Ndërlidhjet

NË PRISHTINË U ZHVILLUA TAKIMI I PARË I GRUPEVE PUNUESE PËR ENERGJETIKËN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Rezultati i vetëm i takimit të sotëm të grupeve punuese për energjetikën në dialogun e vazhduar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e Malit të Zi, ishte përcaktimi i datës së takimit të ardhshëm të këtij grupi punues, që do të mbahet më 1 prill në Beograd, ka bërë të ditur sot udhëheqësi i takimit, Joly Dickson, i cili do të kryesojë edhe takimet e ardhshme të këtij grupi dhe të grupit për transport dhe telekomunikacion.
Ai tha se ky ishte takimi i parë i grupeve punues, prandaj edhe rendi i ditës ishte i kufizuar për njohjen e njëri-tjetrit më mirë, pasi edhe vetë ideja e dialogut është që njerëzit e përfshirë në të të mund të bisedojnë, tha zoti Dickson duke bërë të ditur se dy kanë qenë pikat e rendit të ditës:
"Së pari ka qenë prezantimi nga të dyja palët i çështjeve që duan t’i shohin në agjendën e takimeve të ardhshme, ndërsa së dyti është folur për metodat e punës së këtij grupi në të ardhmen," tha zoti Dickson, duke vlerësuar se ishte një takim mjaft produktiv, në të cilin kanë dalë shumë çështje për të cilat duhet diskutuar në takimet e ardhshme.
Sidoqoftë, zoti Dickson tha se agjenda e takimit të ardhshëm ende nuk është përcaktuar, mirëpo brenda delegacioneve do të shqyrtohen propozimet e dala nga takimi i sotëm, në mënyrë që secili nga grupet punuese të jetë i gatshëm për takimin e ardhshëm.
Zoti Dickson, i cili ishte i vetmi që foli sot para gazetarëve, pasi përfaqësuesit e Kosovës dhe ata të Serbisë e Malit të Zi nuk dolën para gazetarëve, tha se megjithatë diheshin disa nga prioritetet për takimet e ardhshme:
"Çështjet si ato të ambientit dhe çështjet e përgjithshme të pajisjeve për energjetikën do të jenë çështjet prioritare për të gjithë," tha zoti Dickson, sipas të cilit edhe agjenda e takimeve të ardhshme do të dalë nga diskutimet e sotme dhe nga këto prioritete, që kanë të bëjnë para së gjithash me bashkëpunimin lidhur me këto çështje.
Sidoqoftë, tha zoti Dickson, ndërkohë që takimi i ardhshëm mbahet në Beograd, nuk beson që të ketë probleme për faktin se Beogradi nuk njeh dokumentat e udhëtimit të UNMIK-ut, ndërsa anëtarët e delegacionit të Kosovës duhet të shkojnë ato me këso dokumentesh:
"Nuk dua të flas se si do të bëhet kjo, pasi nuk është punë imja. Besoj se UNMIK-u merret me këtë punë dhe me procedurat, por më duhet t’ju përkujtoj se ky dialog mbështetet drejtpërdrejt nga Bashkimi Evropian NATO-ja dhe nga një numër vendesh," tha Dickson.
Ai ka lavdëruar atmosferën që ka mbretëruar gjatë takimit të sotëm, ndërsa të arriturën më të madhe e ka llogaritur interesimin e të dyja palëve që të diskutohet për çështje të ambjentit lidhur me energjinë.
Ndërkohë që ky ishte takimi i parë ndërmjet grupeve punuese në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, takimi i dytë është planifikuar të mbahet javën e ardhshme, më 9 mars ndërmjet grupeve teknike për të zhdukurit, që do të kryesohet nga përfaqësuesi i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, François Stamm.



XS
SM
MD
LG