Ndërlidhjet

PROKURORIA E PËRMBYLLI PJESËN E SAJ TË PUNËS, POR GJYQI I MILLOSHEVIÇIT PRITET TË ZGJATË SHUMË


Julia Geshakova

Ish presidenti jugosllav, Sllobodan Millosheviç në Gjykatën e Hagës akuzohet për rolin e tij në luftërat në Kroaci dhe në Bosnjë, në fillim të viteve 90' dhe në Kosovë në vitet 98 -99. Ai ballafaqohet edhe me akuzë të ndarë për gjenocid për luftën në Bosnjë, në të cilën humbën jetën më se 200 mijë njerëz.
Kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Karla Del Ponte ka thënë se ajo është e kënaqur me fazën e parë të gjykimit. Shumë ekspertë juridikë thonë se vërtetë prokurorët kanë paraqiur dëshmi të mjaftueshme se forcat serbe kanë kryer mizori dhe se zoti Millosheviç kishte pasur rol kryesor në këto luftëra.
Xhudit Armata, nga Koalicioni për Drejtësinë Ndërkombëtare, e ndjek këtë gjykim. Lidhur me punën e prokurorëve ajo thotë:
"Mendoj se kanë bërë një punë shumë të mirë për të dëshmuar bazat e krimit. Sa i përket përgjegjësisë personale të Millosheviçit për këtë, ka pasur dëshmi shumë të besueshme për të treguar se ai ishte realisht lojtari kryesor në Ballkan në dekadën e viteve 90'", tha Xhudit Armata, ndërsa se sa u përket akuzave për gjenocid, ajo thotë se duket se prokuroria ka dështuar që të paraqesë dëshmi të mjaftushme:
"Nga dëshmitë që i kemi parë në seancat publike, unë nuk kam parë prova për gjenocid. Duhet të tregohet se Millosheviçi vërtet synonte shkatërrimin e myslimanëve të Bosnjës në tërësi ose pjesërisht. Në seancat publike nuk ka dëshmi që e tregojnë këtë gjë" – thotë Xhudit Armata.
Nëse gjyqi dëshmon fajësinë e tij, atëherë Sllobodan Millosheviçi, që tani i ka 62 vjet, pjesën tjetër të jetës mund ta kalojë në burg.
Mendohej se gjykimi do të përfundojë deri në vitin 2005. Por tani duket se ai do të zgjasë edhe disa vite më tepër.
Mediat serbe raportojnë se interesimi për gjykimin e zotit Millosheviç po zbehet. Megjithatë ai ende gëzon përkrahje të gjërë në vendin e tij, ku Tribunali konsiderohet si i politizuar dhe i njëanshëm kundër serbëve.
Gazetarja beogradase Lilana Smajloviç, që e ka ndjekur procesin në Hagë i tha Radios Evropa e Lirë se gjykimi në Hagë, në një mënyrë, e ka kthyer Millosheviçin në jetën politike:
"Gjykimi e ka rikthyer Millosheviçin, sepse para arrestimit dhe dorëzimit të tij, politikisht ai ishte një person krejtësisht i parëndësishëm në Serbi. Askush nuk ishte i interesuar se çfarë thoshte ai. Zgjedhjet e fundit treguan se atij, megjithatë, nuk i është dhënë një ringjallje si lider politik. Kjo nuk do të ndodhë kurrë më. Por, gjykimi e riktheu atë në kuptimin që për serbët, ai është personi që po i tregon perëndimit dhe botës, diçka nga ajo që populli këtu e ndjen lidhur me atë se çfarë ka ndodhur", tha Lilana Smajloviç.
XS
SM
MD
LG