Ndërlidhjet

SERBËT PROTESTUAN NË MITROVICË DHE GRAÇANICË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Policia e UNMIK-ut ende nuk i ka vërtetuar motivet e plagosjes së ministrit, në qeverinë e Kosovës, Ethem Çeku dhe katër personave të tjerë, që ndodhi natën e të shtunës në Pejë. Zëdhënësi i policisë rajonale në Pejë, Joel Singleton, tha sot se policia, bashkë me ushtarët e KFOR-it, kanë kryer hetime të rëndësishme në vendin e ngjarjes dhe po hetojnë nëse mjeti shpërthyes ishte vendosur në veturë apo diku afër saj. Përderisa këto hetime të mos përfundojnë, tha ai, nuk mund të dihen as caku dhe motivet e sulmit:
“Motivet dhe caku i sulmit ende nuk janë identifikuar”, tha shkurt zëdhënësi Singleton.
Ndërkohë, nën organizimin e Këshillit Nacional Serb, sot në pjesën veriore të Mitrovicës është mbajtur një protestë lidhur me vrasjen e dy serbëve në afërsi të Lypjanit, që ndodhi javën e kaluar. Me këtë rast, kryetari i këshillit ekzekutiv të Këshillit Nacional Serb, Momir Kasalloviç, pavarësisht fakteve të policisë e cila bazuar në hetimet e deritashme nuk ka dhënë shenja se bëhet fjalë për vrasje me motive etnike, duke iu drejtuar protestuesve e cilësoi këtë si krim me motive etnike dhe tha se zgjidhja e vetme për Kosovën është krijimi i dy entiteteve. Në emër të organizatës që përfaqësonte, ai kërkoi më pas dhe kthimin e ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë:
“Për komunitetin serb është i domosdoshëm kthimi i policisë, ushtrisë serbe si dhe i popullit serb”, tha Kasalloviç. Ndërkohë, ai kërkoi dhe kthimin e postblloqeve të KFOR-it nëpër vise të ndryshme nëpër Kosovë, kryesisht aty ku jeton popullata serbe. Ai më pas ka kërkuar nga koalicioni “Kthimi”, që të dalë nga institucionet e Kosovës, kurse nga serbët e punësuar në polici, gjykata dhe dogana të UNMIK-ut, t’i lëshojnë vendet e punës, ngase sipas tij, prania e tyre në këto institucione do të legjitimonte dhe dekoronte krijimin e shtetit të shqiptarëve të Kosovës.
Kasalloviç tha se kërkon nga qeveria e Serbisë, formimin e një ministrie të posaçme për Kosovën, kurse Qendra Koordinuese, shtoi ai duhet të riaorganizohet në bazë të kësaj ministrie nëpër territorin e Kosovës për të legjitimuar kështu, sipas tij, funksionimin e qeverisë së Serbisë në Kosovë. Protestë e ngjashme është organizuar sot dhe një një enklave tjetër serbe në Graçanicë, e cila ndodhet rreth 6 kilometra larg Prishtinës.

XS
SM
MD
LG