Kosovë. Në rast se do ta legjitimojmë këtë qendër si palë, atëherë ne do të sillemi me mospërfillje ndaj të gjitha angazhimeve tona të mëparshme dhe në këtë mënyrë do të bëjmë një gabim të madh.

RADIO EVROPA E LIRË
Konkretisht, nëse Qendra Koordinuese emërohet si palë përfundimtare në bisedime, a do të hyjë partia juaj në bisedime?

RAMUSH HARADINAJ
AAK pjesëmarrjen në qeveri e ka kuptuar si obligim shumë serioz. Ne do t’i japim qeverisë së Kosovës mbështetje për të gjitha veprimet që i sjellin dobi Kosovës. Ne besojmë se plani për përmbushjen e standardeve është një plan serioz. Jemi shumë të bindur se ka ardhur në kohën e duhur, ka ardhur në kohën siç kemi thënë pak para 12-ës. Në Kosovë ka një pëkanqësi dhe papajtueshmëri me një qasje hezituese të bashkësisë ndërkombëtare për t’i dhënë Kosovë më shumë përgjegjësi për qeverisjen në Kosovë. Ky plan për ne është një dalje nga një situatë e tashme dhe ne do të mbështesim standardet në mënyrën e duhur.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur i përmendni standardet, pos bisdimeve janë edhe shtatë standarde të tjera. Sa besoni në fuqinë aktuale të institucioneve të Ksoovës për përmbushjen e tyre?

RAMUSH HARADINAJ
Ne posedojmë atë që është vullnet për të realizuar standardet, pra gatishmëri. Standardet janë kuptuar drejt nga spektri politik, nga populli i Kosovës dhe nga qeveria e Kosovës, pra ne kemi nevojë tash për kapacitet të plotë. Meqenëse plani për standardet për Kosovën është një plan serioz dhe është plan që do ta quaja kërkon nja angazhim të madh, neve na nevojiten mekanizma adekuatë për pëmbushjen e standardeve. Qeveria e Kosovës si e këtillë është e hendikepuar që të shënojë rezultate cilësore dhe vetë zhvillime cilësore rreth standardeve, në një situatë çfarë e ka tani.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i vlerësoni ju pohimet e disa analistëve se ky vit mund të jetë periudhë e rritjes së tensioneve ndërmjet administratës ndërkombëtare dhe institucioneve vendore për shkak të bartjes së përgjegjësive?

RAMUSH HARADINAJ
Mendoj se administrata ndërkombëtare në Kosovë shumë herë është dëshmuar e papërgjegjshme dhe e papërfillshme në kërkesat dhe në pritjen, apo në atë që populli i Kosovës pret nga partnerët ndërkombëtarë. Ndërtimi i institucioneve të Kosovës dhe qeveri e plotë, një administratë funksionale nuk do të thotë menjëherë status final, por një qeveria e funksionueshme. Mendoj se është gabim i madh një qasje e tillë e mëtutjeshme e bashkësisë ndërkombëtare dhe sidomos mendoj se është gabim të thuhet se vlerësimi do të jetë negativ për standardet në vitin 2005. Nëse do të ketë vlerësim negativ, edhe përgjigja e kosovarëve do të jetë negative ndaj bashkësisë ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Në planin e brendshëm a keni shqetësime për tensione të mundshme për shkak të zgjedhjeve të vjeshtës?

RAMUSH HARADINAJ
Zgjedhjet në vazhdimësi në Kosovë janë dëshmuar si proces stabilizues dhe bashkëpunues. Populli i Kosovës me vetëdije shumë të lartë i ka përgatitur proceset e deritashme zgjedhore. Nuk besoj se procesi zgjedhor do të sjellë vështirësi dhe ndoshta edhe zhvillime të tjera destabilizuese në Kosovë. Mendoj vetëm qasja e këtillë inerte për t’i dhënë Kosovës mundësi të qeverisë veten. Nëse shtrohet se çka do të zgjedhin këto zgjedhje, çfarë institucionesh, a janë këto institucione të kapacitetit të duhur, mund të them se kjo është një pyetje shumë shqetësuese, sepse ne ende nuk kemi një përgjigje nga pala ndërkombëtare, nga UNMIK-u.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, për fund zoti Haradinaj, arrestimi i katër pjesëtarëve të TMK-së ka nxitur reagime të ashpra në Kosovë. Një nga kundështarët më të rreptë jeni edhe ju. Me çka e argumentoni pozicionin tuaj?

RAMUSH HARADINAJ
Në Kosovë ka ndodhur një luftë, luftë për çlirimin e Kosovës. Shumë njerëz profilesh të ndryshme, qytetarë të Kosovës janë bërë pjesë e kësaj lufte për çlirimin e Kosovës. Kjo luftë në përgjithësi si veprim është veprim mbrojtës apo vetëmbrojtës i popullit të Kosovës. Në kohën e luftës, aparatura e Milosheviqit nuk është përbërë vetëm nga forcat militare dhe paramilitare, por ka pasur një infrastrukturë të bashkëpunëtorëve të ndryshëm, të cilët në shoqëritë e tjera të rregullta do të identifikoheshin dhe për disa prej tyre do të merreshin edhe masa të drejtësisë, pra do të thirreshin para gjyqeve për të u vlersuar për veprimet kriminale që i kanë bërë në bashkëpunim me një pushtet kriminal. Sot çka ndodhë – në vend që këta të identifikohen dhe si të këtillë drejtësia të mund t’i trajtojë, këta bashkëpunëtorë të një pushteti kriminal të mëparshëm tani po tentojnë të kriminalizojnë më tutje vetë luftën që ka bërë populli i Kosovës. Një veprim i tillë, një qasje nga ana e kundërt e drejtësisë, mendoj se nuk është drejtësi në Kosovë dhe mendoj se është improvizim. Improvizime të tilla kanë ndodhur edhe më përpara. Ne jemi treguar tolerantë edhe si luftëtarë për çlirimin e Kosovës, edhe si UÇK, por edhe si popull ndaj të gjithë njerëzve, jemi treguar falës dhe i kemi falë në Kosovë, serbët e Kosovës dhe jemi ofruar për bashkëpunim dhe për integrimin e tyre në institucionet e Kosovës, por atë që mund ta them është se bashkëpunëtorët e Milosheviqit nuk mund ta vendosin drejtësinë e tyre në Kosovë, pasi bota i ka luftuar edhe në Serbi, atëherë në Kosovë po ndodh diçka ndryshe – pjesë të botës së përparuar janë bërë instrumente, apo edhe vetë drejtësia e UNMIK-u është bërë instrument i bashkëpunëtorëve të Milosheviqit në Kosovë.

Intervistoi: Arbana VIDISHIQI

XS
SM
MD
LG