Ndërlidhjet

QEVERIA E SERBISË DUHET TË ECË NË DREJTIM TË DUHUR


Senatori Richard Lugar, International Herald Tribune

Më tepër se dy muaj pasi partitë ekstremiste realizuan një paraqitje të fuqishme në zgjedhjet parlamentare, Serbia më në fund e ka qeverinë e re, një koalicion që mendohet se është reformator i përbërë nga partite demokratike. Kjo qeveri, e udhëhequr nga Vojisllav Koshtunica mund të lëvizë kah Evropa dhe Perëndimi, ose ajo mund të kthehet prapa në mbetjet ideologjike të Sllobodan Millosheviqit dhe të izolohet edhe më tepër nga pjesa tjetër e Evropës. Vendimi duhet të jetë i qartë. Lëvizja në drejtim të duhur do ta fuse këtë vend në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në partneritetin për paqe të Natos dhe në Organizatën Botërore të Tregtisë. Shtetet e Bashkuara janë të interesuara për këto zhvillime. Një Serbi e integruar dhe moderne do ta përfundonte kërcënimin për stabilitetin në Evropë dhe nuk do të ishte burim potencial i drogës, i armëve dhe i dhunës etnike, që kërkojnë praninë e trupave të Natos në këtë rajon.

Shtetet e Bashkuara tashmë kanë premtuar se do të mbështesin anëtarësimin e Serbisë në partneritetin për paqe të Nato, pasi të jenë bërë dy gjëra: arrestimi dhe dërgimi në Hagë i Ratko Mlladiqit, ish gjeneral serb i akuzuar, ndër të tjera, për udhëheqjen e vrasjes së afro 7 mijë myslimanëve në Srebrenicë dhe pasi të jetë tërhequr padia kundër Natos në Gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë. Serbia mund ti largoj edhe pengesat e tjera në integrimin e saj në sistemin evro-atlantik. Njëra nga këto pengesa është qëndrimi i vazhdueshëm refuzues për situatën në Kosovë, që administrohet nga Kombet e Bashkuara dhe me forcën e sigurisë së udhëdhequr nga Natoja, prej vititi 1999, kur fushata e bombardimeve e aleancës e ndali pastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova. Ne dëshirojmë ta ndihmojmë Kosovën që të krijoj një shoqëri ku shqiptarët dhe serbët do të jetojnë në paqe, me të drejta të barabarta ligjore dhe me mundësi të njejta. Natoja nuk i ka larguar vrasësit e Millosheviqit nga Kosova për të parë se si ajo po shndërrohet në viktimë të çfarëdolloj nacionalizmi.

Gjatë nëntorit të kaluar, nënsekretari amerikan i shtetit, Marc Grossman qëndroi në Kosovë me një plan të ri për të ndihmuar që Kosova të bëhet një shoqëri demokratike dhe multi – etnike. Një faktor kritik këtu është dialogu me Beogradin. Tash kur duket se ky dialog do të vazhdoj, liderët e pakicës lokale serbe në Kosovë po refuzojnë të bashkëpunojnë plotësisht me Kombet e Bashkuara në fushat e tjera të rëndësishme të reformave. Serbët duhet të kuptojnë se kjo gjë, në periudhë afatgjatë, vetëm i dëmton ata, pasi zgjidhja për çështjen e Kosovës, përfshirë këtu edhe statusin e ardhshëm të saj, është pjesë e një strategjie më të gjërë për tu kthyer në Evropë. Shtetet e Bashkuara kanë demonstruar me fjalë dhe me veprime se dëshirojnë të angazhohen me Serbinë si me partner, duke inkurajuar më tepër reforma dhe për të ndihmuar vendin që ta realizoj të ardhmen evro-atlantike.

Nëse Serbia mund të demonstroj se poashtu dëshiron që një pjesë të së kaluarës së saj të errët ta lërë pas, veçanërisht duke bashkëpunuar me Tribunalin e Hagës, atëherë do të rekomandohet që në fund të marsit, sekretari i shtetit të lejoj ndihmën amerikane prej 100 milionë dollarësh.
XS
SM
MD
LG