Ndërlidhjet

PATRICK MOORE: NUK SHOHË NDONJË PROGRES SUBSTANCIAL NË BISEDIMET TEKNIKE


"Tetorin e kaluar, sipas disave në media, bisedimet u cilësuan si një dialog i të shurdhërve. Mendoj që kjo do të vazhdoj. Ndoshta do të ketë një progres të vogël, nuk jam në pozitë që ta di, por ajo që shoh, është se asnjëra nga palët nuk i do në të vërtetë këto bisedime dhe nuk është e kënaqur me këto bisedime. Ata janë detyruar të dialogojnë nga të huajt" – thotë, pos tjerash, analisti i Radios Evropa e Lirë, Patrick Moore, duke folur për bisedimet teknike ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

RADIO EVROPA E LIRË
Këtë javë, kryeadministratori i Kosovës, Harri Holkeri tha në Beograd se "ndarja e Kosovës nuk është çështje për diskutim". Duket se kjo ishte përgjigje në propozimet e zotit Koshtunica për "autonomi territoriale, ndarje në entitete apo kantonizim". Si e komentoni ju këtë çështje?

PATRICK MOORE
Mendoj që në komunitetin ndërkombëtar, mjaft shpejtë, e kuptuan që do të kenë probleme me Koshtunicën, i cili do ushtrojë presion që të ketë një farë ndikimi në çështjen e Kosovës. Kjo u duk mjaft qartë nga deklarata e tij e parë, ditën e parë që i bëri publike prioritetet e qeverisë së tij…pra, kjo çështje ishte në krye të agjendës së tij. Në perëndim e dinë që ai do të bëjë testime për kufizimet e asaj që është e mundshme të arrihet dhe gjëra të këtilla do të ketë edhe më tepër. Jo thjesht për arsye të politikës dhe ideologjisë së tij, por sepse sipas praktikave të kohëve më të vjetra, kur politikanët nuk mund ti realizojnë reformat ekonomike dhe sociale që votuesit i kërkojnë, atëherë ata përpiqen që të largojnë vëmendjen e votuesve me taktikat e tipit të diversioneve dhe, siç e dimë të gjithë, për këtë gjë nacionalizmi është njëra prej taktikave më të mira. Në këtë aspekt unë mendoj se pasi ai votuesve nuk mund tu japë ushqim në tryezë ai mund tu japë atyre propagandë për Kosovën…Ajo që zoti Holkeri u përpoq të bënte ishte ti bëj me dije Koshtunicës që në fillim, se ky lloj fjalimi nuk e çon askund.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë dy javëve të fundit kishte diskutime për çështje teknike ndërmjet Prishtinës e Beogradit. Si i parashihni zhvillimet e ardhshme, a do të shohim ndonjë rezultat në këto bisedime?

PATRICK MOORE
Tetorin e kaluar, sipas disave në media, bisedimet u cilësuan si një dialog i të shurdhërve. Mendoj që kjo do të vazhdoj. Ndoshta do të ketë një progres të vogël, nuk jam në pozitë që ta di, por ajo që shoh, është se asnjëra nga palët nuk i do në të vërtetë këto bisedime dhe nuk është e kënaqur me këto bisedime. Ata janë detyruar të dialogojnë nga të huajt. Asnjëra nga palët nuk i do këto bisedime pasi secila prej tyre ka agjendë tjetër; shqiptarët duan pavarësi, serbët duan ruajtjen e një farë pranie në Kosovë dhe në këto çështje, duket, që nuk ka vend për kompromis, në rast se njëra palë nuk do të heqë dorë nga qëllimet e tij themelore. Mendimi im personal është që mund të ketë njëfarë progresi, por nuk shohë ndonjë progres substancial, as për çështjet e vogla praktike, derisa të zgjidhet tërësisht çështja e statusit. Derisa statusi të mos zgjidhet nuk mendoj se do ketë ndonjë lëvizje serioze në ndonjë çështje.

RADIO EVROPA E LIRË
Analistët thonë se të gjitha këto zhvillime, përfshirë këtu vizitën e zyrtarit të lartë të Kombeve të Bashkuara, zotit Geno dhe vizitën e kryeministrit Rexhepi në Bruksel, tregojnë se ndoshta Kosova përsëri është në krye të agjendës ndërkombëtare. Cili është komenti juaj?

PATRICK MOORE
Kam frikë se nuk jam shumë i sigurt lidhur me këtë. Detyrë e politikanëve është që të udhëtojnë dhe të flasin. Ajktualisht ajo që shohim janë njerëzit që udhëtojnë dhe bisedojnë. A do të ketë ndonjë rezultat nga e gjithë kjo - nuk jam i sigurt. Ka një proverb në anglisht, që më duket ekziston edhe në gjuhë të tjera, se një dallëndyshe nuk e sjell pranverën. Pra le të shohim se a do ketë ndonjë rezultat.
Intervistoi Fatmir Bujupi.
XS
SM
MD
LG