Ndërlidhjet

BE: VDEKJA E TRAJKOVSKIT HUMBJE PËR INTEGRIMIN E BALLKANIT NË EVROPË


Augustin Palokaj, Bruksel

Të gjithë liderët e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s në Bruksel kanë reaguar sot me rastin e tragjedisë së vdekjes së presidentit të Maqedonisë Boris Trajkovski.
Romano Prodi e ka quajtur këtë një ditë të dhimbshme për Evropën që e bën edhe më të trishtueshme faktin se kjo ditë është dashur të jetë e lumtur për Maqedoninë, e cila pikërisht sot ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
"Është një ditë e trishtuar për rajonin e Ballkanit, për integrimin e të cilit ai ka bërë shumë përpjekje. Është një ditë e trishtuar edhe për Evropën që humbi një mik dhe mbështetës të vlerave të tolerancës, mbi të cilat Unioni është krijuar", ka thënë Romano Prodi.
Në mënyrë të ngjashme kanë reaguar edhe zyrtarë të tjerë. Havier Solana e ka quajtur vdekjen tragjike të Trajkovskit si një humbje të madhe për të gjithë. Solana, i cili më së shumti nga të gjithë zyrtarët ndërkombëtarë ka punuar me Trajkovskin në zgjidhjen e krizës në Maqedoni, ka thënë se Trajkovski ishte mik personal i tij. Ai ka luajtur rolin kryesor në tejkalimin e krizës dhe ishte njeri, i cili ka arritur të ruajë unitetin e shtetit të tij, ka thënë Solana.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap De Hop Scheffer, e ka quajtur vdekjen e Trajkovskit si humbje të një lideri të guximshëm, i cili në kohë të vështirë, me aftësitë e një lideri të madh, ka ruajtur unitetin e shtetit, kur ai ishte në rrezik. Për vdekjen e presidentit të Maqedonisë, dhimbje ka shprehur sot në Bruksel edhe presidenti i Kroacisë Stipe Mesiç, i cili para Parlamentit Evropian, ka folur sot për integrimin e rajonit në BE. Mesiç sot pasdite edhe vetë është dashur të takohet me Trajkovskin në qytetin e Mostarit në Bosnje Hercegovinë, në një konferencë për investime në Ballkan.
"Ne ishim miq por edhe bashkëpunëtorë në rrugën drejt integrimit evropian, në zhvillimin e demokracive në vendet tona dhe në bashkëpunimin mes shteteve në të gjithë rajonin", ka thënë Stipe Mesiç.
Mesiç, si njohës i mirë i rrethanave në rajon, vdekjen e Trajkovskit e ka quajtur si humbje të madhe për tërë rajonin.
Deputetja e Parlamentit Evropian Doris Pack ka përkujtuar edhe se Trajkovski, në kohën e luftës në Kosovë në vitin 1999, luajti një rol të rëndësishëm, kur afro gjysëm milioni kosovarë shkuan si refugjatë në Maqedoni dhe kjo në atë kohë nuk ka qenë e lehtë për të ruajtur stabilitetin e atij vendi.



XS
SM
MD
LG