Ndërlidhjet

KUVENDI I KOSOVËS KËRKON NGA KS I OKB-SË ZHBËRJEN E STRUKTURAVE PARALELE SERBE NË KOSOVË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kuvendi i Kosovës ka vënë sot në procedurë miratimin e një rezolute, e cila do t’i drejtohej Këshillit të Sigurimit, me kërkesën për zhbërjen e strukturave paralele të Serbisë në territorin e Kosovës. Këtë vendim, Kuvendi e mori në bazë të një nisme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, të paraqitur nga deputeti Arsim Bajrami. Ai tha me këtë rast se veprimi i strukturave paralele nuk e sfidon vetëm Kuvendin, të ardhmen dhe statusin e Kosovës, por edhe vetë misionin ndërkombëtar. Rezoluta 1244 dhe Korniza Kushtetuese e përcakton Kosovën si një territor të pandashëm, kurse sot, shtoi ai, kemi një situatë kur një e treta e territorit të Kosovës nuk administrohet nga institucionet ndërkombëtare dhe ato të zgjedhura të Kosovës. Nisur nga kjo gjendje, ai propozoi që Kuvendi t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit në Nju Jork:
“Propozojmë që pas debatit dhe pas harmonizimit të qëndrimeve të grupeve parlamentare, Kuvendi t’i drejtohet me një kërkesë Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që Këshilli i Sigurimit krahas gjykimeve verbale që po i bën kohë pas kohe, të miratojë një rezolutë të veçantë, me veprim detyrues, me të cilën do të kërkojë shpërbërjen e strukturave paralele dhe ta obligojë UNMIK-un dhe prezencën ushtarake që implementojë këtë vendim”, tha Bajrami.
Me propozimin e PDK-së, është pajtuar dhe grupi më i madh parlamentar ai i LDK-së. Kështu, deputeti Fatmir Sejdiu, tha se strukturat paralele të Serbisë, janë duke funksionuar në Kosovë, në bazë të mosveprimit konkret të Misionit të Kombeve të Bashkuara. Funksionimi i këtyre strukturave, tha Sejdiu, vërehet në sistemin e gjyqësisë, në atë të sigurisë, duke pasur parasysh veprimin e lirshëm të rojave të urës dhe shërbimit sekret serb, pastaj në administratë, shërbime publike, në sistemin e arsimit, shëndetësisë, telekomunikimin, e fusha tjera. Nëse këto struktura do të vazhdojnë të funksionojnë të papenguara, shtoi Sejdiu, atëherë sipas tij, do të rrezikoheshin proceset aktuale në Kosovë, përfshirë këtu edhe përmbushja e standardeve si një prej prioriteteve kryesore të vendorëve:
“Bashkësia ndërkombëtare duhet të shtojë presionin e saj, pa dilemë, për ndërprerjen e mënjëhershme të funksionimit të këtyre strukturave me zhbërjen e tyre. Në të kundërtën, vazhdimi i funksionimit të tyre kësisoj, rrezikon që Kosova dhe qytetarët e saj në përgjithësi, të mos arrijnë t’i përmbushin objektivat themelore të parapara edhe me standardet për Kosovën, si pjesë e kushtit konstruktiv për integrimin e Kosovës në bashkësinë evropiane”, theksoi Sejdiu.
Ndërkohë, duke paraqitur qëndrimin e AAK-së, Ramush Haradinaj, kryetar i kësaj partie, kërkoi që kosovarët të dalin me një projekt konkret duke i identifikuar të gjitha këto struktura paralele kudo që veprojnë dhe ofruar më pas këtë gjendje mekanizmave përkatës të bashkësisë ndërkombëtare.
“Duhet të bëjmë një prerje të gjendjes ekzistuese, t’i identifikojmë të gjitha këto struktura, kudo qofshin dhe cilatdo qofshin ato dhe kësisoji këto pamje të mund t’ua ofrojmë të gjithëve për njohje në radhë të parë dhe për vërtetim për një gjendje, që sipas meje është duke na shkaktuar dëme në Kosovë”, pohoi Haradinaj.
Në fund të sesionit të sotëm u vendos që Kuvendi, pasi t’i ketë dëgjuar dhe vlerësimet e udhëheqësve më të lartë ndërkombëtarë dhe atyre vendorë, në një prej seancave vijuese të miratojë këtë rezolutë, për çka u pajtuan edhe grupet tjera parlamentare, përveç koalicionit “Kthimi” i cili po e bojkoton punën e Kuvendit, për shkak të tre pikturave të vendosura në holin e sallës, të cilat nga deputetët serbë janë vlerësuar si monoetnike.


XS
SM
MD
LG