Ndërlidhjet

NESËR NË PRISHTINË –BISEDIMET PËR PERSONAT E ZHDUKUR


Zijadin Gashi, Prishtinë

Nesër në Prishtinë, pritet që të vazhdojë dialogu Prishtinë – Beograd. Kësaj radhe, temë bisedimesh do të jetë çështja e të zhdukurve të luftës.
“Ky është një rast specifik pasi bëhet fjalë për fatin e personave të pagjetur të luftës, për çka janë të interesuar të dinë më tepër jo vetëm familjarët e tyre, por edhe të gjitha institucionet vendore”, thotë Mimoza Kusari, zëdhënëse e kryeministrit të Kosovës. Në takimin e nesërm, sipas Kusarit, pritet të bëhet shkëmbimi i informatave në lidhje me fatin e këtyre personave. "Presim që të dy palët të tregojnë minimumin e humanitetit dhe që kjo çështje në asnjë mënyrë të mos politizohet, por të sjellë si rezultat informatat për këta persona," thotë Kusari. Ajo tha po ashtu, se qeveria do t’i ketë përfaqësuesit e vet edhe në këtë tavolinë bisedimesh, pavarësisht qëndrimeve të disa organizatave dhe familjarëve të personave të zhdukur, se fati i tyre nuk mund të jetë temë e bisedimeve teknike:
“E kuptojmë dhimbjen e tyre dhe e ndiejmë me ta. Por, megjithatë mund të jetë dhe çështje terminologjish e cila përdoret, si teknike, kurse më parë është përdorur edhe diskutim për çështje praktike, por e kuptojmë se e ka ndjeshmërinë dhe jemi shumë sensitivë lidhur me këtë çështje. Por, prap duhet kuptuar se qeveria e Kosovës nuk ka raporte direkte me qeverinë e Beogradit, do me thënë nuk ka mënyrë tjetër të komunikimit dhe e vetmja mënyrë është nëpërmjet një dialogu apo bisedim i tillë me ndërmjetësues UNMIK-un, dhe nga kjo anë të kërkohet zbardhja e fatit të personave të pagjetur”, tha Mimoza Kusari, sipas të cilës këto bisedime mund ta orientojnë procesin nga presionet diplomatike ndërkombëtare mbi Beogradin, siç është vepruar deri më tani, në bisedime praktike në mënyrë që të bëhet më tepër në ofrimin e informatave konkrete rreth të zhdukurve.
Në këto bisedime, pritet që të marrë pjesë dhe koalicioni “Kthimi”. Deputeti Dragisha Kërstoviç, tha se është shumë me rëndësi që do të bisedohet lidhur me të zhdukurit, por nuk do të doja, tha ai, që të prejudikoj se cilat do të jenë temat e këtij takimi.
“Gjithsesi që anëtarët e grupeve do të njoftohen dhe do të merren vesh për temat që duhet biseduar në të ardhmen”, tha Kërstoviç, duke shtuar se pasi që bëhet fjalë për një çështje shumë të ndjeshme si për serbët ashtu edhe për shqiptarët, takimi i nesërm, sipas tij ka një rëndësi të veçantë.
Takimin e nesërm do ta drejtojë drejtori për operacione në kuadër të Kryqit të Kuq ndërkombëtar, Fransoa Stamp. Kryesues i delegacionit të Kosovës do të jetë Ragip Zekolli, zyrtar i qeverisë, kurse kryesues i delegacionit nga Beogradi do të jetë Vladimir Bozhoviç, ndërsa nga koalicioni “Kthimi” do të jetë Milorad Todoroviç. Më herët nga grupi i Prishtinës për bisedime janë larguar dy anëtarë shqiptarë, Flora Brovina dhe Ibrahim Makolli, pasi që kishin refuzuar të trajtojnë çështjen e të zhdukurve si temë të bisedimeve teknike.
Përveç çështjes së të zhdukurve që pritet të bisedohet nesër, nga katër tavolinat e caktuara, deri më tani është biseduar për çështjet energjetike, ndërsa pritet që në të ardhmen e afërt në Beograd të fillojnë dhe dialogu në lidhje me kthimin e të zhvendosurve dhe çështjet e transportit e telekomunikacionit.



XS
SM
MD
LG