Ndërlidhjet

KASAPI I BEOGRADIT MUND TË LIROHET NGA AKUZA PËR GJENOCID


Independent

Megjithë 296 dëshmitarët, 290 ditët e gjykimit dhe 30 mijë faqe të dëshmive dokumentare, ekspertët ligjorë kanë shprehur dyshimet e tyre se prokuroria nuk do të mund të dëshmojë akuzën për gjenocid kundër Sllobodan Millosheviçit, për faktin se Tribunali Ndërkombëtar në Hagë gradualisht ka ngushtuar kufijtë e përkufizimit të fjalës gjenocid. Në kuadër të përpjekjeve për ta përgatitur botën rreth mundësisë për hedhjen poshtë të aktakuzës për gjenocid kundër Millosheviçit, kryeprokurorja e Tribunalit, Carla Del Ponte, ka tërhequr vërejtjen se Beogradi e ka rrezikuar këtë rast të gjenocidit duke mos i dhënë asaj qasje në dokumentet ushtarake.
Problemi qëndron në faktin se për ta dëshmuar gjenocidin në rastin e masakrës në Srebrenicë, prokurorët duhet të japin prova se Millosheviçi ka orkestruar krimet me qëllim të qartë për të shkatërruar në masë të madhe popullatën e muslimanëve të Bosnjës. Dëshmitarët sikur që ishte Lordi Owen, gjenerali Wesley Clark, gjenerali Klaus Naumann dhe Lordi Ashdown, kanë arritur të vërtetojnë se duart e Millosheviçit kanë qenë të përgjakura, por kjo nuk mjafton. Prokurorët nuk kanë arritur të japin dëshmi me shkrim dhe të identifikojnë dëshmitarët që do të dëshmonin për tentimet e Millosheviçit për ta zbatuar nëpërmjet organizatave kriminale projektin e “Serbisë së Madhe”.
Në të njëjtën kohë, Philippe Morrillon, ish komandant i trupave të Kombeve të Bashkuara në Bosnjë, ka dhënë dëshmi të cilat pjesërisht kanë mbrojtur Millosheviçin, duke thënë se ai fillimisht pati pezulluar sulmin e parë të planifikuar kundër muslimanëve të Srebrenicës.
“Nëse akuza për gjenocid hidhet poshtë, atëherë kjo do të jetë një problem shumë serioz, me këtë do të nënkuptohej se definimi i gjenocidit është aq specifik sa që nuk mund të kontrollohet”, thotë Ivo Banac, profesor i historisë në Universitetin Yale.
Samantha Power, autore e librit të shpërblyer me çmimin Pulitzer “Amerika në Kohën e Gjenocidit”, thotë se “nëse Millosheviçi nuk shpallet fajtor për gjenocid dhe nëse Tribunali në Irak për shembull zbaton standardet e Tribunalit të Kombeve të Bashkuara në Hagë, edhe rasti i Saddam Husseinit do të përfundonte njëlloj”.
Dr. Ton Zwan nga Qendra për Studime mbi Gjenocidin dhe Holokaustin është ftuar nga Tribunali në Hagë për të argumentuar konceptin e tij se gjenocidi është i dëshmueshëm edhe pa urdhër me shkrim. Ai është i mendimit se “në bazë të standardeve të përcaktuara nga Tribunali i Hagës, as Adolf Hitleri nuk do të mund të shpallej fajtor për gjenocid, meqë ai vetë asnjëherë nuk ka marrë pjesë në aktet gjenocidale dhe asnjëherë nuk ka dhënë urdhër me shkrim për të shfarosur hebrenjtë”. Sipas konventave ndërkombëtare, gjenocidi është krim që bëhet me qëllim të shkatërrimit të plotë apo të pjesërishëm të një grupi etnik.
XS
SM
MD
LG