Ndërlidhjet

PESË TË VDEKUR DHE 9 NË GJENDJE TË RËNDË NGA SHPËRTHIMI NË MINIERËN E SELENICËS NË VLORË


Alma Çupi, Tiranë

Të paktën pesë minatorë kanë humbur jetën dhe 9 janë në gjendje të rëndë, nga shpërthimi i ndodhur sot në minierën e Selenicës pranë qytetit të Vlorës. Megjithatë të dhënat ende mbeten jo plotësisht të
konfirmuara, pasi mendohet se mund të ketë edhe persona të humbur.
Nga rreth 23 minatorë që mendohet se kanë qenë brenda në galerinë
ku ka ndodhur shpërthimi, vetëm tre prej tyre kanë mundur të dalin jashtë vetë, ndërsa të tjerët janë nxjerrë nga zjarrëfikësit. Në linjë telefonike Ministri i Shëndetësisë Solis thotë për Europën e Lirë se gjendja shëndetësore e të plagosurve është mjaft e rëndë
"Gjendja e të plagosurve të tjerë është mjaft e rëndë. Janë djegie mbi 30 % sidomos në pjesën e sipërme të trupit dhe gati të gjithë janë të djegur në fytyrë me djegie të rënda dhe diçka munden të kenë edhe në rrugët e frymëmarrjes".
Një nga minatorët e minierës së Selenicës thotë se aksidenti ka ndodhur në një prej galerive që është 100 metra thellësi dhe shpërthimi ishte paralajmëruar që të premten, por askush nga drejtuesit nuk e ka marrë në konsideratë rritjen e temperaturës në galeri.
"Vetëm lotoja dhe thosha o Zot i madh jo sot se i dinim kushtet. Pritej që do ndodhte se po rritej temperatura brenda. Temperatura mund t'i kalonte 45 gradët".
Ndërsa Ministri i Energjetikës dhe Industrisë Viktor Doda, i cili ndodhet në vendgjarje thotë në linjë telefonike se shpërthimi është aksidental.
"Gjatë fillimit të punës me sa duket nga avancimi i punimit është takuar një vatër gazi, e cila ka shpërthyer dhe si pasojë e shpërthimit me të dhënat që kam deri tani, nga 18 veta që konfirmohen që kanë qenë brenda, ka 5 të vdekur dhe 7 në gjendje të rëndë shëndetësore, që po u jepet ndihma e parë në spitalin e Vlorës,"
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë Gëzim Kalaja, thotë se shpërthimi, që konsiderohet nga më të rëndët, nuk është aksidental, por ka ndodhur si pasojë e mungesës së masave të
sigurisë.
" Në qoftë se do të kishte ventilim të plotë të minierave, në qoftë se do ishte kontrolluar saktesisht nga personeli inxhiniero-teknik situata e gazit në minierë, do të thoja se shpërthimi i gazit do të ishte i parandaluar. Kjo vjen si rezultat i mungesës së predispozicionit të punëdhënësve për të përmirësuar kushtet e punëtorëve dhe të minatorëve shqiptarë."
Miniera e bitumit të Selenicës është në administrimin e një shoqërie franceze. Policia e Tiranës ka shoqëruar për në prokurorinë e qytetit të Vlorës presidentin e shoqërisë franceze Patrik Paskal dhe administratorin Tomorr Beqiri, për t'u hetuar në lidhje me masat e
sigurisë në minierë.
Shpërthimi në minierën e bitumit të Selenicës, ndodhi sot në ora tetë të mëngjesit. Minatorët e kësaj miniere prej disa kohësh ishin ankuar për kushtet e punës dhe mospagimin nga ana e shoqërisë të siguracioneve dhe pagave të ulëta. Ky aksident është më i rëndi i ndodhur në minierat shqiptare që pas vitit 1990. Sindikatat e minatorëve, shpesh kanë ngritur zërin për gjendjen e sigurisë teknike në miniera dhe pagat e ulëta. Por sipas sindikatave, zëri
i tyre nuk është dëgjuar nga autoritetet.


XS
SM
MD
LG