Ndërlidhjet

GJENERALI ERLANDSON: JEMI PËR TË RUAJTUR PAQEN NË KOSOVË


Rick ERLANDSON, gjeneral-komandant i sektorit amerikan ( Lindje) të KFOR-it

RADIO EVROPA E LIRË
Gjeneral Erlandson, cili do të jetë prioriteti juaj gjatë mandatit në Kosovë?

RICK ERLANDSON
Nuk mendoj se prioritetet do të ndryshojnë nga ato të Divizionit 28. Ne jemi këtu që të zbatojmë Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe më e rëndësishmja është që ta përkrahim administratën civile, që të marrë një rol më të madh udhëheqës këtu në Kosovë. Dua të them se gjeneral brigade Jerry Beck dhe ushtarët e tij kanë bërë një punë shumë të mirë duke na pranuar në Brigadën Shumëkombëshe të Lindjes dhe duke na përgatitur që të vazhdojmë më tutje punën e tyre, për të ofruar një ambient të sigurt, kështu që institucionet civile do të mund të zhvillohen në një atmosferë të duhur.

RADIO EVROPA E LIRË
Forca e ardhshme amerikane përbëhet kryesisht nga Garda Kombëtare dhe nga Njësitet Rezervë. A sjellin këto njësi ndonjë aftësi të veçantë?

RICK ERLANDSON
Ngjashëm sikur Divizioni 28, Divizioni 34 përbëhet nga 19 shtete të ndryshme. Besoj se ushtarët e Gardës Kombëtare sjellin disa aftësi të veçanta me vete, sepse ata të gjithë janë rezervistë sikurse janë rezervistë edhe ushtarët nga Komponenta Rezervë. Ata vijnë nga jeta civile, janë doktorë, mësues, avokatë, instruktorë të vozitjes, pra kanë profesione të ndryshme dhe mendoj se kjo do të ndihmojë shumë, pasi ne do fillojmë kalimin e kompetencave tek autoritetet vendore.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju jeni trajnuar në 4 muajt e fundit. Çfarë lloj trajnimi keni bërë?

RICK ERLANDSON
Jemi mobilizuar si forcë ushtarake më 10 tetor dhe jemi trajnuar për tre muaj e gjysmë. Kemi pasur trajnime të shkëlqyeshme, të gjithë ushtarët janë trajnuar duke u bazuar në një standard. Ne jemi fokusuar në operacionet paqësore që bëhen në Kosovë, sepse janë disa gjëra specifike që i bëjmë veçanërisht për Kosovën dhe Bosnjen. Këto trajnime varen nga vendet ku dërgohet misioni paqëruajtës. Ushtarët janë të trajnuar mirë dhe ne jemi të kënaqur me këtë mision dhe të kënaqur se do të takohemi me popullin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Si shihet nga Uashingtoni, nga pikëpamja ushtarake, situata në Kosovë, pothuajse 5 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s?

RICK ERLANDSON
Mendoj se kjo është çështje që i përket bashkësisë ndërkombëtare. Ajo që mund të them unë është se ne jemi këtu, kemi rreth 2 000 ushtarë në terren, të përkushtuar që të ruajnë një ambient të sigurt dhe të qetë në Kosovë. Në fund të fundit derisa Kosova dhe qytetarët e Kosovës t’i arrijnë standardet e vendosura nga komuniteti ndërkombëtar dhe derisa komuniteti ndërkombëtar të marrë vendim për qëndrimin tonë këtu, ne do të jemi të përkushtuar për misionin në Kosovë. Siç e thashë, unë dhe ushtarët e mi jemi shumë të kënaqur që jemi këtu.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë do t'u kishit thënë tjetër kosovarëve në fillim të misionit tuaj?

RICK ERLANDSON
Po ajo që do të kisha thënë popullit të Kosovës është se jam shumë i lumtur që jam këtu dhe presim që të kemi bashkëpunim me komunat, që janë brenda sektorit të Brigadës Shumëkombëshe të Lindjes, të takojmë njerëzit dhe lidershipin e Kosovës.

Intervistoi Albana Isufi
XS
SM
MD
LG