Ndërlidhjet

U LIRUA AGIM ÇEKU


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Pas disa orësh të mbajtjes në arrest nga autoritetet e policisë kufitare hungareze, komandanti i Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, gjenerali Agim Çeku është liruar, kanë konfirmuar sonte në mbrëmje zyrtarë të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë:
"Sipas burimeve tona, gjenerali Çeku është i lirë. Pak më herët zoti Holkeri ka folur edhe me Ministrin e Jashtëm të Hungarisë, ku ai e ka deklaruar gjeneralin Çeku njeri të lirë, mirëpo konfirmimi ynë i fundit është se gjenerali Çeku është me të vërtetë i lirë," tha zëdhënësi i UNMIK-ut, Christian Lindmeier.
Njoftimet për lirimin e gjeneralit Çeku janë dëgjuar edhe më herët, mirëpo zyrtarë të TMK-së patën thënë se ato njoftime ishin të pavërteta, deri sa kjo nuk është konfirmuar më në fund nga UNMIK-u. Komandanti i TMK-së, Agim Çeku është arrestuar në orën 11 të ditës së sotme, deri sa po kthehej nga Çekia nëpër Hungari bashkë me 40 pjesëtarë të gardës së Kosovës dhe me koordintorin e UNMIK-ut për TMK-në, Ardian Freer, i cili konfirmoi arrestimin e gjeneral Çekut:
"Gjatë rrugës sonë nga Praga përmes Budapestit, gjenerali Çeku është arrestuar dhe ai është ende atje dhe aktualisht po bëhet një ndërhyrje diplomatike për të zgjidhur këtë çështje," tha zoti Freer i cili megjithëse kishte shkuar në Ostravë të Çekisë bashkë me gjeneralin Çeku, mbërriti në Prishtinë pa të.
Arrestimi i gjeneralit Çeku është dënuar ashpër nga presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili i ka quajtur të papranueshme këto veprime dhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të gjeneralit Çeku, tha zëdhënësi Muhamet Hamiti:
"Ndalimi i gjeneral Çekut është akt i papranueshëm për institucionet dhe popullin e Kosovës, ka thënë Presidenti Rugova.
Autoritetet hungareze nuk kanë të drejtë që mbi baza të akuzave të konstruktuara të një shtetit fqinj i Kosovës, që ka qenë okupator i vendit tonë, të ndalojnë qytetarë të Kosovës, personalitete të shquara, apo bartës të funksioneve të rëndësishme të Kosovës. Për popullin e Kosovës fletarrestet e Beogradit janë të papranueshme," tha zoti Hamiti duke cituar presidentin Rugova të ketë kërkuar lirimin e menjëhershëm të gjeneralit Çeku dhe trajtimin e tij në pajtim me personalitetin e tij dhe postin që ai mban në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, me t’u kthyer nga Italia në aeroportin e Sllatinës tha se këto arrestime bëhen për shkak të presionit të pamjaftueshëm të bashkësisë ndërkombëtare kundër Serbisë për të tërhequr fletarrestet banale dhe për shuarjen e strukturave paralele, duke theksuar se ky arrestim do ta pengojë dialogun e paralajmëruar, Prishtinë-Beograd:
"Fletarrestet e strukturave paralele që nuk ekzistojnë distrikte fare për këto fletarreste, për fat të keq ende çojnë peshë për Këshillin e Evropës dhe presioni duhet bërë nga faktori ndërkombëtar. Sigurisht se mund ta rrezikojë. Ne presim me të drejtë që gjenerali Çeklu të lirohet sa më parë, dhe unë kisha premtime se do të lirohet deri në orën tre, do ta kem situatën të qartë dhe se sigurisht që do ta pengojnë."
Arrestimi i njeriut numër një të TMK-së është dënuar edhe nga Kuvendi i Kosovës. Në komunikatën e lëshuar me këtë rast thuhet se Kuvendi i Kosovës shpreh protestën ndaj autoriteteve hungareze, ndaj autoriteteve ndërkombëtare dhe autoriteteve të UNMIK-ut, që ende po punojnë dhe po lejojnë të punohet sipas fletëarresteve të një regjimi dhe të një politike, e cila është dënuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe po gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Luftës në Hagë.
Kjo është hera e dytë që gjenerali Agim Çeku arrestohet jashtë Kosovës sipas fletarresteve të lëshuara nga Serbia. Herën e parë ai ishte ndaluar në Slloveni në tetor të vitit të kaluar, ndërkohë që po në aeroportin e Budapestit në qershor të vitit të kaluar qe ndaluar për disa orë për të njëjtat arsye edhe kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi.


XS
SM
MD
LG