Ndërlidhjet

DORIS PAK I POROSIT LIDERËT KOSOVARË TË TREGOJNË AFTËSI PËR QEVERISJE


Albana Isufi, Prishtinë

“Nëse secili vetëm ulet dhe pret mesin ose fundin e vitit 2005, asgjë nuk do të ndodhë. Duhet të punohet për t’i arritur standardet.” Kështu ka porositur udhëheqësit kosovarë eurodeputetja Doris Pak, e cila ka thënë se standardet nuk janë të nevojshme për Bashkimin Evropian, por për vetë qytetarët e Kosovës.
Kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova pas takimit me delegacionin evropian ka thënë se i ka njoftuar ata me zhvillimet e fundit në vend. Rugova ka kërkuar njohjen formale të pavarësisë.
“Unë insistoj që Kosova sa më shpejt të njihet si vend i pavarur, pra njohja formale, se ne de facto jemi të pavarur, por pavarësia do t’i shpejtonte të gjitha proceset e brendshme demokratike e ekonomike,” tha Rugova.
Por, eurodeputetja Doris Pak thotë se për arritjen e pavarësisë duhet të punohet.
“Nuk është e mjaftueshme të thuhet se duam pavarësi, por unë mendoj se të gjithë poltikanët në rajon duhet të punojnë për këtë. Nëse ata e duan pavarësinë, atëherë duhet të tregojnë se janë të aftë të ndërtojnë këtë vend," tha zonja Pak duke shtuar se e ardhmja e Kosovës është në BE, por kjo do të marrë pak kohë. Eurodeputetja Pak dëshiron që edhe liderët e Kosovës të jenë më të afërt me BE-në.
“Do të isha e lumtur që në këtë shtëpi herën e ardhshme të shoh një flamur të Evropës, sepse kam parë shumë flamuj, por jo të Evropës dhe z. president nuk do të vij kurrë më në Kosovë, nëse nuk është të paktën një flamur i BE-së," i tha zonja Pak kryetarit Rugova.
Ndërsa, kryeministri Bajram Rexhepi tha se e ka njoftuar zonjën Pak më të gjitha problemet me të cilat ballafaqohet qeveria.
“I treguam se çfarë suksesi është arritur, cila janë sfidat, po ashtu një diskutim i gjatë lidhur me privatizimin, që është një problem i madh dhe presim një përkrahje që ky proces të rifillojë sa më shpejt. Po ashtu diskutuam për integrimin e komuniteteve, strukturat paralele”.
Eurodeputetja Pak tha se ajo dhe eurodeputetët e tjerë janë të shokuar me ekzistimin e struktuarave paralele.
“Unë nuk kam parë shumë vullnet për t’u evituar strukturat paralele. Dhe unë kërkoj nga qeveria e re e Serbisë që të marrë në konsideratë faktin se Kosova duhet të jetë përgjegjëse për vetveten. Ministrat dhe qeveria e z Rexhepi nuk duhet të shikojnë se çfarë kërkon Beogradi, por çfarë kërkojnë qytetarët e Kosovës”, tha zonja Pak.
Zonja Pak tha po ashtu se procesi i privatizmit duhet të vazhdojë, përndryshe problemet do të sillen në një rreth vicioz.
Delegacioni i Parlamentit Evropian, që kryesohet nga zonja Pak është takuar me kreun e administratës ndërkombëtare në Kosovë Harri Holkerin, me parlamentarët kosovarë dhe përfaqësuesit serbë të institucioneve.



XS
SM
MD
LG